Java me REL-in

Prishtinë, 28 tetor 2022.

Vështirësitë dhe procedurat e shumta nëpër të cilat kalojnë personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë; regjistrimi i popullsisë shqiptare në Luginë të Preshevës dhe shpërngulja e shqiptarëve nga ky rajon në jug të Serbisë; mungesa e punëtorëve shtyn kompanitë kosovare të kërkojnë punëtorë nga jashtë; siguria e grave në Kosovë; puna e papaguar që arrin në vlerë prej mbi 1 miliard euro; rrëfimi i flautistes së parë e Orkestrës Simfonike të Kosovës; grindjet mes Shqipërisë dhe BE-së për “pasaportat e arta” dhe dronët iranianë të përdorur nga Rusia në Ukrainë.

Këto janë disa prej temave që Radio Evropa e Lirë ka trajtuar gjatë kësaj jave. Më poshtë, të përmbledhura, ju sjellim më shumë detaje për këto tema.

Verifikimi i invaliditetit ua rrezikon pensionet

Një përdorues i karrocës.

Këtë javë, Radio Evropa e Lirë solli dy artikuj lidhur me vështirësitë me të cilat përballen personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Një artikullin e parë u trajtua çështja e verifikimit të invaliditetit, pasi sipas një ligji të veçantë, personat e këtyre kategorie përfitojnë kompensim monetar. Verifikimin e invaliditetit e vlerëson një komision mjekësor, i caktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Ibrahim Hetemi.

Por, Ibrahim Hetemit nga Skenderaj tregoi për REL-in se për një kohë ishte futur në kategorinë e gabuar, por më 2019, Gjykata Themelore kishte vendosur që ai të futej në grupin e paraplegjikëve.

“[Pas vendimit] u relaksova, meqenëse më kishte humbur shpresa”, tha Hetemi për Radion Evropa e Lirë.

Kështu, atij i është paguar kompensimi prej 375 eurosh në mënyrë retroaktive.

Ndërkaq, Lumnije Rulani, 49 vjeçe, që ka pësuar dëmtim në sistemin nervor kur ishte 3-vjeçare, tha se më 2017 kishte fituar të drejtën për kompensim në kategorinë e parë në vlerë prej 375 eurosh.

Këtë vit, Rulani i është nënshtruar sërish rivlerësimit. Dhe, siç thotë ajo, mjekët kanë konstatuar se nuk ka pasur ndonjë përmirësim në shëndet, por se komisioni i Ministrisë, në muajin gusht, e ka futur në kategorinë e dytë, përkatësisht te grupi i tetraplegjikëve - që parasheh kompensim prej 150 eurosh.

Ajo tha se nuk ka marrë asnjë shpjegim se pse është bërë ky vlerësim.

“Të maltretuar e në borxhe”: Rruga drejt pensionit invalidor

Një përdorues i karrocës.

Në artikullin e dytë për këtë temë, Radio Evropa e Lirë solli detaje të tjera të procedurave deri te marrja e pensionit invalidor.

Sipas ligjit, paraplegjikë duhet t’i nënshtrohen rivlerësimit të statusit të invalidetit çdo pesë vjet, ndërkaq tetraplegjikët çdo tri vjet.

Milaim Zariqi nga fshati Baincë i Drenasit, babai i Sokolit 14-vjeçar - cili vuan nga sëmundja distrofi muskulare dhe është pothuajse i palëvizshëm – tregoi se djali i tij kishte mbetur pa pension për pesë muaj, për shkak të procesit të rivlerësimit.

Milaim Zariqi tregoi se është dashur të mbledhë një grumbull dokumentesh për të birin - fillimisht nga autoritetet shëndetësore në rajonin ku jeton dhe më pas nga Klinika e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës - që dëshmojnë se pacienti ka specifika mjekësore që kërkojnë mbështetje financiare.

Sokol Zariqi, 14 vjeçar nga fshati Baincë i Drenasit përfiton nga pensioni për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë

Pas mbledhjes së këtij dokumentacioni, Sokoli është dashur të paraqitet para komisionit vlerësues mjekësor, që e cakton Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

“Njëqind e njëzet euro është dashur t’i gjej diku se nuk kam pasur, për të shkuar në komision... se 40 euro kushton taksi [nga Drenasi në Prishtinë]”, tregoi ai.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se “qëndron mjaft mirë në kuptim të respektimit të afateve ligjore”.

Sipas kësaj ministrie, seancat e vlerësimit të personave me aftësi të kufizuara nuk mund të bëhen në terren, pasi ka “probleme me mungesën e mjekëve”.

Për disa muaj këtë vit, pa pension invalidor mbeti edhe Sami Qyqalla nga Fushë Kosova - rreth 7 kilometra larg Prishtinës.

