Thaçit i kërkohet “llogari” për angazhimin e tij për marrëveshje me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të jetë i vetmi nga udhëheqësit e institucioneve, që po angazhohet në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve me Serbinë. Së fundi, ai po zhvillon edhe një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka deklaruar se Kosovës i duhet një marrëveshje paqeje me Serbinë dhe për këtë qëllim, ai tha se ka marrë edhe mbështetjen e zyrtarëve të lartë amerikanë.

Por, ndërsa Thaçi po angazhohet në drejtim të gjetjes së një marrëveshjeje me Serbinë, Qeveria dhe opozita në Prishtinë nuk janë aktive në procesin e bisedimeve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në disa raste se e mbështetë dialogun dhe arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, por në asnjë formë, siç është shprehur ai, nuk do të mbështeste një proces negociatash që do të hapte për bisedime dhe marrëveshje eventuale, çështjen e kufijve të Kosovës.

Ndërkohë, dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje i bëjnë thirrje presidentit Hashim Thaçi, që të mos i vazhdojë përpjekjet për ndryshimin e kufijve dhe për këtë çështje të mos kërkojë as përkrahjen e faktorit ndërkombëtar.

SHIKONI EDHE: Haradinaj i ka paraqitur Thaçit qëndrimin kundër ndryshimit të kufirit

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje thonë se në asnjë rast nuk do të pranojnë e as nuk do ta miratojnë në Kuvendin e Kosovës një marrëveshje finale në rast se bëhet fjalë për ndryshimin e kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë, se është e qartë se presidenti Thaçi po mundohet në vazhdimësi që idenë e tij për shkëmbim të territorit ta vazhdojë tutje. Por, sipas saj, shumica e subjekteve politike po vazhdojnë ta kundërshtojmë fuqishëm idenë e tij të rrezikshme.

"Ne nuk kemi informacion se çfarë, ky person, po bën në këto takime apo për çfarë marrëveshje po flet, vetëm ajo çka mund të deklarojmë ne është që ky nuk guxon dhe nuk e ka mandatin as kushtetues, dhe as atë nga Kuvendi, për të nënshkruar çfarëdo marrëveshje për Republikën e Kosovës. Edhe po flas, në parim, çfarëdo marrëveshje, e sidomos duke pasur parasysh ndonjë marrëveshje që është në kundërshtim me interesat e republikës dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve", tha Haxhiu.

Për idenë, siç e quan ajo " të rrezikshme", Thaçi, nënvizon Haxhiu, po tenton që të sigurojë përkrahje edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe shtetet e Bashkimit Evropian.

"Ne do të punojmë dhe do të angazhohemi për ta ndalur Hashim Thaçin. Ne si Vetëvendosje do të veprojmë varësisht prej rrethanave, në kohën kur ne shohim që ka rrezik potencial për nënshkrimin e një marrëveshje, sigurisht që do të veprojmë, qoftë përmes Kuvendit, qoftë protestave dhe organizimeve qytetare", theksoi Haxhiu.

Edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se udhëheqësit e institucioneve të Kosovës po tregohen të papërgjegjshëm karshi zhvillimeve në vend. Zyrtarë të LDK-së thanë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është i vetëm në idenë e tij për ndryshimin e kufirit. Sipas LDK-së, është e papranueshme që për efekte populiste, të rrezikohet integriteti territorial dhe ushtrimi i pushtetit në tërë territorin e vendit.

SHIKONI EDHE: Kontestohet roli prijës i Thaçit në dialogun me Serbinë

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se është qëndrim zyrtar i Lidhjes Demokratike që presidenti Thaçi po merr pjesë në këto takime ku po diskuton rreth ndryshimeve të mundshme të kufijve të Republikës së Kosovës, pa mandat dhe pa platformë të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

"Unë dua t’ju rikujtoj edhe një herë që LDK-ja qëndron prapa qëndrimit të saj, që akti i shpalljes së Pavarësisë në vitin 2018, është i pakthyeshëm dhe i padiskutueshëm, siç janë të pakthyeshme dhe të padiskutueshme sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri bashkues i shtetit të Kosovës, i cili është i përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, andaj në këtë drejtim ne kërkojmë përgjegjësi nga presidenti, nga ekzekutivi i vendit dhe të gjitha institucionet e Kosovës", theksoi Mustafa.

Ai tha, po ashtu, se ende nuk dihet se për çfarë çështjesh presidenti Thaçi flet në takimet në Bruksel, cilat janë planet e tij. Megjithatë, shtoi Mustafa, gjithçka duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës.

"Para se të flasë presidenti në Kuvendin e Republikës së Kosovës, presidenti Kosovës, kryesisht, dhe veçanërisht ekzekutivi i vendit e ka mandatin për të biseduar rreth këtyre diskutimeve ose marrëveshjeve ndërkombëtare. Dhe, kushdo qoftë ai, ekzekutivi apo qoftë edhe presidenti Thaçi, një mandat të tillë mund ta marrë vetëm e vetëm përmes një miratimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, pra para se të diskutohet për këto, duhet të merret një miratim nga Kuvendi i Kosovës", u shpreh Mustafa.

Aktualisht, procesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel është ndërprerë, pasi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë me dije se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve përderisa Qeveria e Kosovës të mos e shfuqizojë tarifën doganore 100 për qind ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja.

Por, pavarësisht se bisedimet në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian nuk po vazhdojnë aktualisht, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka prezantuar aktivitetin e tij diplomatik kryesisht në funksion të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, e cila sipas tij, do t’i siguronte Kosovës njohje nga shteti serb dhe ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sidoqoftë, për këtë proces negociatash, Kuvendi i Kosovës deri më tani nuk ka hapur një debat me presidentin Thaçi.