Watkins: Përmes tërheqjes, SHBA-ja e pranoi me vonesë se nuk i arriti qëllimet në Afganistan

Forcat amerikane, bashkë me forcat afgane të sigurisë, gjatë një operacioni më 2009. Foto nga arkivi.

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, ka qenë pranim me vonesë i paaftësisë për të arritur qëllimet fillestare, ka thënë Andrew Watkins, analist në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Watkins ka thënë se më 2009 ka qenë e qartë se lufta nuk mund të fitohej në Afganistan, mirëpo SHBA-së i është dashur shumë kohë për të marrë vendimin për t’u tërhequr.

Sipas tij, çelësi i suksesit të talibanëve, të cilët me shpejtësi po fitojnë kontrollin e territoreve në këtë vend, është dobësia dhe përçarjet mes autoriteteve afgane.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti amerikan, Joe Biden ka urdhëruar që trupat amerikane të tërhiqen nga Afganistani deri më 11 shtator, njëherësh 20-vjetori i sulmeve terroriste të Al-Kaidës, që ka nxitur më pas pushtimin e Afganistanit. Ky largim ndodh në kohën kur talibanët janë duke e marrë kontrollin e disa territoreve nga forcat qeveritare. Gjenerali amerikan në Afganistan, Austin Miller, ka paralajmëruar se ky shtet mund të përballet me luftë civile. Çfarë qëndron pas suksesit të talibanëve, vakumi i krijuar pas tërheqjes së trupave amerikane, forcimi i vetë talibanëve, ndasitë politike në këtë shtet apo mbështetja që gëzojnë talibanët në zonat rurale?

Andrew Watkins: Ky është një prezentim i mirë dhe pyetja juaj i vë në pah disa faktorë që janë duke pasur rol në fitoret e talibanëve. Përtej gjithçkaje tjetër, ne duhet të përmendim fitoret e talibanëve në fushëbetejë, të cilat janë edhe produkt i dobësisë qeveritare, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe atë politik, por dhe ndryshimit të madh të talibanëve.

SHIKONI EDHE: Afganistani drejt krizës humanitare

Talibanët janë duke bërë atë që kanë qenë duke bërë për dy dekada dhe është e vërtetë se Shtetet e Bashkuara patën përshkallëzuar fushatën e bombardimeve ajrore në periudhën 2018-2019, duke synuar që përmes saj t’iu bënin presion talibanëve për të marrë pjesë në bisedimet për paqe. Këto nivele bombardimesh nuk po realizohen më nga SHBA-ja. Mirëpo nuk mund të them se kjo është arsyeja kryesore pse talibanët janë duke pasur sukses.

Mendoj se mungesa e strategjisë ushtarake nga ana e Qeverisë afgane si dhe mungesa e unitetit politik në këtë moment të krizës – kur ka situatë të paqartësisë, janë duke ndikuar jo vetëm te forcat ushtarake dhe zyrtarët policorë, por edhe te të gjitha afganët, të cilët nuk e dinë se çfarë i pret.

Andrew Watkins.

Ushtria afgane është bërë një kopje e paqëndrueshme e ushtrisë perëndimore

Radio Evropa e Lirë: Por pse po ndodh kjo? Kanë kaluar disa vjet që forcat afgane janë të trajnuara nga forcat amerikane dhe janë të pajisura nga SHBA-ja. Pse po bie kapaciteti i tyre?

Andrew Watkins: Në aspektin ushtarak, mendoj se historia është e komplikuar. Një pjesë e mirë e fajit bie mbi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të NATO-s. Që nga fillimi, SHBA-ja me NATO-n, kanë tentuar të krijojnë në ushtri afgane si model të ndonjë vendi partner të NATO-s, edhe kur një gjë e tillë ka qenë e paqëndrueshme, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë kulturor e politik. Ata kanë tentuar të krijojnë ushtrinë me teknologjinë më të avancuar, më moderne, më të organizuar dhe më burokratike në pjesën jugore të Azisë Qendrore. Dhe ka pasur sukses deri diku te forcat speciale të Afganistanit si dhe forcat ajrore. Megjithatë, NATO-ja gjithmonë ka tentuar të fusë “kubin në një vrimë të rrumbullakët”. Një shembull i gjithë kësaj është kur forcat amerikane u kanë ndaluar forcave ajrore afgane që të furnizohen me armë të lira kineze dhe ruse.

