Ndërlidhjet

Paragjykimi dhe margjinalizimi i të prekurve me HIV/AIDS në Kosovë 


Shënimi i Ditës Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS në Kosovë, 1 dhjetor 2015
Shënimi i Ditës Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS në Kosovë, 1 dhjetor 2015

Kosova radhitet në mesin e vendeve me numrin më të vogël të rasteve me HIV/AIDS, megjithëse ekspertët shëndetësorë thonë se kultura dhe vetëdijësimi i ulët kanë bërë që një numër i të prekurve të refuzojnë edhe fillimin e trajtimit mjekësor.

Një prej atyre personave që janë prekur vite më parë me virusin flet për vështirësitë me të cilat përballet në një shoqëri thellësisht të mbyllur. Thotë se të tjerët e kanë shumë të vështirë të binden se janë prekur me këtë virus.

"Personat po largohen nga mundësia e marrjes së terapisë, pasi nuk po e pranojnë që tashmë janë prekur me virusin HIV. Është problem t'u ndihmosh, kur ata i shmangen një ndihme të tillë dhe margjinalizohen. Andaj duhet të punohet në vetëdijësim", thotë ai.

Ky është rrëfimi i një qytetari të Kosovës, i prekur nga virusi HIV/AIDS, që në kushte anonimiteti foli për Radion Evropa e Lirë në Ditën Botërore të kësaj sëmundjeje.

"Personat që jetojnë me HIV kanë mundësi më të mira tash, pasi ka terapi dhe ka tre vjet që nuk është ndërprerë me furnizim. Mendoj se nëse shkojmë sipas këtyre parametrave, personave që jetojnë me HIV në Kosovë, po u përmirësohet jeta", thotë ai.

Të paktën 10 persona në Kosovë, këtë vit, janë identifikuar si të prekur me virusin HIV/AIDS, derisa një ka vdekur, kanë bërë të ditur zyrtarë shëndetësorë.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, që nga rasti i parë i prekur me virusin HIV/AIDS në Kosovë, në vitin 1986, deri më tani janë infektuar 110 persona. Prej tyre, 67 janë me AIDS dhe 43 me HIV infeksion, derisa 44 deri tani kanë vdekur.

Në Klinikën Infektive janë gjithsej 25 persona të cilët marrin terapinë dhe të cilët janë nën kujdesin e kësaj klinike.

Murat Mehmeti, infektolog, ka thënë se ka edhe të tillë që pas testeve pozitive me virusin HIV, nuk janë bindur të futen në terapi.

"Ne i kemi 25 raste nën trajtim dhe 8 persona të testuar dhe rezultuar pozitiv me HIV nuk i kemi nën trajtim. Ne iu kemi ofruar trajtim dhe terapi falas, por për arsye të ndryshme kanë hezituar. Shpresoj që do të binden dhe do të fillojnë me terapi", ka thënë Mehmeti.

Për trajtimin e personave të prekur me virusin HIV/AIDS, autoritetet kompetente në Kosovë pohojnë se e kanë bërë furnizimin me terapi të nevojshme për personat e rritur që jetojnë me HIV, por terapia e nevojshme për fëmijët që bartin këtë virus, mungon.

Izet Sadiku, zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se terapia për të rritur është siguruar mjaftueshëm edhe për vitin e ardhshëm.

"Prevalenca e virusit HIV është mbajtur e ulët në Kosovë dhe jemi me numrin më të vogël në Evropë dhe botë. Ne kemi arritur që nga viti 2005 të sigurojmë terapinë antoretrovirale. Dhe ky furnizim ka vazhduar."

"Edhe laboratori ekziston në Kosovë, që bën identifikimin dhe përcjelljen e gjendjes së personave që jetojnë me HIV", ka thënë Sadiku.

Përfaqësues të zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë konsiderojnë se Kosova karakterizohet me një shkallë të ulët të rasteve me HIV/AIDS dhe hyn në kategorinë e vendeve me përhapje të ulët. Skender Syla, udhëheqës i kësaj organizate në Kosovë, ka thënë se rreth 37 milionë njerëz jetonin me HIV në fundvitin e 2015-tës, derisa raporti vë në pah se 18 milionë njerëz aktualisht janë duke marrë terapi antiretrovirale.(REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG