Ndërlidhjet

Afganistani drejt krizës humanitare


Afganistan: gra afgane bashkë me fëmijët e tyre, të zhvendosura në provincën Herat (8 korrik 2021).
Afganistan: gra afgane bashkë me fëmijët e tyre, të zhvendosura në provincën Herat (8 korrik 2021).

Mazar-e Sharif, Afganistan – Safia dhe tre fëmijët e saj të vegjël jetojnë jashtë, të ekspozuar ndaj të nxehtit ndëshkues të verës, pa ushqim dhe pa ujë.

Ajo u largua nga shtëpia e saj në qytetin verior të Afganistanit, Kunduz, pasi shtëpia iu godit javën e kaluar nga një mortajë, e cila vrau burrin e saj, shtyllën e familjes.

“Ne nuk kemi asnjë ushqim apo strehë”, thotë Safia, e cila është në mesin e qindra mijëra të tjerëve, të vendosur në një fushë në periferi të qytetit, e cila tashmë është shtëpia e gati 400,000 njerëzve. Fëmijët e mi janë të djegur nga dielli dhe janë të sëmurë. Qeveria nuk na ka ndihmuar”, thotë ajo.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 35,000 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në Kunduz, që kur talibanët filluan një sulm të madh në kryeqytetin e provincës me të njëjtin emër, në fund të muajit të kaluar.

Militantët kanë marrë nën kontroll dhjetëra rrethe në të gjithë Afganistanin, pas një ofensive të ashpër që nga fillimi i tërheqjes së plotë të të gjitha trupave të huaja më 1 maj.

Talibanët kanë marrë gjashtë nga nëntë rrethet e provincës Kunduz dhe kanë rrethuar qytetin e Kunduzit, i pesti më i madh në gjithë vendin. Forcat afgane të sigurisë, kanë disa javë që po luftojnë me luftëtarët talibanë në lagjet e qytetit.

Dhjetëra banorë janë vrarë ose plagosur, teksa është shtuar numri i atyre që janë larguar ose u larguan me dhunë, apo që u detyruan të largohen nga talibanët, të cilët kanë përdorur shtëpitë e braktisura si pozicione për të qëlluar prej tyre ndaj forcave qeveritare.

“Ne nuk kemi asnjë tendë”, thotë Nasima, një nënë e tre fëmijëve, burri i së cilës u vra kohët e fundit ndërsa luftonte në Kunduz.

Edhe ajo është strehuar në një fushë të hapur në periferi të qytetit. “Ne jemi ulur nën diellin përvëlues”, thotë ajo, duke shtuar se “të gjithë fëmijët e mi janë të uritur dhe të etur”.

"Kriza humanitare po afron"

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), paralajmëroi më 13 korrik për një “krizë humanitare të afërt në Afganistan, pasi përshkallëzimi i konfliktit, sjell rritjen e vuajtjeve njerëzore si dhe zhvendosje të civilëve”.

Rreth 270,000 afganë janë zhvendosur rishtasi brenda vendit, që nga janari i vitit 2021, për shkak të intensifikimit të luftës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të afganëve të zhvendosur në një shifër marramendëse prej 3.5 milionë, tha UNHCR.

Babar Baloch, një zëdhënës i UNHCR-së, tha se një dështim eventual për të ndaluar “dhunën do të çojë në zhvendosje të mëtejshme brenda vendit, si dhe në vendet fqinje dhe më gjerë”.

Rreth 18.4 milionë njerëz, gati gjysma e popullsisë, kanë nevojë për ndihmë humanitare, sipas OKB-së, e cila ka apeluar për 1.3 miliard dollarë në fonde për vitin 2021. Ajo ka marrë vetëm rreth 37 përqind të kësaj shifre.

Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se po luftonte për të marrë ilaçe dhe furnizime për në Afganistan, ku objektet i janë sulmuar dhe disa pjesëtarë të stafit kanë ikur. Vlerësohet se më shumë se 3 milionë fëmijë afganë janë në rrezik prej “kequshqyerjes akute”.

Lufta që po intensifikohet, ka përkeqësuar situatën e pasigurisë humanitare në Afganistan, i cili po vuan nga një thatësirë shkatërruese dhe po përjeton një rritje të rasteve dhe vdekjeve nga pandemia e koronavirusit.