Kjo qenë e pranueshme për ushtrinë afgane, mirëpo ka pasur kundërshtime nga Pentagoni dhe Kongresi amerikan. Ata kanë kërkuar që të fitojnë para duke shitur pajisjet e tyre ushtarake. Të gjitha këto vendime përgjatë viteve e kanë bërë ushtrinë afganë një kopje të paqëndrueshme të një ndonjë force ushtarake perëndimore, në kohën kur shteti nuk ka qenë në gjendje ta përballojë këtë gjë.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Sa i përket strategjisë së ushtrisë afgane, një gjë që SHBA-ja e ka bërë si duhet është që ka këshilluar zyrtarët që të mos përdorin forcat e armatosura për të kontrolluar të gjithë territorin. Kështu, ushtria dhe policia afgane kanë nisur punën nëpër pikat e kontrollit. Ata kanë qenë gjithmonë të gatshëm, të vendosur në garnizone, por kryesisht kanë funksionuar nëpër pika kontrolli në rrugët dhe qendrat e qyteteve në të gjithë vendin.

Ata nuk kanë qenë forca aktive që kanë manovruar në fushëbetejë dhe që në mënyrë efektive kanë kundërshtuar armikun. Pra, kanë qenë kryesisht forca statike të përqendruara në pikat e kontrollit. Çdo vit, një komandant i ri amerikan ka këshilluar autoritetet e Kabulit që të reformojnë rrënjësisht ushtrinë për ta bërë atë më efikase dhe të gatshme për luftime, edhe nëse një gjë e tillë do të nënkuptonte tërheqje nga një pjesë e zonave rurale.

SHIKONI EDHE: Frika e punonjësve afganë: “Talibanët do të na vrasin”

Një këshillë e tillë është thënë të ketë ardhur vitin e kaluar edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit, që ushtria e brendshme duhet të tërhiqet vullnetarisht nga pjesa e territoreve që, ndërkohë, janë pushtuar nga talibanët në tre muajt e fundit.

Këshilla ka qenë ashtu që trupat të tërhiqeshin në një mënyrë të organizuar, në mënyrë që pajisjet të ruheshin dhe ata të mund të hakmerreshin më vonë. Përndryshe, armët do të mund të binin në duart e talibanëve. Pra, ajo që po ndodh tani nuk është për t'u habitur për ata që e njohin mirë situatën në Afganistan, pasi në fakt është pikërisht skenari për të cilin Qeveria afgane ishte paralajmëruar, por nuk i ka kushtuar vëmendje. Ajo u përqendrua në pasojat politike të tërheqjes nga një territor i caktuar, dhe ndërkohë humbi një pjesë të madhe.

Presidenti afgan ka zvogëluar ndikimin e njerëzve të fuqishëm

Radio Evropa e Lirë: Pse liderët politikë në Kabul janë kaq të ndarë? Ka shumë rrëfime për korrupsion dhe gjëra të ngjashme. Pse ata nuk mund të pajtohen për atë sesi duhet të udhëhiqet shteti?

Andrew Watkins: Korrupsioni është problem i madh, por është i pranishëm për 20 vjet në Afganistan dhe kjo gjë nuk i ka penguar talibanët që të përparojnë sa kanë qenë në pushtet. Prej kur ka ardhur në krye të shtetit, presidenti Ashraf Ghani më 2014, ai e ka bërë prioritet përjashtimin e figurave të fuqishme politike dhe ndërmjetësuesve që kanë vepruar gjatë periudhës së pushtimit të SHBA-së më 2001 dhe gjatë mandatit të ish-presidentit Hamid Karzai (2001-2014).

