Ndërlidhjet

Përplasje mes Sindikatës dhe Ministrisë për kompensim të orëve të humbura


Shkollë në Prishtinë - Foto nga arkivi
Shkollë në Prishtinë - Foto nga arkivi

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) në Kosovë nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhje të përbashkët për kompensim të orëve të humbura mësimore përgjatë grevës së mësimdhënësve, e cila zgjati tre javë.

Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, ka vendosur që orët e humbura mësimore gjatë grevës së mësimdhënësve të kompensohen, porse me këtë vendim nuk po pajtohet SBASHK-u.

Valmir Gashi, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Ministrisë është në përputhje me interesin e nxënësve në mënyrë që të rikuperohet dëmi që iu është shkaktuar atyre nga greva.

Ai thotë se vendimi për zëvendësimin e orëve është marrë në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe se sugjerimet e tyre janë futur edhe në vendim.

“Nuk ka asnjë dispozitë ligjore që e ndalon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, madje vendimi është marrë në përputhje të plotë me udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/2019”, thotë Gashi.

Mësimdhënësit, më 14 janar patën nisur grevën, e cila zgjati për tri javë, me kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave për 30 për qind. Greva ishte ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se Ligji i ri për paga do të përafrojë kërkesën e tyre.

Ligji i ri për paga është miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin shkurt.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka dekretuar ligjin, mirëpo bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Ligji hyn në fuqi edhe pa nënshkrimin e presidentit.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, thotëpër Radion Evropa e Lirë se vendimi për kompensim të orëve të humbura i Ministrisë së Arsimit është i njëanshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për grevat dhe kontratën kolektive të arsimit në Kosovë.

“MASHT-i është dashur të komunikojë me ne dhe të bisedojmë për çështjen e zëvendësimitdhe vendimi të mos jetë i njëanshëm. Kemi reaguar se Ligji mbi grevat nuk obligon të punësuarit në cilindo sektorë që janë në grevë, t’i kompensojnë orët. Greva është e drejtë ligjore dhe grevën nuk e dëshiruam ne, por institucionethezituan që të realizojnë me dialog kërkesat tonë dhe ne hymë në grevë. Po ashtu, gjatë grevës, mësimdhënësit kanë qenë në vendin e tyre të punës”, shprehet Jasharaj.

Ai thotë se është një vendim i SBASHK-ut që orët dhe ditët e humbura nuk do të zëvendësohen. Por, që, sipas tij, nëse shumica e të punësuarve në arsim vendosin për mbajtjen e orëve, do t’i përkrahim, por nëse ndodh e kundërta, shton Jasharaj, është e drejtë e tyre që është e garantuar me Ligjin për grevat.

Ndërkohë, Valmir Gashi, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, thotë se pavarësisht kundërshtimeve të SBASHK-ut, vendimi duhet të zbatohet.

“Vendimi është për t’u zbatuar dhe presim që të zbatohet pavarësisht deklaratave të SBASHK-ut”, thotë Gashi.

Në anën tjetër, ekspertët e çështjeve të arsimit kishin ngritur shqetësime se mosvijimi i procesit mësimor për tre javë, rezulton me mospërmbushje të plan-programit mësimor dhe dëme në procesin arsimor dhe se kompensimi i orëve do të duhej të bëhet.

Megjithatë, Jasharaj nga SBASHK-u, thotë se nuk mund të flitet për dëm të madh në procesin mësimor.

“Plan-programi mësimor mund të cenohet pak, por nuk mund të flitet për një dështim të plotë të vitit shkollor apo plan- programet që kanë planifikuar mësimdhënësit”, thotë Jasharaj.

Sipas vendimit të MASHT-it ditët e humbura të mësimit në institucionet e arsimit parauniversitar do të zëvendësohen fillimisht me pesë ditë të marra nga pushimi pranveror në prill të këtij viti, pesë ditë të shtuna do të zëvendësohen gjatë vitit shkollor 2018/2019, dhe pesë ditë të zgjatet përfundimi i këtij vitit shkollor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG