Java me REL-in

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Fotografi nga arkivi.

Kosova shprehet e gatshme që komponentë të FSK-së t’i vendosë në dispozicion të SHBA-së, teksa kriza midis Ukrainës dhe Rusisë vazhdon; Qeveria e Kosovës dhe disa institucione të tjera shtetërore vëzhgohen nga kamerat kineze që janë në listë të zezë të SHBA-së; masat e fundit kundër koronavirusit të ndërmarra nga Kosova nxisin pakënaqësi te banorët e shteteve fqinje; dhe përballja me krizën energjetike në Kosovë.

Këto janë disa prej temave për të cilat Radio Evropa e Lirë raportoi në javën që po e lëmë pas, e cilat, të përmbledhura, po ua risjellim përmes këtij artikulli.

FSK-ja në shërbim të SHBA-së për Ukrainën

Kosova ka shprehur mbështetjen për Ukrainën, në kohën e rritjes së tensioneve pas grumbullimit të mijëra forcave ruse në kufi me këtë shtet.

Një ushtar amerikan bisedon me një ushtar të FSK-së gjatë stërvitjeve ushtarake "Defender Europe 21" që u mbajtën në Kosovë më 28 maj 2021.

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka shprehur gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.

“Duke pasur parasysh që aleanca jonë me SHBA-në është e natyrshme dhe shumë e fuqishme, jemi plotësisht të gatshëm që të jemi përkrah SHBA-së dhe forcave të saj në secilin mision, ku ata vlerësojnë se mund t’i angazhojnë komponentët tonë profesionalë ushtarakë”, tha për Radion Evropa e Lirë, kolonel Sefer Isufi, shef i Komunikimit Strategjik në këtë ministri.

Kamerat nga lista e zezë e SHBA-së mbikëqyrin Qeverinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës, Zyra e Prokurorit të Shtetit, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Shëndetësisë, sheshet kryesore të Prishtinës dhe Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, që të gjitha mbikëqyren nga kamerat e sigurisë, të cilat janë në atë që njihet si lista e zezë e Shteteve të Bashkuara.

Bëhet fjalë për kamerat e kompanive kineze Dahua dhe HikVision.

Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology dhe HikVision gjenden në listën e zezë të SHBA-së qysh nga vitin 2019, për shkak të, siç thuhet, ndërlidhjes së tyre me shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, përkatësisht me represionin që u bën Pekini ujgurëve myslimanë në provincën Ksinjiang.

Kujdesi për 250 fëmijë

Në rubrikën Femina këtë javë kemi sjellë rrëfimin e Sadete Bucolli – Gërbeshit, e cila 11 vjet më parë hapi çerdhen e parë.

Sadete Bucolli – Gërbeshi

Sot ajo ka në pronësi katër çerdhe, në të cilat ka arritur të punësojë më shumë se 30 gra.

Obligimin e shkollës e kryejnë prindërit

Hasan Gashi, që me profesion është infermier, detyrohet që të paguajë 250 euro në muaj për asistente për vajzën e tij.

Një fëmijë luan me fluska sapuni në një ngjarje të organizuar në mbështetje të fëmijëve me autizëm. Fotografi nga arkivi

Vajza e tij 9-vjeçare vuan nga autizmi. Ai tha se pagesa për asistente është shumë e lartë, pas shkolla, ku vajza e tij vijon klasën e parë, nuk ka asistentë.

“Rreth 60 për qind të pagës e shpenzoj vetëm për asistente”, tha Gashi, i cili punon si infermier në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në qytetin e Klinës, i cili ndodhet rreth 50 kilometra larg Prishtinës.

Në fokusin e fotografit të verbër

Betim Bregovina

Edhe pse me vetëm 1 për qind shikim, Betim Bregovina tash e 15 vjet merret me artin e fotografisë.

Ky 35-vjeçar nga Obiliqi, ka realizuar ekspozitën e tij me fotografi në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

"Për vaksinën e tretë nuk e kam kohën, për PCR nuk i kam 30 euro"

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, që kërkon që çdo qytetar që hyn në vend të ketë tri doza të vaksinës kundër koronavirusit, apo dy doza plus një test negativ PCR, ka nxitur pakënaqësi te banorët e shteteve fqinje.

Protesta në Morinë më 24 janar 2022.

Më 24 janar, në Kukës të Shqipërisë, në pikëkalimin në Morinë, disa qytetarë protestuan dhe kërkuan heqjen e kësaj mase.

“Po kërkojnë PCR. Ku t’i marrim ne 30 euro për PCR që ta kalojmë kufirin”, ka thënë Fatjon Matmuja, që ka protestuar në Morinë.

Korrupsioni në Kosovë hyn kah dera e prokurimit

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, Transparency International e ka renditur sërish Kosovën në mesin e vendeve që kanë nivel të lartë të korrupsionit, pavarësisht se është shënuar një përparim i lehtë.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Por, organizatat që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë thonë se korrupsioni në prokurimin publik dhe zvarritja e këtyre rasteve dhe të tjerave në prokurori e gjykata, ka bërë që Kosova, në raporte ndërkombëtare, të renditet në mesin e vendeve me nivel të lartë të korrupsionit.

Çeku: Kosova në terr për shkak të politikës

Kriza energjetike, me të cilën po përballet Kosova, do të mund të shmangej nëse do të zhvillohej projekti i Termocentralit “Kosova e Re”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Ekonomisë, Ethem Çeku.

Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku gjatë intervistës për REL-in.

Çeku tha se me rehabilitimin e pesë blloqeve të Termocentralit “Kosova A”, mund të dilet nga terri.

Çka ia ndal turrin Putinit?

Në emisionin Expose të Radios Evropa e Lirë është trajtuar kriza midis Rusisë dhe Ukrainës, pasi mijëra trupa ruse e kanë rrethuar Ukrainën në tri anë.

Portreti i presidentit rus, Vladimir Putin i mbuluar me borë. Ky portret është vendosur afër fshatit Zolote, në rajonin ukrainas të Luhanskut, ku separatistët e mbështetur nga Rusia luftojnë me forcat ukrainase.

Rusia i mohon planet për pushtim, por Perëndimi thotë se rreziku është real dhe i afërt. A mund t’i ndalet turri Rusisë?