A janë shkelje penale thirrjet për braktisje të islamit?

Minarja e një xhamie në një fshat në Kosovë - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Nismëtarët e së ashtuquajturës Lëvizje për braktisjen e fesë islame thonë se janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo ftese të Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila tashmë ka
nisur hetimet për të parë nëse deklaratat e tyre përmbajnë elemente të veprës
penale: nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit fetar.

Por, deri më tani, një ftesë e tillë nuk ka shkuar në adresën e kësaj lëvizjeje.

Formimi i Këshillit Iniciues të Lëvizjes për braktisjen e fesë islame u bë në një tubim publik në Deçan - pjesa perëndimore e Kosovës - më 20 tetor.

Në tubimin me moton “Të jemi vetëm shqiptarë” morën pjesë disa dhjetëra veta.

“Përfunduam me fenë islame, nuk jemi më në atë drejtim dhe ne duhet ta flasim paq [troç] këtë”, tha me atë rast Vesel Lekaj, një prej nismëtarëve të lëvizjes në fjalë.

Ne jemi shtet sekular, nuk jemi shtet islamik dhe as teokraci".

Lëvizja nxiti reagimin e përfaqësuesve të Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët thanë se është “në dëm të qytetarëve të Kosovës”.

Sipas Këshillit të BIK-ut në Deçan, nismëtarët e Lëvizjes për braktisjen e fesë islame bënë deklarata me “elemente përçarëse” dhe “nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe të mosdurimit fetar dhe njerëzor”.

Por, njohësit e çështjeve ligjore dhe të sociologjisë së religjionit thonë se deklaratat e tyre i shohin më shumë si shprehje e fjalës së lirë - e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Askush plotësisht i kënaqur me Projektligjin për lirinë fetare 

Prokuroria “analizon” fjalimet

Më 26 tetor, Prokuroria Themelore e Pejës, e cila mbulon edhe komunën e Deçanit, nisi hetimin e deklaratave publike të nismëtarëve të Lëvizjes për braktisjen e fesë islame, konfirmon për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

“Të gjitha ato deklarata po analizohen. Pra, ku qëndron qëllimi i tyre dhe njëkohësisht [të shihet] nëse ka elemente të veprës penale në përmbajtjen e tyre. Në rast se ka elemente të veprës penale, atëherë bie ndesh me Kodin Penal... përkatësisht [ka] nxitje të urrejtjes apo mosdurimit fetar”, thotë Nikçi.

Lekaj, nga Lëvizja për braktisjen e fesë islame, e sheh si gjë “normale” nisjen e hetimeve nga prokuroria.

“Ne do të përgjigjemi atje [nëse ftohemi për intervistim]. Ne jemi shtet sekular, nuk jemi shtet islamik dhe as teokraci. Ne u qëndrojmë fjalëve tona në deklarimet vullnetare që i kemi bërë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

...që identiteti ynë kombëtar të mos shndërrohet ose kthehet në identitet fetar".

Sipas tij, kjo lëvizje nuk është ndonjë organizim që u kundërvihet besimtarëve myslimanë. Ai thotë se vetë është pjesëtar i një familjeje myslimane, ashtu sikurse edhe shumica e nismëtarëve të lëvizjes.

Lëvizja është formë e reagimit demokratik dhe paqësor ndaj çdo ekstremizmi fetar, përfshirë edhe atë islam, i cili “në Kosovë po vepron tash e më shumë se dy dekada”, thotë Lekaj.

Ai nuk specifikon më shumë se kujt i referohet me “ekstremizmin fetar islam” në Kosovë, por thotë se as Bashkësia Islame e Kosovës, as autoritetet shtetërore nuk kanë bërë dhe nuk po bëjnë mjaftueshëm për parandalimin e tij.

“Ne, në shenjë të pakënaqësisë ndaj këtij fenomeni, pra të ekstremit dhe islamit politik - por, edhe ndaj ekstremit ortodoks serb - kemi marrë një masë... në drejtimin që ta ndalojmë atë, të mos dukemi se po rrëshqasim për çdo ditë e më shumë... dhe që identiteti ynë kombëtar të mos shndërrohet ose kthehet në identitet fetar”, thotë Lekaj.

Ai shton se nisma për Lëvizjen e braktisjes së fesë islame është ende në fazën konsultative dhe se nuk ka ende platformë të formësuar mbi bazën e së cilës do të veprojë.