Presidenti afgan, Ashraf Ghani.

Kur Ghani ka ardhur në pushtet, ai ka kërkuar jo vetëm për të luftuar korrupsionin, por edhe për të zvogëluar ndikimin e qendrave tradicionale të pushtetit. Fatkeqësisht, kohezioni politik, dhe strategjia ushtarake e Afganistanit është varur kryesisht nga këta pushtetarë politikë rajonalë, siç është ish-nënkryetari Rashid Dostum (2014-2020), ish-guvernatori i fuqishëm i provincës së Bolh, Mohammed Atanour.

Kështu, figura si këto kanë luajtur rol të madh të gjithë vendin për sa i përket sigurisë, si dhe ruajtjes së unitetit politik - të paktën kundër talibanëve. Prandaj, ajo që po ndodh tani është pasojë e përpjekjeve shumëvjeçare të presidentit Ghani për të zvogëluar ndikimin e këtyre personaliteteve, përfshirë lidershipin e ushtrisë dhe zbatimin e strategjisë ushtarake.

Talibanët kanë shumë para në dispozicion

Radio Evropa e Lirë: Kur flasim për talibanët, cili është burimi i fuqisë së tyre ushtarake? A po i sigurojnë ata armët nga Pakistani apo po i marrin nga ushtria afgane që tërhiqet?

Andrew Watkins: Talibanët nuk do të mund të mbijetonin, aq më pak të ishin aq të fuqishëm, nëse nuk do të kishin pasur historikisht mbështetjen e Pakistanit, si dhe strehimin në atë vend. Sot, megjithatë, talibanët kanë burime të konsiderueshme financiare për të siguruar armë, qoftë në Afganistan qoftë në Pakistan. Afganistani dhe disa vende në rajon theksojnë se Pakistani po furnizon talibanët me armë, por në fakt ata kanë në dispozicion shumë para, origjina e të cilave nuk mund të përcaktohet me siguri.

SHIKONI EDHE: Ngritja e talibanëve të Pakistanit

Në çdo rast, ata tani janë në gjendje të financojnë makineritë e tyre ushtarake ndonëse në muajt e fundit, ajo që po shohim në Afganistan është se ata janë duke konfiskuar qindra automjete, pastaj një sasi të madhe armësh, municionesh dhe pajisje të tjera në vendet e braktisura nga forcat afgane. Tani është bërë një përzierje e komplikuar.

Talibanët e shpërfaqin veten si alternativë

Radio Evropa e Lirë: Në rrafshin politik, kush i mbështet talibanët? A janë njerëzit e zakonshëm në zonat rurale, që kanë frikë nga pasiguria dhe konflikti, apo udhëheqësit e fuqishëm fisnorë?

Andrew Watkins: Është e padiskutueshme që talibanët ende marrin mbështetje prej strukturave nga të cilat e kanë origjinën, më saktësisht nga lidhjet specifike fisnore dhe familjare në jug të Afganistanit, në veçanti komuniteti pashtun. Në ndërkohë, ata e kanë zgjeruar ndjeshëm ndikimin e tyre përtej kësaj zone. Është po ashtu e vërtetë që përgjatë dy dekadave, talibanët kanë shfrytëzuar me sukses situatën me korrupsionin në Qeverinë afgane, ashtu sikurse edhe gabimet e ndërhyrjes së Perëndimit.

Ndasitë politike janë gjithashtu në favor të tyre. Unë përmenda që presidenti Ghani ka synuar të zvogëlojë ndikimin e liderëve të fuqishëm rajonalë, veçanërisht Dostum, udhëheqësi i komunitetit uzbek në verilindje të vendit. Teksa Qeveria qendrore në Kabul dhe qendrat rajonale të pushtetit janë përplasur në shtatë vitet e fundit, talibanët e kanë shfrytëzuar këtë situatë për t'u afruar me qytetarët, të cilët ndiheshin të braktisur, të pambrojtur për shkak të kësaj gare, ata janë kthyer në alternativë, dhe kjo gjë ka ndodhur shpesh në pesë vjetët e fundit.

