Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë arritur marrëveshje me kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj, për ndërprerjen e grevës në arsim.
Pas tre javë greve, sindikalistët e arsimit janë pajtuar me ofertën e institucioneve për rritjen e koeficientit të pagave që pritet të zbatohet përmes Ligjit për Paga, i cili u tha se do të mundësojë edhe rritjen e pagave, përafërsisht në nivelin që e kanë kërkuar mësimdhënësit.
Kërkesa e mësimdhënësve, ishte që me koeficientin e ri të pagave, pagesat e tyre të rriten deri në 30 për qind.
Bazuar në deklaratat e Veselit, Haradinajt dhe Jasharajt, mësimi në të gjitha institucionet parauniversitare dhe universitare do të fillojë të hënën, më 4 shkurt, duke shënuar kështu fundin e grevës së përgjithshme në sistemin arsimor, e cila ka filluar tre javë më parë.
“Të gjithë punëtorëve të arsimit do t’u rritet paga”, ka thënë Veseli në një konferencë të përbashkët pas takimit.
“E falënderoj kryeministrin dhe sindikatat, të cilat kanë rol historik në shtet-ndërtimin e Republikës së Kosovës. Jam i lumtur që nxënësit e Kosovës dhe mësimdhënësit nga e hëna do t’u kthehen shkollave dhe mësimi do të fillojë. Të gjithë punëtorëve në sistemin e arsimit, u janë rritur pagat,” ka deklaruar Veseli.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se për dallim nga oferta e parë e Qeverisë, oferta e dytë, që rezultoi me marrëveshje, është shumë e përafërt me kërkesat e sindikatës.
“Është tepër, tepër afër 30 përqindëshit. Nuk është 30 për qind, por kur ka dialog, kur ka negocime duhet bërë edhe kompromise, por po them fitues jemi të gjithë. Është një marrëveshje e mirë, sepse ka lëvizje të koeficienteve dhe angazhimi ynë që të mos jemi mes rangimit një e dy, tani me këto lëvizjet e reja, me veprimet e reja, sistemi para universitar - çerdhet dhe të tjerat kalojnë nga dyshi në tre (koeficienti) dhe kjo është një arritje, që e konsiderojmë të mirë”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka konfirmuar që mësimi do të rinisë të hënën, pavarësisht nëse ligji votohet të shtunën apo shtyhet për ndonjë ditë tjetër, pasi sipas tij, sindikata ka arritur qëllimin e saj që koeficientet e rritur të jenë pjesë e Projektligjit për Pagat.
“Patjetër (që mësimi do të nisë të hënën), sepse ky ligj e mbërthen fatin e të gjithëve dhe do të thotë votohet kur votohet, por lufta jonë arriti (sukses), po them në mënyrë figurative angazhimet tona dhanë fryte, ngase në këtë projektligj më mirë sesa që ishim dhe unë besoj që deputetët karshi Ligjit për Buxhet do ta votojnë edhe Ligjin për Pagat”, është shprehur Jasharaj.
Më shumë se 350 mijë nxënës të institucioneve të arsimit para-universitar dhe rreth 70 mijë studentë në Kosovë për 14 ditë më radhë nuk e kanë vijuar procesin mësimor, pasi mësimdhënësit e tyre kërkonin rritjen e koeficientit të pagës së paku për 30 për qind.
Megjithatë, gjithçka tani mbetet në vendimin e Kuvendit të Kosovës, i cili të shtunën pritet të shqyrtojë dhe miratojë Projektligjin për Pagat. Aty, parashihen koeficientet e pagave për të gjitha kategoritë e sektorit publik.
Pas fillimit të procesit mësimor, i mbetet tani Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të marrë vendim për mënyrën e kompensimit të orëve të humbura.
Valmir Gashi, këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ditë më parë ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se pas përfundimit të grevës, Ministria do të ftojë drejtorët e drejtorive komunale të arsimit dhe në koordinim me ta do të vendoset se cilat janë ditët apo koha më e përshtatshme për t’i zëvendësuar orët e humbura.
Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se çdo orë e humbur mësimore, do të kompensohet.
Greva e përgjithshme në sistemin arsimor në Kosovë kishte nisur më 14 janar.