Sipas nismëtarëve të saj, lëvizja do të jetë e hapur për të gjithë ata që konsiderojnë se mund t’i bashkohen.

Në bazë të asaj që kemi dëgjuar dhe parë, dyshoj nëse kjo mund të konsiderohet gjuhë e urrejtjes..."

Por, nga Bashkësia Islame e Kosovës thonë se ajo i dëmton interesat e vendit.

Në një intervistë të publikuar në profilin e BIK-ut në Facebook, kreu i kësaj bashkësie, myftiu Naim Tërnava, i cilëson nismëtarët e kësaj lëvizjeje si “mbetje e sistemit komunist-ateist”.

Ai thotë se besimi ose feja, në përgjithësi, kanë qenë “motiv për atdhedashuri”.

“Besimtari i mirë, edhe nëse nuk dëshiron, çare nuk ka pa qenë atdhetar i mirë”, thotë Tërnava, duke theksuar “kontributin e BIK-ut në rezistencën popullore ndaj regjimit të Serbisë, gjatë viteve ‘90”.

A ka “bazë” për vepër penale?

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, që monitoron institucionet e drejtësisë në vend, thotë se, tash për tash, nuk mund të dihet nëse Lëvizja për braktisjen e fesë islame ka ndonjë prapavijë përtej asaj që kanë deklaruar vetë nismëtarët e saj.

"...përfundimisht, kjo nuk është lëvizje kundër fesë. Kjo nuk është lëvizje as kundër islamit, sepse të gjithë ata njerëz - të paktën një pjesë e tyre që i njoh, e ma merr mendja që janë shumica - janë me sfond familjar të besimit islam

Prokuroria, sipas tij, duhet t’i sqarojë dyshimet eventuale dhe të dalë me përfundime, të cilat duhet të pranohen nga publiku.

“Në bazë të asaj që kemi dëgjuar dhe parë, dyshoj nëse kjo mund të konsiderohet gjuhë e urrejtjes, me vetë faktin që grupi nismëtar e ka përcaktuar në mënyrë publike se kjo [braktisja e fesë islame] mund të bëhet në baza vullnetare dhe assesi përmes shtytjes, përmes kërcënimit apo formave tjera, të cilat mund ta ndryshojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Për sociologun e religjionit në Kosovë, Ismail Hasani, ajo që po ndodh lidhur me nismën e Lëvizjes për braktisjen e fesë islame, “është situatë tragjikomike”.

Ai thotë se braktisja individuale ose familjare e një religjioni, është e drejtë legjitime e secilit njeri apo familje. Por, sipas tij, historia nuk njeh braktisje kolektive të një religjioni dhe as thirrje për një gjë të tillë.

Ai dyshon se nisma për lëvizjen është serioze, ngjashëm si edhe “zelli i prokurorisë për ta hetuar” rastin.

“Çka mund të fshihet prapa kësaj? Absolutisht asgjë, pikërisht për faktin se është një grup i njerëzve, të cilët, të frustruar nga gjendja, të pakënaqur me lëvizjet e përgjithshme shoqërore, të paorientuar mirë dhe drejt me vlerat fundamentale të shoqërisë njerëzore, bëjnë një ftesë, e cila vërtet nuk ka asnjë kuptim”, thotë Hasani.

Ai shton se mënyra se si është paraqitur kjo lëvizje, është jonormale dhe jo e zakonshme.

“... por, përfundimisht, kjo nuk është lëvizje kundër fesë. Kjo nuk është lëvizje as kundër islamit, sepse të gjithë ata njerëz - të paktën një pjesë e tyre që i njoh, e ma merr mendja që janë shumica - janë me sfond familjar të besimit islam”, thotë Hasani.

Në Kosovë, mbi 95 për qind e popullsisë 1.7 milionëshe deklarohen myslimanë, mbi 2 për qind katolikë dhe më pak se 2 për qind ortodoksë.

Në raportin e vitit të kaluar të Departamentit amerikan të Shtetit për liritë fetare thuhet se Kushtetuta e Kosovës ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërhiqet vërejtja se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridikë - gjë që krijon pengesa për to në kryerjen e punëve të tyre.

SHIKONI EDHE: Raporti i DASH-it mbi liritë fetare: Kosova e Shqipëria me probleme të trashëguara

Sipas këtij raporti, Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se raportet e mediave e kanë portretizuar komunitetin e saj negativisht, duke kontribuar në një klimë të jotolerancës dhe diskriminimit.