Ikja e të rinjve drejt shteteve evropiane për një jetë më të mirë; themelimi i Asociacionit sipas njohësve është shndërruar në kompromisin që Kosova duhet ta bëjë në kuadër të dialogut me Serbinë; çështja e pronës së Manastirit të Deçanit mbetet pezull pavarësisht një vendimi të Gjykatës Kushtetuese; Afërdita Mikullovci është e vetmja grua në Kosovë që udhëheq një drejtori rajonale të policisë; rritja e çmimeve të produkteve në Kosovë; frika nga pushtimi rus i Ukrainës.
Këto janë disa prej temave që Radio Evropa e Lirë ka trajtuar në javën që po e lëmë pas, e të cilat, të përmbledhura, po ua risjellim përmes këtij artikulli.
Parakalimi i forcave të sigurisë shoqëron Festën e Pavarësisë
Pas dy vjetësh, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, parakaluan më 17 shkurt në sheshet kryesore të Prishtinës.
Parakalimi u bë për të shënuar 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Më 2021 dhe 2020 në Kosovë nuk pati parakalim të pjesëtarëve të FSK-së dhe PK-së për shkak të gjendjes me pandeminë e koronavirusit.
Biletë pa kthim e të rinjve nga Kosova drejt Gjermanisë
Erijon Shala nga Istogu po synon që të largohet drejt Gjermanisë. Ky 19-vjeçar tha për Radion Evropa e Lirë se me profesionin e tij si automekanik mund të paguhet gati dhjetëfish më shumë në Gjermani.
“Për më shumë se tetë orë punë jam paguar 15 euro, atje [në Gjermani] do të paguhem 17 euro për orë”, tha Erijoni.
Ai po pret përgjigje nga Ambasada gjermane në Prishtinë, institucion në të cilin ka aplikuar për vizë pune.
Bashkëjetesa në jug të Kosovës: “Asgjë nuk na ka ndarë”
Për banorët që jetojnë rrëzë Bjeshkëve të Sharrit, në Komunën e Prizrenit, ngjarjet e luftës gjatë viteve ‘90, nuk janë bërë pengesë që marrëdhëniet ndërmjet tre popujve të mbeten tradicionalisht të mira, me shumë respekt dhe vlerësim të ndërsjellë, në harmoni me thënien popullore “respekto tjetrin siç e respekton veten”.
“Këtu ekziston traditë e gjatë e vëllazërisë mes serbëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve dhe mendoj se kjo vëllazëri i ka zgjidhur problemet e mëdha të mundshme mes nesh. Mendoj se kjo është për t’u admiruar, sepse shumë herë ka rezultuar me atë që marrëdhëniet vëllazërore janë më të mira se marrëdhëniet me vëllezërit dhe motrat”, tha për Radion Evropa e Lirë Momçillo Illiq, profesor i pensionuar i matematikës.
Ai jeton në fshatin Mushnikovë, që ka numrin më të madh të serbëve, që jetojnë në këtë rajon. Edhe banorët e tjerë thanë se nuk kanë probleme me fqinjët e tyre, të përkatësive të ndryshme etnike.
A është shndërruar Asociacioni në kompromis?
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kompromisi që duhet të bëjë Kosova për të lëvizur përpara dialogu me Serbinë.
Ata thonë se kështu e kanë kuptuar deklaratën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se Qeveria e Kosovës, për të arritur deri te njohja reciproke me Serbinë, “duhet të bëjë kompromise”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa herë ka deklaruar se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik. Ndërkaq, Serbia këmbëngulë në formimin e tij.
Manastiri i Deçanit midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv
Çështja e pronës së Manastirit të Deçanit ka gati gjashtë vjet që është “zgjidhur juridikisht”, por problematika mbetet e papërfunduar.
Kjo çështje, për vite me radhë endet midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv të Kosovës.
