Përballë ofensivës diplomatike serbe për tërheqjen e njohjeve të Kosovës

Ilustrim

Përderisa Kosova po bëhet gati që muajin e ardhshëm të shënojë 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit, në anën tjetër Serbia ka paralajmëruar ofensivë diplomatike, jo vetëm për të bllokuar njohjet e reja të shtetit të Kosovës, por edhe për të siguruar tërheqjen e disa prej këtyre njohjeve.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e të drejtës ndërkombëtare vlerësojnë se ofensiva e diplomacisë serbe kundër shtetit të Kosovës dhe njohjeve të saj është zhvilluar në vazhdimësi, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, por se ajo tashmë është bërë më e dukshme dhe më e diskutueshme në media.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se veprimet Serbisë, janë krejtësisht në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Serbia, në hyrje të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për ta relativizuar këtë ngjarje, ka filluar një aksion edhe më të dendur - ndonëse, ajo nuk e ka ndalur asnjëherë, rreth kontestimit të njohjes së shtetësisë së Kosovës - si dhe të një lloj protagonizmi gjoja se Kosova është një çështje që i takon Serbisë dhe që kinse ajo ka në dorë edhe shtetet tjera për të tërhequr njohjet ndaj Kosovës”, tha Berisha.

“Natyrisht që kjo së pari është në kundërshtim të plotë me frymën e dialogut në Bruksel”, theksoi ai.

Ndërkaq, Afrim Hoti, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Serbia, në pamundësi të ndërhyrjeve faktike dhe të qeverisjes me Kosovën, ka pasur për objektiv që të pengoj dhe vendosë barriera të ndryshme në procesin e njohjeve për Kosovën.

“Kjo në masë të madhe mbase edhe është arritur, për faktin që, këto vitet e fundit, tregohet një rënie drastike e numrit të njohjeve dhe kjo rënie i ka bërë ata që të ndihen pak më të fuqishëm, duke luajtur edhe me lojëra shumë të ndyra burokratike, të cilat pothuajse janë edhe të panjohura në të drejtën ndërkombëtare”, vlerëson Hoti.

“Tash, jo vetëm që po bllokohet ecja më tutje e njohjeve për Kosovën, por disa shtete tashmë kanë filluar të tërheqin njohjet e tyre, një praktikë, e cila nuk është e njohur në të drejtën ndërkombëtare dhe që nuk ndodhë nga shtetet serioze dhe të konsoliduara”, tha Hoti.

Në anën tjetër, autoritetet në Serbi, kanë folur për indikacione të mundshme që Egjiptin mund ta shqyrtojë tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës.

Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Anton Berisha shpreh mendimin që, pavarësisht asaj që mund të thonë zyrtarët serbë, shtetet serioze, përfshirë edhe Egjiptin, nuk përfshihen në situata të tilla.

“Është një shtet serioz, i cili ka një traditë shtetërore dhe nuk besoj që Egjipti është një shtet marionetë, i cili, sa herë që zyrtarët serbë bëjnë ndonjë deklaratë, që ajo t’i obligojë ata ose që na obligon edhe ne. Unë besoj që ne do të vazhdojmë me ritmin tonë të përafrimit edhe me shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, në këtë rast edhe të Afrikës, pavarësisht qëndrimeve të Serbisë”, tha Berisha.

Ai ka shtuar se përkundër faktit që çdo njohje është e rëndësishme, për Kosovën mbetet e rëndësisë së veçantë arritja e njohjeve nga 5 vendet e Bashkimit Evropian, të cilat deri më tash nuk e kanë njohur.

Por, profesor Afrim Hoti thotë se zhvillimet e proceseve politike brenda Kosovës, si dhe politikat e jashtme të vendit, kanë lënë nën hije procesin e arritjes së njohjeve. Ndonëse sipas tij, nuk mund të thuhet që për shkak të krizave politike në vend, aleatët ndërkombëtarë kanë hequr dorë nga ndihma për arritjen e njohjeve për Kosovën, megjithatë, siç thotë ai, autoritetet e Kosovës nuk duhet të kenë iluzionin që për çështjen e njohjeve duhet të angazhohen vetëm aleatët.

“Nëse një politikë e jashtme e fuqishme e Kosovës ka munguar, që të paktën të bëj trysni ose eventualisht të mbajë vazhdimisht në kontakt miqtë tanë, duke u kërkuar që të shtrijnë dorën aty ku dora kosovare nuk mund të arrijë, atëherë është krejtësisht e natyrshme që edhe partnerët tanë strategjik, me njëfarë forme të pushojnë ose të ulin ritmin e ecjes përpara”, theksoi Hoti.

Sidoqoftë, për opinionin në Kosovë ende mbetet “mister” nëse Republika e Guinea-Bissau dhe Republika e Surinamit i kanë tërhequr ose jo njohjet e tyre ndaj Kosovës. Autoritetet e Beogradit e kanë pohuar një gjë të tillë, ndërkohë që autoritetet në Prishtinë, nuk kanë dhënë ndonjë konfirmim. Në listën e njohjeve të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës figurojnë 115 vende, përfshirë edhe këto dy shtete.