SHIKONI EDHE: Talibanët “mund të bëjnë kthim mbrapa” në të drejtat e grave

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se njerëzit e zakonshëm mbështesin talibanët nga frika?

Andrew Watkins: Disa i mbështesin ata, por është shumë e vështirë të përcaktohet se sa njerëz janë të detyruar t’iu qëndrojnë mbrapa. Talibanët janë të njohur për përdorimin e metodave të detyrimit dhe frikësimit për të sunduar në zonat rurale. Kjo nënkupton rregulla të rrepta të mirësjelljes, të njohura gjatë viteve 1990. Disa kanë ndryshuar, disa janë modifikuar, varësisht nga territoret ku ata kanë kontroll.

Talibanët kontrollojnë gjysmën e vendit

Radio Evropa e Lirë: Talibanët pretendojnë se kontrollojnë aktualisht 85 për qind të vendit. Është e saktë? A janë vetëm zonat rurale nën administrimin e tyre, ndërsa qytetet e mëdha ende kontrollohen nga autoritetet afgane? A mund të ndryshojë situata me shpejtësi në mënyrë që talibanët të pushtojnë qendra më të mëdha, përfshirë edhe kryeqytetin, Kabulin?

Andrew Watkins: Është pothuajse e sigurt që shifra prej 85 për qind e territorit të kontrolluar nga talibanët është e pasaktë. Dihet që ata shpesh kanë pohuar se kanë zona shumë më të mëdha nën administrimin e tyre, në krahasim me të vërtetën. Është shumë e vështirë të përcaktohet se cilët aktorë kontrollojnë një territor të caktuar. Pra nuk mund të përmend emra dhe përqindje, sepse situata në teren shpesh nuk është siç flitet. Sidoqoftë, mund të thuhet se forcat qeveritare janë tërhequr ose janë dëbuar nga më shumë se gjysma e territorit, kryesisht nga zonat rurale, më saktësisht nga më shumë se 200 prej 400 distrikteve në total.

Talibanët nuk mund ta marrin Kabulin tani për tani

Radio Evropa e Lirë: A mund të pushtojnë talibanët qytete kyçe, përfshirë Kabulin në fund?

Andrew Watkins: Në periudhë të shkurtër kohore, jo, talibanët nuk e kanë atë kapacitet, pasi kjo çështje nuk është vetëm ushtarake por edhe politike. Kur bëhet fjalë për pushtimin e qyteteve më të mëdha, talibanët ende nuk e kanë treguar veten të jenë në gjendje ta bëjnë këtë. Prandaj, nuk ka asnjë provë që ata janë të gatshëm të marrin përsipër dhe më pas të kontrollojnë qytetet më të mëdha, veçanërisht Kabulin, në muajt e ardhshëm ose deri në fund të këtij viti.

Sidoqoftë, talibanët kontrollojnë rrugët kyçe, një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës, kryesisht energjinë, dhe në muajt e fundit ata kanë fituar kontrollin e pikave të rëndësishme kufitare. Pra, ata nuk janë nisur ende për në qytetet kryesore, por ata po intensifikojnë rrethimin rreth qyteteve afgane dhe nuk është e qartë nëse Qeveria Afgane do të jetë në gjendje të parandalojë kapjen e tyre.

