Përfaqësues të organizatës joqeveritare "Balkan Green Foundation", përmes një komunikate për media, bënë të ditur se Banka Botërore nuk do të mbështesë termocentralin "Kosova e Re".
Drejtori ekzekutiv i kësaj organizate, Visar Azemi, dhe Burim Ejupi nga Instituti për Politikat Zhvillimore (INDEP) po marrin pjesë në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në Bali të Indonezisë.
Në komunikatën dërguar mediave thuhet se gjatë një takimi me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, dhe presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim, diskutuan me shoqërinë civile një gamë të gjerë temash zhvillimore.
Visar Azemi, thuhet në komunikatë, i drejtoi pyetje z. Kim lidhur me qëndrimin e Bankës Botërore për mbështetjen e projektit me qymyr në Kosovë dhe Kim konfirmoi se "Banka Botërore ka marrë vendim të qartë për të mos e përkrahur termocentralin 'Kosova e Re'".
"Na kërkohet me aktet tona nënligjore të ndjekim opsionet me kosto më të ulët - meqë burimet alternative tani janë nën koston e qymyrit. Padyshim, nuk do ta mbështesim një projekt të tillë", citohet të ketë thënë Kim.
Lajmin se Banka Botërore nuk do ta mbështesë ndërtimin termocentralit "Kosova e Re" e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Nezir Sinani, drejtor në Bank Information Center Europe - organizatë joqeveritare që mbikëqyr punën e Bankës Botërore - me seli në Amsterdam.
“Banka Botërore sot zyrtarisht ka njoftuar që nuk do ta mbështesë financiarisht projektin 'Kosova e Re'. Njoftimi u dha nga presidenti i Bankës Botërore gjatë takimeve vjetore të bankës që po mbahen në Bali”, theskoi Sinani.
Në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtojë 1.3 miliard euro.