Tërheqja nga “Kosova e Re”, sinjal edhe për investitorët e huaj

Termocentrali "Kosova B"

Tërheqja e Bankës Botërore nga mbështetja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” ka krijuar një situatë te re në tregun e Kosovës, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Megjithatë, ata e shohin në mënyra të ndryshme çështjen e ndikimit të vendimit të Bankës Botërore në dekurajimin eventual të investitorëve të huaj.

Banka Botërore ka njoftuar javën e kaluar se nuk do ta mbështesë Termocentralin "Kosova e Re", të ndërtuar me thëngjill, mirëpo zyrtarë të kompanisë “Contour Global” dhe Qeveria e Kosovës kanë thënë se ky termocentral do të ndërtohet edhe pa mbështetjen e Bankës Botërore.

SHIKONI EDHE: ContourGlobal:“Kosova e Re” ndërtohet edhe pa mbështetjen e BB-së

Muhamet Mustafa, këshilltar i lartë në Institutin Riinvest, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se tërheqja e Bankës Botërore nga projekti “Kosova e Re “ është e befasishme në këtë fazë, dhe kjo, sipas tij, mund të ketë efekte negative tek investitorët e jashtëm.

Një nga ndikimet që mund të ketë mungesa e përkrahjes financiare nga Banka Botërore për kompaninë fituese, sipas Mustafës, është mundësia e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, pasi kompania fituese duhet të gjejë alternativa tjera për financim me norma më të larta të interesit.

*Video nga arkivi: Ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re"

Your browser doesn’t support HTML5

Ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re"

Rritja e çmimit të energjisë, nënvizon ai, do të mund të ndikonte në zhvillimin e veprimtarisë së bizneseve qoftë vendore apo ndërkombëtare.

“Tërheqja e Bankës Botërore do të hap çështje tjera, të cilat do të diskutohen. Por, se a do të ndikojë negativisht tek investitorët tjerë, sigurisht se tërheqja nuk është rrethanë pozitive, por më tepër do të ndikojë tërheqja e investimeve biznesore sesa e tërheqja e Bankës Botërore. Ndikimi te investitorët nuk mund të injorohet”, tha Mustafa.

Në anën tjetër, Lekë Musa ish- kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, se tërheqja e Bankës Botërore nga mbështetja për termocentralin “Kosova e Re” nuk duhet të ketë ndikim tek investitorët e huaj, pasi sipas tij, tërheqja ka ndodhur për arsye të vetë bankës dhe jo kompanisë fituese apo Qeverisë se Kosovës.

SHIKONI EDHE: OEAK: Ndërtimi i termocentralit "Kosova e Re", i domosdoshëm

I tërë projekti, por edhe zvarritja e fillimit të ndërtimit, thekson Musa, është realizuar sipas kërkesave të Bankës Botërore.

“Nuk do të ketë ndikim, pasi tërheqja e Bankës Botërore nuk është bërë për ndonjë arsye të klimës së biznesit në Kosovë apo aferave korruptive e çështje tjera të ndryshme, por tërheqja është për shkak të strategjisë se Bankës Botërore që mos të hyjë në projekte që shfrytëzimin e thëngjillit e kanë si lëndë djegëse”, tha Musa.

Investimet e huaja direkte vazhdimisht vlerësohen si të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës, por këto investime kanë shënuar rënie përgjatë viteve të fundit.

Në vitin 2008, investimet e huaja ishin 355 milionë euro, vitin e kaluar, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja ishin rreth 290 milionë apo 30 për qind më shumë se në vitin 2016. Kurse, në periudhën janar-maj të këtij viti, vlera e investimeve të realizuara është 76 milionë euro ose 34 për qind më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.