Talibanët duan njohje ndërkombëtare, por pa u përkulur ndaj Perëndimit

Radio Evropa e Lirë: Cili është qëllimi përfundimtar i talibanëve? Për të rindërtuar kalifatin e viteve 1990, për të hartuar një plan më të moderuar, apo për të qenë lojtarë kryesorë në një qeveri të unitetit kombëtar, të njohur ndërkombëtarisht? Gjegjësisht, një emirat i izoluar ndërkombëtarisht nuk do të ishte as në interes të Pakistanit, i cili mbështet talibanët, as në interes të Kinës, Rusisë, Iranit, Turqisë dhe aktorë të tjerë.

Andrew Watkins: Talibanët e konsiderojnë administratën e tyre të viteve 1990 si emirat, jo kalifat. Ata nuk pretendojnë pushtet suprem mbi myslimanët, por vetëm në Afganistan. Ky është ndryshimi i madh midis tyre dhe, shembull, Al-Kaidës dhe grupit militant Shteti Islamik. Sa i përket pyetjes suaj, talibanët do t’i donin të dyja. Ata sigurisht nuk do të heqin dorë nga karakteri i asaj për të cilën po luftojnë, do të thotë sistemi i pastër islamik. Në të njëjtën kohë, nuk është e qartë se çfarë saktësisht nënkuptojnë me këtë.

Ata duan njohje ndërkombëtare. Udhëheqësia e tyre e di se çfarë kanë humbur dhe nga çfarë duhet të heqin dorë, meqë nuk kanë qenë në gjendje të bashkëpunojnë me botën, gjatë viteve 1990. Ata e pranojnë që çdo qeveri afgane - edhe kur lufta të përfundojë - nuk do të jetë e qëndrueshme pa ndihmë të huaj. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që talibanët janë të gatshëm të ndryshojnë natyrën dhe ideologjinë e lëvizjes së tyre për të përmbushur standardet e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ose pritjet perëndimore të një qeverie partnere.

Talibanët ndoshta do të përpiqen të gjejnë një mes, për të zbutur programin e tyre politik, aq sa të jenë në gjendje të kënaqin fuqitë rajonale, të tilla si Rusia, Kina, Irani, pa u përkulur ndaj asaj që ata e konsiderojnë ndikim të Perëndimit.

SHIKONI EDHE: Pse Kina bisedon me talibanët?

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo një qeveri vetëm e talibanëve apo e përbashkët me aktorë të tjerë?

Andrew Watkins: Talibanët e kanë thënë tash e dy vjet, që ata janë të gatshëm të shqyrtojnë një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me aktorë të tjerë në Afganistan. Sidoqoftë, ideja e tyre ndryshon prej tyre të grupeve të tjera politike. Edhe kur i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin (Zalmay) Khalilzad, ka propozuar një ndarje 50/50 në pozitat qeveritare në fillim të këtij viti - gjysma për talibanët dhe tjetra për të gjithë aktorët e tjerë - ata është raportuar të kenë thënë se është shumë pak për ta. Dhe kujtojmë se ata kanë bërë këtë deklaratë para fitoreve të muajve të fundit. Askush nuk e di sesi e parashikojnë ata një qeveri të përbashkët, por sigurisht që presin të jenë forca kryesore në vend.

Për fuqitë e tjera, gjëja më e rëndësishme është stabiliteti në Afganistan

Radio Evropa e Lirë: Çfarë interesi kanë vendet e tjera, kryesisht Rusia dhe Kina? A duan këto vende qeveri në të cilën do të ishin vetëm talibanët apo një qeveri e përbashkët?

Andrew Watkins: Rusia, dhe mbi të gjitha Kina, veprojnë, duke përfshirë edhe aleatë si Pakistani apo Irani, në përputhje me parimin e përgjithshëm - çfarë i shqetëson më shumë, çfarë janë të gatshëm të pranojnë dhe cilat janë interesat e tyre. Ata të gjithë kanë frikë nga përhapja e konfliktit të Afganistanit përtej kufijve. Kjo përhapje përfshin terrorizmin, më pas krimin e organizuar, përhapjen e trafikut të drogës, kontrabandën. Kur bëhet fjalë për Pakistanin dhe Iranin, refugjatët janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm. Pyetja është se çfarë janë të gatshëm të pranojnë këto shtete, si një zgjidhje politike për të parandaluar skenarin e përmendur.

