Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, ka zhvilluar të hënën takimin e parë me presidentin Hashim Thaçi, që prej se është zgjedhur kryeministër.
Ky takim po ashtu u zhvillua në ditën kur i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pritej të vizitonte Prishtinën. Megjithatë, Lajçak nuk erdhi në Prishtinë, pasi fluturimi nga Zvicra për në Shqipëri, u anulua.
Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti në konferenca të ndara për media thanë se janë takuar për t’u dakorduar pos tjerash në lidhje me hapat që do të ndërmerren për rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ditët në vazhdim janë të rëndësishme për vendin dhe Ballkanin Perëndimor, kur pritet hapja e proceseve konkrete nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogu, Richard Grenell dhe vizita e të dërguarit të BE-së, Mirosllav Lajçak.
Thaçi theksoi se bashkë me kryeministrin, kuvendin dhe partitë politike do të punohet që të arrihen suksese në procesin e dialogut Kosovës-Serbi.
SHIKONI EDHE: Osmani: Kuvendi do të ketë rol mbikëqyrës në procesin e dialogutAi tha se ajo çka dëshiron Kosova në këtë proces është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
"Në këtë drejtim gjithçka është qartë do të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe do të punohet ngushtë me gjithë spektrin politik, në mënyrë që ta përmbyllë tërë këtë proces jo të lehtë, por me vullnet, besim dhe vizion të qartë se duhet të mbyllet me njohje reciproke të kemi një përshpejtim edhe të procesit edhe për anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtarë edhe në OKB, NATO dhe Bashkimin Evropian", tha Thaçi.
Negociatat nuk janë vetëm të qeverisë dhe presidentit
Kryeministri Hoti tha se presidentin Thaçi e ka njoftuar me platformën e qeverisë për vazhdimin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
"Platformën që e kemi për dialog, e kemi bërë publike në një tryezë të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Atë qëndrim sot e prezantova para presidentit dhe kërkova që plotësisht të koordinohemi në këtë proces të rëndësishëm që nuk është vetëm i kësaj qeverie, por është i të gjitha partive politike dhe gjithë qytetarëve të Kosovës", tha Hoti.
Ai shprehu gatishmërinë që brenda spektrit politik, për dialogun me Serbinë të ndërtojë një unitet, që në fazën e fundit të dialogut të shkohet bashkë në bisedime.
SHIKONI EDHE: Opozita e pabindur për pjesëmarrje në dialogHoti foli edhe për kompetencat e udhëheqjes së dialogut me Serbinë, duke theksuar se “kompetencat e presidentit dhe të kryeministrit në këtë proces janë qartësuara nga Kushtetuta”.
Për dialogun, kryeministri Hoti tha se do të konsultohet edhe me anëtarët e shoqërisë civile.
"Unë do të mundohem të krijoj një konsensus të gjerë mes forcave politike dhe me udhëheqësit e tjerë të institucioneve të Kosovës për një proces që është tepër i rëndësishme. Pas 30 vjetëve, ne tani jemi në pikën kur duhet të përmbyllim përfundimisht dhe të konsolidojmë shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Është tepër me rëndësi që të jemi bashkë në këtë proces", tha Hoti.
SHIKONI EDHE: Hoti prezanton kornizën e dialogut Kosovë – SerbiHoti përmendi edhe vizitën e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak. Nga ana tjetër, presidenti Thaçi tha se nuk është i njoftuar fare me agjendën e zotit Lajçak.
Thaçi: Kosovës i duhet liberalizimi i vizave, jo fjalët e kota
Në këtë drejtim, Thaçi tha se Lajçak duhet ta kuptojë se Kosova është e pavarur dhe çdo qasje tjetër do të dështojë.
“Lajçak duhet ta kuptojë se Kosova është e pavarur dhe sovrane. Nëse vjen me këtë objektiv dhe me këtë qasje që duhet të përmbyllet ky proces me njohje reciproke, është shumë i mirëseardhur. Çdo qasje tjetër, është, lirisht mund të them, e dështimit të plotë të tij në Kosovë dhe vetë Bashkimit Evropian. Para se gjithash Lajçak duhet ta kuptojë që qytetarët e Kosovës kanë nevojë për liberalizimi i vizave dhe jo për fjalime të thata, kote dhe shterpe", tha Thaçi.
Presidenti Thaçi në vazhdimësi është deklaruar që SHBA-ja duhet të ketë rolin udhëheqës për arritjen e një marrëveshjeje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Emini: Kosova nuk mundet pa SHBA-në dhe BE-në
Njohësja e zhvillimeve politike, Donika Emini, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nuk duhet refuzuar asnjë nga faktorët ndërkombëtarë të përfshirë në procesin e dialogut, deri sa siç thotë ajo, nuk dihet se cilat janë ofertat e tyre për marrëveshje.
"Të bësh ndarje në mes të dy partnerëve strategjikë perëndimorë, pa të cilët gjithsesi nuk do të mund të ishim këtu ku jemi, është shumë problematike. Kjo çon mesazh që jemi të papjekur politikisht. Nëse nuk mund të kishte një qeveri në linjë me presidentin për katër vjetët e kaluara, atëherë tregon se ne përveç se nuk dimë çka duam nga ky proces, tregon se nuk jemi të gatshëm politikisht të hymë një procesi kaq vendimtar për të ardhmen e Kosovës si dialogu me Serbinë", tha Emini.
SHIKONI EDHE: Drejt dialogut ‘pa krye’ apo marrëveshjes së paqes?Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, këtë javë është paraparë të nisë vizitën e tij në Kosovë dhe do qëndrojë deri të enjten më 18 qershor. Ai pritet të takohet me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe liderët e partive politike, por edhe me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.
Kjo është vizita e parë e Lajçakut në Kosovë, prej emërimit të tij si emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Ndërkohë kjo masë u zëvendësua me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për, siç është shprehur Hoti, heqjen e të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.