Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se është i gatshëm të deklarojë emergjencën kombëtare, pasi ai udhëtoi për në kufirin me Meksikën, për të ritheksuar argumentet e tij për ndërtimin e një muri në kufirin jugor të vendit.
Vizita e Trump më 10 janar në qytetin kufitar të Teksasit, McAllen erdhi pasi një mbylljeje të pjesshme të Qeverisë – që ka hyrë në ditën e 20-të -me rreth 800,000 punonjës federalë që po punojnë në të gjithë vendin pa pagesë ose që janë larguar përkohësisht nga puna.
Trump dhe demokratët në Kongres janë në një rrugë pa krye, pasi presidenti amerikan po kërkon rreth 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën, duke e cilësuar atë një çështje të sigurisë kombëtare.
Demokratët po refuzojnë ta financojnë ndërtimin e murit, duke thënë se ai është i panevojshëm dhe ka mënyra të tjera që ofron teknologjia e re të cilat janë më pak të kushtueshme dhe që do ta siguronin kufirin. Ata po e akuzojnë Trumpin për ekzagjerimin e frikës ndaj emigracioni.
SHIKONI EDHE: Kriza rreth murit në SHBAGjatë vizitës në kufi, Trump u shpreh se ka një krizë me trafikimin e drogës dhe krimit.
"Ne do të kemi një fitore, do të bëjmë një kompromis - sepse mendoj se një kompromis është një fitore për të gjithë - ose unë do të deklaroj një emergjencë kombëtare", tha Trump.
Mediat kanë raportuar se Trump është duke u konsultuar me avokatët e Shtëpisë së Bardhë, lidhur me ligjshmërinë e përdorimit të kompetencave presidenciale, për të ndërmarrë veprime të njëanshme për të ndërtuar murin.
Një shpallje e mundshme e emergjencës kombëtare, i mundëson presidentit të sigurojë paratë për ndërtimin e murit, pa miratimin e Kongresit.
Por, kjo lëvizje do të ishte shumë e diskutueshme, pasi ajo do të anashkalonte rregullat kushtetuese që i japin Kongresit kontrollin e vendimeve të shpenzimeve.
Kryesuesja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e akuzoi presidentin Trump për lojëra politike.
Të enjten, senatori demokrat, Chuck Schumer dhe kryesuesja Pelosi, shkuan në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me presidentin mundësinë e hapjes së Qeverisë dhe gjetjes së një zgjidhjeje.
Trump ishte larguar nga kjo mbledhje, pasi Pelosi kishte refuzuar sërish që të mbështeste financimin e murit.
“Sapo u largova nga takimi me Chuck dhe Nancy, një humbje totale e kohës”, shkroi më pas Trump në llogarinë e tij në rrjetin social, Twitter.
Udhëheqësit demokratë deklaruan pas këtij takimi jo të zakonshëm se “presidenti doli nga takimi sepse nuk mori atë që dëshironte dhe se vendimi i tij është mbi baza emocionale”.
Ndërtimi i murit me Meksikën ka qenë njëra ndër premtimet kryesore të presidentit Trumpit gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet presidenciale më 2016.
Ditë më parë, teksa i ishte drejtuar kombit nga Zyra Ovale, presidenti Trump përshkroi detaje të tmerrshme të krimeve të cilat , sipas tij, i bëjnë migrantët e paligjshëm që kalojnë kufirin me Meksikën dhe hyjnë në SHBA.