Your browser doesn’t support HTML5

Afganët druajnë se talibanët do t'ua ndalin qejfet

Ndryshe nga më shumë se 20 vjet më parë, kur shumë prej këtyre vendeve financuan rezistencën ndaj talibanëve, nëse tani këta të fundit bëhen forca mbizotëruese në Afganistan, të gjithë do të jenë të gatshëm të pranojnë një rezultat të tillë, edhe nëse mund të mos iu pëlqejë. Gjegjësisht, gjëja më e rëndësishme për ta është stabiliteti, pas përfundimit të konfliktit, dhe jo një luftë të re civile që do të mund të zgjaste një dekadë tjetër ose më shumë. Për këto vende, ideale do të ishte një lloj qeverie e përbashkët dhe pikërisht për këtë arsye ato kanë qenë aktive në aspektin diplomatik kohët e fundit.

Teherani, Moska dhe Islamabadi janë duke organizuar bisedime të ndryshme paqësore, sepse nuk do të dëshironin që fraksione të ndryshme politike në Afganistan të vazhdojnë luftën me talibanët dhe që konfliktet e armatosura të vazhdojnë për 20 vjet të tjera. Kjo është arsyeja pse ata dëshirojnë një qeveri të përbashkët, por nuk është e qartë sesi këto shtete mund të jenë më të suksesshme se Shtetet e Bashkuara në bindjen e aktorëve të tjerë për të pranuar talibanët dominues.

Aspekti moral i tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket tërheqjes së SHBA-së, cilat do të jenë pasojat, përfshirë edhe imazhin e saj. Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë në fillim të korrikut se "ne nuk kemi hyrë në Afganistan për të ndërtuar një komb, domethënë një shtet. Ne po i japim fund luftës më të gjatë në të cilën është përfshirë Amerika. Populli afgan duhet të vendosë vetë për të ardhmen e vet dhe sesi dëshiron të qeverisë vendin”.

A po tërhiqen forcat amerikane për shkak të çështjeve të tjera më të rëndësishme për Uashingtonin, kryesisht përballja me Rusinë, dhe veçanërisht Kinën, apo për shkak të pakënaqësive në rritje të publikut amerikan lidhur me angazhimin e vendit të tyre në misione të ndryshme nëpër botë, e cila në rastin e Afganistanit, sipas disa vlerësimeve, kushton deri në tre miliardë dollarë, pa harruar edhe humbjen e shumë jetëve? Çfarë qëndron pas këtij vendimi?

SHIKONI EDHE: Biden mbron vendimin për tërheqje nga Afganistani

Andrew Watkins: Definitivisht, ky vendim nuk është marrë për shkak të pakënaqësisë së publikut amerikan. Çfarëdo që votuesit amerikanë mendojnë për çështje të caktuara të politikës së jashtme, këto tema janë shumë poshtë në listën e prioriteteve të tyre, në pothuajse të gjitha sondazhet e opinionit publik. Prandaj, vendimi është marrë në bazë të qëndrimeve dhe parimeve të caktuara.

Biden dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë kanë theksuar përparësitë e politikës së jashtme dhe Afganistani nuk është më në mesin e tyre. Afganistani ka qenë në qendër të vëmendjes së Uashingtonit për një kohë të gjatë. Tërheqja e trupave lejon Shtetet e Bashkuara të rivendosin angazhimin e tyre në botë dhe të përqendrohen në çështje të tjera. Është e paqartë sesi do të duket politika e Uashingtonit në rajon në të ardhmen. Të gjitha vendet me të cilat Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen në një farë mënyre, nëse duan të përqendrohen në Azi, kanë interesa në Afganistan - India, Pakistani dhe, natyrisht, Kina, si dhe Rusia, që do të jenë lojtare. Administrata Biden duhet se ka pasur ide të qartë, që nënkupton se tërheqja nga Afganistani, lë hapësirë për çështje tjera.