“Pesë muaj na kanë lënë pa pension. Kur kanë ardhur këta të rrymës, ma kanë ndalur rrymën…Tmerr”, tha bashkëshortja e Samiut, Nazirja, e cila nuk ka pasur mundësi ta shlyejë borxhin.

Shqiptarët e Luginës mobilizohen për regjistrim

Pas dy dekadash, shqiptarët e tri komunat në jug të Serbisë, që njihen me termin Lugina e Preshevës, po marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Zyrtarët që po kryejnë procesin, kanë thënë se ka interesim të madh për t’u regjistruar.

Ndërkaq, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, thanë se sa më shumë shqiptarë të regjistrohen, do të rriten edhe gjasat për përmirësimin e jetës së tyre.

Shikojeni videon e plotë:

Pse po largohen shqiptarët nga Lugina e Preshevës?

Presheva, një nga tri komunat në jug të Serbisë, e banuar me shqiptarë.

Fatmire Memeti nga Lugina e Preshevës, ka të përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës dhe punon si mësimdhënëse e gjeografisë në një fshat të Preshevës. Por, studimet e kryera në Prishtinë ende nuk i janë njohur nga autoritetet serbe, pavarësisht se Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut politik, kanë arritur marrëveshje për njohjen e diplomave.

Rrjedhimisht, Memeti paguhet sikur të kishte përfunduar vetëm shkollën e mesme. Ajo këtë gjë e cilëson si diskriminim.

“Ata qëllimisht ndoshta janë duke i bërë të gjitha këto për të na shpërngulur nga vendi”, tha ajo për REL-in.

Lugina e Preshevës e banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, ka vite që përballet me emigrim të popullsisë. Shifrat e disa organizatave të huaja flasin për 20.000 të larguar në vitet e fundit.

Shikojeni videon e plotë:

Paralajmërimet për bllokada dhe vendimi “zhgënjyes” i Kosovës

Në javën që po lëmë pas, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – por, edhe drejtuesit e Serbisë paralajmëruan për barrikada në veri të Kosovës, nëse pas 31 tetorit – kur skadonte afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia – Kosova do të konfiskonte makinat dhe targat e Serbisë, që i konsideron ilegale.

Por, një ditë pas këtyre paralajmërimeve, Qeveria e Kosovës miratoi një plan që parasheh që vendimi për targat të zbatohet në tri faza dhe do të zgjasë deri më 21 prill 2023.

Ky vendim parasheh fillimisht qortim, pastaj gjoba, targa provuese dhe pas kësaj nuk do të lejohen targa të tjera që nuk janë RKS – Republika e Kosovës.

Por, vendimi i Qeverisë u cilësua “zhgënjyes” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që paraprakisht kishin kërkuar 10 muaj shtyrje të afatit për targat.

Besohet se afër 10.000 targa të lëshuara nga Serbia me akronime për qytetet e Kosovës – sikurse PZ, KM, PR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Qeveria fillimisht kishte paraparë që qytetarët do të mund të riregjistronin makinat e tyre me këto lloje targash nga 1 shtatori deri më 31 tetor. Interesimi ishte i vogël – vetëm 20 makina u riregjistruan – dhe shumë nga personat që riregjistruan makinat e tyre, sipas autoriteteve në Kosovë, ishin cak i sulmeve, sikurse djegia e makinave dhe shtëpive të tyre.

Puna prej qindra miliona eurosh që nuk paguhet

Fotografi ilustruese.

Majlinda Bytyçi nga Prishtina përkujdeset për djalin e saj 3-vjeçar, Malin, dhe përkujdesja ndaj tij është shndërruar në punë kryesore për të edhe pse kjo konsiderohet si “punë e papaguar”.

“Unë kam qenë gati tre vjet nënë që rri në shtëpi, për shkak se e kam pasur të rëndësishëm angazhimin në edukimin e djalit”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Majlinda punon tani si autore ‘freelancer’, me gjysmë orari dhe pa kontratë formale, në një projekt rreth prindërimit dhe rëndësisë së edukimit të hershëm.

Sipas të dhënave të Institutit Musine Kokalari, vlera e punës së papaguar, që nënkupton punët e shtëpisë dhe kujdesin ndaj familjarëve, në përgjithësi, arrin mbi 1.8 miliard euro.

A ndihen gratë të sigurta në Kosovë?

Një protestë në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave.

Siguria e grave në Kosovë ishte temë e episodit të kësaj jave të Podkastit Të Flasim.

Aktivistja Eurisa Rukovci tha se nuk njeh ndonjë grua apo vajzë të re e cila të paktën një herë në jetë nuk është përballur me ngacmim seksual.

  • Dëgjoni KËTU të gjitha episodet e Podkastit Të Flasim
  • Dëgjoni KËTU episdodet e Podkastit Libertas

Nga India në Kosovë për të punuar në industri të shtypit

Prishtinë, fotografi nga arkivi.


Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, një kompani në Kosovë është detyruar që të marrë punëtorë nga jashtë.

