Thaçi: SHBA-ja dhe BE-ja mbështesin arritjen e marrëveshjes Kosovë - Serbi 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka mbështetjen e gjerë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto komente, Thaçi i bëri gjatë një konference për media në Prishtinë, pas kthimit nga Nju Jorku, ku kishte qëndruar disa ditë dhe kishte zhvilluar disa takime, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Thaçi tha se ka një pajtim të plotë në qëndrimet e Uashingtonit dhe Brukselit për një marrëveshje paqësore me Serbinë.

“Një marrëveshje paqësore, që garanton stabilitet dhe perspektivë evropiane. Marrëveshje që ruan dhe promovon multi-etnicitetin në Kosovë dhe që e afron Kosovën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha Thaçi.

“Është konkludim i përbashkët se status-quoja e tashme është e paqëndrueshme”, nënvizoi Thaçi.

SHIKONI EDHE: Kush dha ‘dritën e gjelbër’ për idenë e ndryshimit të kufijve?

Marrëveshja me Serbinë, sipas Thaçit, do të garantojë njohjen reciproke, demarkacionin e kufirit dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“As shkëmbim, as ndarje dhe as Asociacion me elemente konstitutive”, tha Thaçi, në lidhje me marrëveshjen që synon ta arrijë me Serbinë.

Ai tha po ashtu se në takimet e shumta që ka zhvilluar me zyrtarët e lartë të SHBA-së dhe BE-së ka prezantuar vullnetin politik të liderëve nga komunat, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc për bashkimin e këtyre komunave me Kosovën.

SHIKONI EDHE: Përfaqësuesit e Luginës kërkojnë rezolutë për bashkim me Kosovën

Sipas presidentit Thaçi, ideja që komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc t’i bashkohen Kosovës, nuk nënkupton shkëmbim të kësaj pjese me pjesë të territoreve të Kosovës.

Ai tha se kur është në pyetje vullneti politik i shqiptarëve të këtyre tri komunave, përfshirja e tyre brenda territorit të Kosovës mund të bëhet përmes demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nga aspekti i brendshëm politik, Thaçi ftoi sërish opozitën që të përfshihet në dialog. Ndërkaq në lidhje me kundërshtimet e vazhdueshme që opozita i bën mandatit të tij për udhëheqjen e dialogut, Thaçi tha se ai ka mandat kushtetues dhe nuk do të zmbrapset nga ky mandat.

Ai tha se ka marrë porosi shumë të qarta nga zyrtarët e lartë të BE-së, të cilët po ashtu kanë qëndruar këto ditë në Nju Jork se Kosovës i nevojitet një unitet politik për disa nga çështjet kryesore politike, përfshi këtu edhe liberalizimin e vizave.

Thaçi tha se për liberalizimin e vizave, partitë politike nuk duhet të paraqesin mendime të ndryshme para BE-së, por duhet të dalin me qëndrim unik që Kosova i ka përmbushur kriteret, në mënyrë që procesi të mos rrezikohet edhe për dy apo tri vjet tjera.

“Është koha e fundit që të jemi një dhe unik për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Liberalizimi i vizave është meritë e gjithë spektrit politik dhe se nga ky proces nuk do të mund të përfitojë askush”, theksoi Thaçi.

Po ashtu, presidenti Thaçi u shpreh i bindur se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura po hyn në fazën e fundit. Sipas tij, aktualisht Kosova ka mbështetjen e NATO-s dhe SHBA-së, që pas miratimit të tri ligjeve përkatëse, FSK të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Jam i sigurt që Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë krenaria jonë dhe kontribuuese të paqes në Kosovë dhe rajon”, tha Thaçi. Ai i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës që të procedojë me miratimin e tri projektligjeve për FSK-në, të cilat tashmë të hartuara nga Qeveria e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Nuk ka Ushtri të Kosovës pa ndryshime kushtetuese

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Thaçi tha se ka zhvilluar takime të shumta në kërkim të sigurimit të mbështetjes për anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Policisë Ndërkombëtare - INTERPOL.

Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, theksoi Thaçi, do të rrisë efikasitetin e organeve të sigurisë në luftimin e të gjitha dukurive negative, terrorizmit, kontrabandës dhe të gjitha llojeve të krimeve.