Radio Evropa e Lirë: A do ta dëmtojë ky vendim besueshmërinë dhe imazhin amerikan, sepse pavarësisht pasurisë dhe fuqisë ushtarake, SHBA-ja ka dështuar, jo vetëm për të ndihmuar në krijimin e një shteti të qëndrueshëm afgan, por edhe për të mposhtur rebelët. Pra, ajo nuk do të mbështesë më drejtpërdrejt aleatin e saj, Qeverinë Afgane. Ekziston gjithashtu pyetja morale nëse trupat amerikane kanë hyrë në këtë shtet me qëllim për të mposhtur talibanët, të cilët tani pas 20 vjetësh rrezikojnë ardhjen përsëri në pushtet. A janë 20 vjet të humbura dhe a ishte e kotë ndërhyrja në një farë mënyre?

Andrew Watkins: Absolutisht që ekziston aspekti moral. Shumë e krahasojnë këtë situatë me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Vietnami. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara nuk e kanë vuajtur drejtpërdrejt këtë gjë në skenën globale, për sa i përket besueshmërisë së zvogëluar dhe aftësisë për të demonstruar fuqinë e saj në të gjithë botën. Prandaj, nuk është ende e qartë sesi dështimi i SHBA-së në Afganistan do të ndikojë në një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj çështjeve të tjera, si dhe në besueshmërinë e saj. Nuk e kam ende të qartë.

SHIKONI EDHE: Më shumë afganë që kanë punuar për SHBA-në, pritet të zhvendosen

Nëse e gjithë kjo ishte e kotë, shumë amerikanë, afganë dhe njerëz në rajon do të diskutojnë për dekada. Është e qartë se Shtetet e Bashkuara e kanë ditur prej kohësh se nuk është e mundur të arrihen të gjitha qëllimet, të cilat ishin vendosur fillimisht. Në vitin 2009, ishte e qartë se kjo ishte një luftë që nuk mund të fitohej, por është dashur shumë kohë që të merrej vendimi për tërheqje.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të karakterizohen 20 vjet të angazhimit amerikan në Afganistan? Disa ekspertë besojnë se kjo është një humbje.

Andrew Watkins: Tërheqja e SHBA-së nga Afganistani, ka qenë një lloj pranimi me vonesë i paaftësisë për të arritur qëllimet që ka pasur. Pavarësisht se sa Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj përpiqen të flasin për sukseset në Afganistan dhe t'ia tregojnë ato botës, nëse këto suksese nuk janë të qëndrueshme për një kohë kaq të gjatë, pavarësisht nga prania amerikane, atëherë nuk jam i sigurt se mund të flitet për sukses.

Përfaqësues të talibanëve në një konferencë ndërkombëtare në Moskë.

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë marrëveshje në fund, apo konflikti do të jetë i ngjashëm sikurse në Libi dhe Siri, me forca rajonale që mbështesin palë të ndryshme, ku lufta të mund të zgjasë me vite apo edhe dekada?

Andrew Watkins: Është e mundur të arrihet një marrëveshje, por është gjithnjë e më pak e mundshme. Me forcimin e pozicionit ushtarak të talibanëve, ata do të ofrojnë më pak për aktorët e tjerë politikë. Kjo do të thotë që forcat e tjera politike do të jenë më pak të gatshme të pranojnë marrëveshjen që do t'iu ofrojnë talibanët. Është një lloj rrethi vicioz, sepse në mënyrë që aktorët e tjerë të luftojnë për një rregullim politik më të favorshëm, ata do të duhet të ndryshojnë situatën në terren dhe kjo mund të zgjasë të paktën deri vitin e ardhshëm, në mënyrë që të bëjnë përparim real në negociata.

Përgatiti: Krenare Cubolli