Visar Idrizi, pronar i kompanisë “Viprint”, që ofron shërbime të shtypshkrimit për firma private, shtetërore dhe ndërkombëtare, tha për Radion Evropa e Lirë se disa punëtorë i ka siguruar nga Bullgaria, Turqia dhe India.

“Është shumë mirë në Kosovë. Ndihem mirë në vendin e punës”, tha njëri prej punëtorëve nga India, i cili ka disa muaj që i është bashkuar kësaj kompanie.

Sipas udhëheqësve të kompanisë që ka afro 60 punëtorë, paga sillet nga 400 deri në 1.500 euro, varësisht nga kualifikimi i një punëtori dhe puna që bën.

Dyshime për vlerën e investimeve të KEDS-it

Linja elekrike afër Obiliqit. 16 gusht 2022.

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë - KEDS, pothuajse përditë njofton për ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të punimeve në rrjet.

Kjo kompani u privatizua më 2013 nga konsorciumi turk “Çalik-Limak” dhe në kontratë u tha se “blerësi dhe investitori kolektivisht pajtohen të investojnë 300 milionë euro gjatë një periudhe 15-vjeçare”.

KEDS nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se cila është shuma e investuar në rrjetin energjetik që nga privatizimi i distribucionit. Në rrjetin social Facebook të kësaj kompanie, megjithatë thuhet se KEDS nga 2013 deri në shtator të këtij viti ka investuar 203 milionë euro.

Por, ish-anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) dhe njohës të çështjeve energjetike, dyshojnë në vlerën e paraqitur të investimeve nga KEDS-i.

Sipas tyre, mungon verifikimi i investimeve në terren dhe gjithçka varet nga raportet e tyre që dërgojnë në ZRRE.

Gati gjysmë shekulli në skenë: “Flauti më bëri kjo që jam”

Në rubrikën e përjavshme të REL-it, Femina, sollëm rrëfimin e flautistes Venera Mehmetagaj-Kajtazi.

Tash e 48 vjet ajo është aktive në skenën e muzikës klasike. Mehmetagaj-Kajtazi është flautistja e parë e Orkestrës Simfonike në Kosovë, e cila që nga mosha 14 vjeçe, nisi të shkelë skenat vendore dhe botërore.

Shikojeni videon e plotë:

Pasaportat e arta” fusin në sherr Shqipërinë me BE-në

Një pasaportë e Shqipërisë.

“Pasaporta e artë” mund t’i jepet një shtetasi të huaj që investon një shumë të caktuar parash në vendin përkatës. Dhe pikërisht dhënia e kësaj pasaporte është shndërruar temë debati në Shqipëri, ndërsa për Bashkimin Evropian është më se e qartë se ky projekt duhet ndalur.

BE-ja është shprehur kundër “pasaportës së artë”, por, kjo çështje nuk është finalizuar ende në Shqipëri dhe zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, tha se ky vlerësim i BE-së mbetet hipotetik.

Shqipëria synon të frenojë ikjen e mjekëve duke ua bllokuar diplomat

Universiteti i Mjekësisë në Tiranë.

Për vite të tëra, studimet në mjekësi apo infermieri po shihen nga të rinjtë si mundësi për ta shndërruar diplomën në një “pasaportë” për t’u larguar nga Shqipëria.

Për shkak të ikjes së mjekëve, Shqipëria ka mungesë të personelit në këtë fushë, gjë që ka shtyrë kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të paralajmërojë masa.

“Diplomën e mjekut nuk do ta japim sapo të mbarosh shkollën. Do të shkosh njëherë t’ia kthesh popullit tënd atë që ka bërë [ai] për ty, pastaj do ta marrësh edhe diplomën dhe shko ku të duash, sipas afateve të caktuara”, tha Rama.

Ai tha se diploma do të bllokohet për tre vjet. Se kur do të nisë së zbatuari kjo masë, nuk është e qartë.

Në dekadën e fundit, sipas Federatës së Mjekëve shqiptarë në Evropë, nga Shqipëria janë larguar mbi 3.000 mjekë - 1.500 prej të cilëve drejt Gjermanisë.

Irani - kërcënim në rritje për Ukrainën

Një dron duke sulmuar Kievin më 17 tetor 2022.

Në emisionin e ri të Exposesë, magazinës së përjavshme televizive të REL-it, është trajtuar çështja e dronëve iranianë, që po përdoren nga Rusia për të sulmuar caqet në Ukrainë. Rusia po pëson humbje të shumë ushtarëve dhe territoreve në Ukrainë dhe Moska si duhet i është drejtuar Iranit për mbështetje.

  • Shikoni KËTU të gjitha emisionet e Exposesë

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar për një marrëveshje armatimi midis Rusisë dhe Iranit, të arritur këtë muaj. Me këtë marrëveshje, Rusia siguron dronë dhe raketa precize tokë-tokë nga Republika Islamike.