Trysni mbi mësimdhënësit për kompensim të orëve të humbura

Ilustrim

Çështja e kompensimit të orëve të humbura të mësimit gjatë 15 ditëve të grevës së mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë në fillim të këtij viti, po përcillet me mosmarrëveshje në mes Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës (SBASHK) dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kjo çështje ka mbërritur edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku SBASHK ka dorëzuar padi, ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyçi, i cili përmes një vendimi ka kërkuar kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve.

Vendimi i ministrit Bytyqi për kompensim të orëve mësimore ka hyrë në fuqi në fillim të këtij muaji, por si i tillë nuk u respektua nga shumica e shkollave fillore dhe të mesme.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, kërkon nga ministri Bytyqi ta tërheq këtë vendim dhe pastaj të diskutohet nëse mësimdhënësit e shohin të nevojshme kompensimin e orëve të humbura.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Këshillit drejtues të SBASHK-ut, është që orët e humbura mësimore të mos kompensohen dhe se ky vendim, sipas tij, do të jetë në fuqi deri në një vendim tjetër apo deri në shqyrtimin e kësaj lënde e cila tani është në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Jasharaj thotë se në vazhdimësi është duke u bërë trysni mbi mësimdhënësit që orët e humbura gjatë grevës të kompensohen.

“Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi dhe drejtoritë e arsimit nëpër komuna përmes drejtorëve të shkollave po vazhdojnë me presion ndaj mësimdhënësve që këto orë të mbahen dhe ne e kundërshtojnë këtë. Nëse vazhdohet kështu me presion ndaj mësimdhënësve të Kosovës duke i kushtëzuar dhe duke urdhëruar që të mbajnë mësim në do të reagojmë”.

“Ne kemi kërkesa nga mësimdhënësit që të reagojmë nga ky presion që po ju bëhet. SBASHK përmes këshillit drejtues do ta rikthejë grevën nëse vazhdohet me presion për kompensim të orëve të humbura. Një grevë e tillë do të mund të prodhonte ditë të tjera të humbura të mësimit, përveç këtyre 15 ditëve që janë humbur gjatë grevës”, thotë Jasharaj.

SHIKONI EDHE: Përplasje mes Sindikatës dhe Ministrisë për kompensim të orëve

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Qeverinë e Kosovës nuk janë prononcuar lidhur me këtë çështje.

Kohë më parë, zyrtarë të kësaj ministrie kishin deklaruar se vendimi i marrë për kompensim të orëve të humbura ishte në përputhje me interesin e nxënësve në mënyrë që të rikuperohet dëmi që iu është shkaktuar atyre nga greva.

Ekspertët e çështjeve të arsimit kishin ngritur shqetësime se mosvijimi i procesit mësimor për tre javë, rezulton me mospërmbushje të plan-programit mësimor dhe dëme në procesin arsimor dhe se kompensimi i orëve do të duhej të bëhet.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e prindërve të nxënësve thonë që plan-programi duhet të realizohet. Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshitaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se fëmijët kanë pësuar nga mosmbajtja e mësimit për tre javë rresht dhe se kjo do të duhej të kompensohet.

“Ose të bëhet zëvendësimi i orëve të humbura ose mësimdhënësit të arrijnë në një formë të realizojnëqind për qind plan-programin mësimorë që kanë për këtë vit shkollor. Ne i kemi nxënësit e klasës së parë, klasës së 9-të dhe 12-të që do të dëmtohen më shumë nëse nuk bëhet realizimi i njësive mësimore, pasi që klasat nxënësit e klasave të9-ta dhe 12-ta kanë edhe testin e arritshmërisë”, thotë Reshitaj.

Vendimi i Ministrisë së Arsimit për zëvendësim të orëve të humbura mësimore kishte paraparë që mësimi të mbahet në pesë ditë të marra nga pushimi pranveror në prill të këtij viti, pesë ditë të shtuna do të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019, dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i këtij viti shkollor.

Mësimdhënësit, më 14 janar patën nisur grevën, e cila zgjati për tri javë, me kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave për 30 për qind. Greva ishte ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se Ligji i ri për paga do të përafrojë kërkesën e tyre.

Ligji i ri për paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin shkurt.