Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta se sa është numri i personave të ardhur nga Shqipëria, të cilat kanë hyrë në territorin e Kosovës, pas tërmetit që la të vdekur rreth 50 njerëz.
Autoritetet e Kosovës, por edhe organizime të ndryshme, kanë ndërmarrë nisma të ndryshme për t'u dalë në ndihmë banorëve të prekur nga termëni në Shqipëri.
Tashmë dihet se një numër i konsiderueshëm i njerëzve nga zonat e prekura nga tërmeti, kanë hyrë në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Shqipëria shënoi 107 vjet shtetësi nën ankthin e tërmeteveKryeministri në detyrë i Kosovë, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se në Kosovë, kanë arritur mijëra persona nga Shqipëria, të cilët po evidentohen dhe po strehohen qoftë në baza individuale, qoftë në mënyrë të organizuar institucionale.
"Tashmë Kampi Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren është mbushur në të gjitha kapacitetet që ka dhe jemi duke u angazhuar në evidentimin e personave dhe ofrimin e strehimit", ka deklaruar Haradinaj.
*Video: Çifti nga Thumana mbetet pa shtëpi
Your browser doesn’t support HTML5
Ai ka thënë se angazhimi i institucioneve që nga dita e parë pas kësaj fatkeqësie, ka qenë institucional dhe i koordinuar dhe kësisoj, ka shtuar ai, duhet menaxhuar edhe veprimet vullnetmira të qytetarëve.
Fran Qaushi, nga Durrësi, qytet i prekur nga tërmeti, tha për Radion Evropa e Lirë, bashkë me familjen e tij ka ardhur në Kosovë.
"Unë kam ardhur me familjen këtu për arsye të fatkeqësisë së natyrës nga tërmeti që ra. Erdha me autobusët që erdhën te stadiumi ku ne ishim në çadra. Autobusët erdhën dhe na u bë thirrje kush ka dëshirën të vijë për Kosovë. Ne vendosëm të vijmë në Kosovë", tha Qaushi.
Edhe Natasha Mile, që vjen nga Durrësi, tregon se është e kënaqur nga mikpritja që i po i bëhet familjes së saj.
"Këtu janë organizuar hotelet dhe na thanë nëse doni të rrini në hotel, mund rrini në hotel, nëse keni ndonjë familje mund të shkoni. Nëse doni të shkoni në familje ne mund të organizojmë... do të thotë organizimi ishte i përsosur", tregon Mile.
Your browser doesn’t support HTML5
Zyrtarët në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thanë për Radion Evropa e Lirë se përmes pikave kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, deri tani nuk kanë ngritur ndonjë kontroll të veçantë evidentimi për të marrë informacione se ku shkojnë personat që hyjnë në Kosovë.
Nehat Koçinaj, zyrtar për marrëdhënie me publikun nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshëm, tha për Radion Evropa e Lirë, se deri tash të evidentuar janë 500 persona, të cilët janë të regjistruar në Prizren.
"Hyrjet apo numrin e personave që kanë hyrë në pikat doganore e që janë sistemuar në hotele ose në shtëpi private familjare, për momentin nuk e kemi. Në pikën doganore, hë për hë, nuk është ngritur si mekanizëm megjithëse do të ishte shumë më e qëlluar të ngrihet aty, por kjo qendër e pranimit në Prizren mund ta mbulojë ose ta luaj rolin pikës doganore", tha Koçinaj.
*Video:Familja nga Durrësi gjen strehim në Deçan
Your browser doesn’t support HTML5
Nga ana tjetër, autoritetet policore e doganore të Kosovës kanë thënë se vetëm gjatë ditës së enjte në Kosovë nga Shqipëria kanë hyrë 13,505 persona.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha për Radion Evropa e Lirë, se gjatë tri ditëve të fundit është shënuar rritje e kalimeve kufitare nga Shqipëria në drejtim të Kosovës, por edhe anasjelltas.
"Numri i autobusëve, të cilët kanë hyrë në tri pikëkalimet kufitare gjatë 24 orëve të fundit ka qenë 155, përderisa në dalje janë evidentuar 69. Ndërsa, në total numri i personave të kontrolluar në hyrje gjatë 24 orëve të fundit në këto tri pikëkalime kufitare ka qenë 13,505 persona. Përderisa në dalje janë evidentuar 5,835 persona", tha Kelani.
Ai shpjegoi se gjatë kontrollit të dokumentacionit policia kufitare nuk ka bërë ndonjë evidentim në lidhje me personat që kanë hyrë në Kosovë, përkatësisht nëse ata u takojnë apo jo zonave të prekura nga tërmeti.
Kurse, në Prizren, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk dihet saktë se sa është numri i personave, të cilët janë duke u strehuar në këtë komunë, veç atyre që janë regjistruar në kampin e Inovativ Trajnues Kosovaro –Gjerman.
"Kemi 500 persona dhe nga mbrëmë kanë ardhur shumë persona. Do të thotë është mbushur kampi edhe pse është thënë se ka vend për 800, sipas analizës, ndërtesa i zë vetëm 500 persona dhe nuk është mirë që aty të vendosen persona të tjerë", deklaroi Haskuka.
Ai tha se është një numër i konsiderueshëm i personave që pritet të sistemohen.
"Në shtëpi janë mbi 200 persona, sipas disa evidencave dhe edhe nëse hotelet i marrin rreth 200, do të thotë edhe aty jemi duke dërguar. Tash do të caktojmë një numër telefoni ku mund të bëhet regjistrimi për të marrë shërbime shëndetësore dhe shërbime arsimore e sociale, edhe pastaj besoj se ata që regjistrohen në mënyrë vullnetare dhe në këtë mënyrë besoj se do ta dimë pastaj numrin e saktë persona janë në Prizren", tha Haskuka.
Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ftuar qytetarët të cilët duan të ofrojnë ndihmë me ushqime dhe materialet e tjera të nevojshme, t’i dërgojnë në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prizren dhe pastaj ato do të delegohen në mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluar në vendet ku ka nevojë.
Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6,4 ballësh të Rihterit njëherësh ishte më i fuqishmi në dekada që ka goditur Shqipërinë. Epiqendra e tij ishte në Detin Adriatik, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës.
Së paku 49 persona kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga tërmetet që goditën Shqipërinë që prej orëve të para të mëngjesit të së martës.