Më 4 shkurt, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, përsëriti qëndrimin e tij se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për t’i detyruar autoritetet lokale të Deçanit që t’ia kthejnë Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë dhe pyje, është i bazuar në “politikën diskriminuese” të Qeverisë së Serbisë, të vitit 1997.
Autoritetet lokale në Deçan thonë se Gjykata Kushtetuese ka legalizuar vendimin e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, i cili kishte marrë vendimin për t’ia dhuruar atë pronë Manastirit.
Vazhdon rritja e çmimeve në Kosovë
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka vlerësuar se viti 2021 ka qenë viti me rritjen më të madhe të çmimeve në Kosovë. Por, rritjet vazhdojnë të vërehen edhe në fillim të vitit 2022.
Përmes kësaj fotogalerie, Radio Evropa e Lirë ka pasqyruar rritjen e çmimeve të produkteve bazike dhe krahasimin e tyre me një vit më parë.
Diplomacia e zbehtë ekonomike e Kosovës
Për shkak të mungesës së një “diplomacie ekonomike”, që do t’i përfaqësonte dhe promovonte prodhimet e Kosovës në tregjet ndërkombëtare, sipas prodhuesve dhe ekspertëve të ekonomisë, Kosova është bërë skajshmërisht e varur nga importet.
Mbi 4.6 miliardë euro ka qenë vlera e produkteve të importuara në Kosovë në vitin 2021, ndërsa shumë më pak, 712 milionë euro, ka qenë vlera e eksporteve.
Të dhënat e Doganave të Kosovës tregojnë se trendi ka qenë i ngjashëm edhe në vitin 2020: 3.2 miliardë euro importe; 439 milionë euro eksporte.
Bashkim Osmani, nga Klubi i Prodhueseve të Kosovës, tha se kapacitetet prodhuese për eksport ekzistojnë, por jo edhe angazhimi i shtetit, sipas tij, për t’iu dhënë shtysë atyre në tregun ndërkombëtar.
Dy dekada rrugëtim për komandë
Rubrika Femina, këtë javë sjellë rrëfimin e Afërdita Mikullovcit.
Ajo është gruaja e vetme në Kosovë që udhëheq një drejtori rajonale të policisë.
Qysh në vitin 2018, ajo është drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut dhe ka nën komandën e saj qindra policë.
Depresioni dhe luftimi i tij
Në rubrikën Të flasim, kësaj radhe kemi folur për depresionin.
Një në shtatë persona të moshës 10-19 vjeç përballet me një çrregullim mendor, duke përfshirë këtu depresionin, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Shtetasit shqiptarë nuk duan të largohen nga Ukraina
Pavarësisht se Shqipëria u ka bërë thirrje shtetasve të saj që të largohen nga Ukraina, shqiptarët atje ende nuk kanë shprehur interesim që të largohen nga ky vend, me gjithë frikën për një pushim të mundshëm nga Rusia.
Devis Xama tash e tre vjet jeton në Ukrainë. Ky 34-vjeçar tha se tash për tash, nuk ndihet i rrezikuar.
“Normalisht që nëse ata [rusët] do të vijnë, do të largohemi”, tha Xama.
Ngjashëm u shpreh edhe Marigle Kadiasi, 30 vjeç. Ai ka jetuar në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, qysh më 2019, por së fundmi është larguar për në Lviv, në perëndim të Ukrainës.
"Me dëshirën time dhe të bashkëshortes sime nuk do të largoheshim”, tha ai, por shtoi se kjo mund të ndryshojë nëse situata përkeqësohet.
A do ta tërheqë Rusia këmbëzën?
Në emisionin Expose sjellim më shumë detaje për krizën në Ukrainë, pasi për më shumë se tre muaj, bota mban sytë në trupat e grumbulluara ruse në kufi me Ukrainën.
Moska thotë se ka nisur tërheqjen nga zona. Perëndimi thotë: përkundrazi, ajo ka shtuar praninë. Sipas NATO-s, kjo është kriza më serioze e sigurisë në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.