Tri raste të reja të prekura me virusin HIV/AIDS, janë diagnostikuar gjatë këtij viti në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Janë gjithsej mbi 30 raste me të prekur me këtë virus në Kosovë. Të prekurit nga ky virus, terapinë e marrin në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Kosova hyn në vendet me përqindje të ulët të personave të prekur nga virusi HIV/AIDS.
Në aspektin global, gjatë vitit të kaluar, nga virusi HIV-AIDS-it kanë vdekur rreth një milion njerëz. Ekspertët parashikojnë që deri në vitin 2030, me virusin HIV do të infektohen rreth 100 milionë njerëz në botë.
Në Kosovë që prej diagnostikimit të rastit të parë, kanë vdekur rreth 50 persona.
Megjithatë Alban Gjonbalaj, udhëheqës i Asociacionit Kosovar të Personave që jetojnë me HIV në Kosovë, thotë se situata e të prekurve me virusin e HIV, po përmirësohet ndër vite.
Ai përmend edhe një lajm të mirë për kosovarët, duke potencuar faktin se analizat laboratorike që janë dërguar me vite në Francë për diagnostikim të virusit, tashmë po kryhen në Kosovë.
“Në Kosovë situata është në përmirësim e sipër. Analizat laboratorike po bëhen në këtu, e që më herët i kemi dërguar në Francë. Terapia është në përmirësim e sipër dhe pritet që numri i barnave të rritet në mënyrë që të jenë në dispozicion për pacientët. Raste të reja ka, ndonëse nuk ka shumë. Është një vazhdimësi e trendit, e që janë 1 deri në 3 persona të rinj që diagnostikohen në vit në Kosovë”, tha Gjonbalaj.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndonëse ka terapi retroviale, e që shërben për trajtimin e personave të prekur me HIV, mangësi mbetet te terapia për fëmijët.
Izet Sadiku infektolog, i tha Radios Evropa e Lirë se janë tre fëmijë në Kosovë që janë paraqitur për terapi, por ajo mungon. Dy prej tyre, tashmë janë larguar nga Kosova.
“Kosova vazhdon të jetë në grupin e shteteve që bën pjesë me prevalencë të ulët, përkundër asaj që vërehet një tendencë e shtimit të numrit. Prej vitit 2000 ka filluar të shtohet numri i të diagnostikuarve, ku këtë vit janë 3 raste të reja”.
“Sa i përket terapisë, të gjithë ata që vlerësohen se duhet të marrin, e kanë në Klinikën Infektive falas, dhe gjatë gjithë kohës klinika ka qenë e furnizuar. Një problem që po na përcjell prej vitesh është mungesa e terapisë për fëmijë, e që mungon”, tha Sadiku.
“Kanë qenë dy fëmijë që janë diagnostikuar në Klinikën Infektive, por që ata tash jetojnë jashtë Kosovës dhe atje e marrin terapinë. Ndërkaq, këtë vit është diagnostikuar edhe një fëmijë, por që pesha trupore atë e lejon të merr terapi retrovirale, pra terapinë e të rriturve, dhe ai ka vazhduar të trajtohet”, theksoi Sadiku.
SHIKONI EDHE: Ngurimi për t'u testuar për HIV/AIDSNga viti 1986, kur ishte identifikuar rasti i parë në Kosovë , sipas shënimeve të Klinikës, me virusin HIV/AIDS, janë infektuar mbi 100 persona.
Sidoqoftë një nga donacionet e mëdha që ka mbështetur sistemin shëndetësor në Kosovë ndër vite është edhe Fondi Global, ku fokusi ka qenë në parandalimin si dhe trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS, dhe tuberkuloz. Për këto sëmundje ndahen çdo pesë vjet nga 5 milionë euro.