"Goditjet me raketa"

Numri i afganëve që kanë nevojë për ndihmë për të shpëtuar jetën e tyre, është duke u rritur, ndërsa ofensiva e talibanëve po vazhdon pa u lodhur.

Familja tetë anëtarëshe e Sardar Bai, jeton në një tendë të dobët në një fushë me pluhur, në periferi të Maimana, në provincën veriperëndimore Farjab.

“Talibanët e sulmuan fshatin tonë”, thotë 43-vjeçari, i cili ka gjashtë fëmijë të vegjël. “Ne po vinim nën mortaja të vazhdueshme dhe goditjet me raketa”, shton ai.

Familja u largua nga rrethi i tyre në Qaisar dy javë më parë, pasi u vërshua nga talibanët. Militantët kontrollojnë 12 nga 14 rrethet e provincës Farjab dhe kanë rrethuar Maimanan, një qytet me më shumë se 150,000 banorë.

“Ne nuk mund të merrnim ndonjë gjë nga pasuritë tona me vete”, thotë Bai. “Ne jemi të dobët nga uria. Unë nuk kam para. Unë kam nevojë të gjej strehë për fëmijët e mi të vegjël”.

Zyrtarët lokalë, thonë se më shumë se 12,000 familje anembanë provincës Farjab, të vendosura në kufi me Turkmenistanin, janë zhvendosur nga ofensiva e talibanëve gjatë javëve të fundit.

Midis tyre është edhe Abdullahu, familja e të cilit prej 12 anëtarësh u largua nga shtëpia e tij në rrethin Qurghan. Ata tani banojnë në Sheberghan, kryeqyteti i provincës fqinje Jawzjan, ku talibanët kanë marrë shtatë nga nëntë rrethet.

Militantët kanë rrethuar qytetin Sheberghan dhe madje kanë thyer e qytetit në 16 korrik, duke hyrë në të dhe shkaktuar frikë tek banorët.

“Situata jonë është shumë e keqe dhe nuk mund të kthehemi në shtëpi”, thotë ai. “Shumë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre. E gjithë familja ime me 12 anëtarë po jeton në një dhomë të vogël”, shton ai.

“Kam humbur vetëdijen”

Maimana është vetëm një nga një mori qytetesh që janë nën rrethim nga militantët.

Forcat afgane dhe militantët talibanë janë përfshirë në përplasje të ashpra në dhe përreth qytetit jugor të Kandaharit, vendi i dytë më i madh i vendit dhe shtëpia e më shumë se 600,000 njerëzve.

Militantët kanë marrë disa rrethe përreth qytetit në muajin e kaluar dhe kanë kryer një seri sulmesh mbi stacionet e policisë, përpara se të shkelnin qytetin e Kandaharit më 9 korrik.

“Po lahesha para lutjeve të mbrëmjes, kur një mortajë ra në shtëpinë tonë”, thotë Musa Jan, një banor i zonës. “Kam humbur vetëdijen. Kur u zgjova, gruaja dhe fëmijët e mi po qanin mbi mua”.

Jan u shtrua në spital dhe familja e tij është zhvendosur në një pjesë tjetër të qytetit.

Familja e tij është mes 5,000 familjeve që janë larguar nga shtëpitë e tyre në zonat në dhe përreth Kandaharit, ku autoritetet kanë zbatuar një shtetrrethim gjatë natës.

Trupat qeveritare thonë se militantët kanë marrë shtëpi në lagjet e banuara, duke detyruar civilët të largohen dhe duke komplikuar përpjekjet për t’i përzënë talibanët nga qyteti.

“Ka pasur luftime të mëdha për javë të tëra”, thotë Abdul Manan, një banor i Kandaharit. “Mortajat po binin pa pushim gjatë gjithë kohës. Ata që kanë qenë në gjendje, janë larguar nga shtëpitë e tyre”.

Shkruar nga Frud Bezhan bazuar në raportimet nga korrespondentët e Radio Azadi në Afganistan, emrat e të cilëve nuk shkruhen për arsye sigurie.

Përgatiti: Durim Abdullahu

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG