Debati rreth restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës; tarifat e reja të energjisë elektrike; barnat pa fletëudhëzues në gjuhën shqipe; projekt për ta bërë lëndën e matematikës më atraktive; biznes i dy motrave nga Skenderaj që mbron ambientin dhe shqetësimet se një përshkallëzim në krizën Rusi-Ukrainë mund të rrezikojë furnizimet me gazin rus në Evropë.
Këto janë disa prej temave për të cilat Radio Evropa e Lirë raportoi në javën që po e lëmë pas, të cilat po ua risjellim përmes këtij artikulli.
Shtëpia e Xhafer Devës – midis historisë dhe trashëgimisë kulturore
Debati rreth restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut, ka ndarë hulumtuesit shkencorë të historisë dhe ata të trashëgimisë kulturore.
Xhafer Deva ishte politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945.
- Figura e Xhafer Devës e shpjeguar nga historianët
- Pezullohet projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës
- Çeku: Presim vazhdimin e projektit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës
Deva udhëhoqi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur, sipas studiuesve, drejtoi rezistencën kundër futjes në Kosovë të trupave partizane jugosllave. Në vitin 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.
Sipas hulumtuesve të historisë dhe të trashëgimisë kulturore, në çështjen e restaurimit e objektit në Mitrovicë të Jugut, por edhe në pezullimin e punimeve, janë ngatërruar konceptet, në mënyrë të qëllimshme ose të paqëllimshme.
Kush dhe sa do të paguajë më shtrenjtë për rrymë?
Më 8 shkurt, Zyra e Rregullatorit për Energji të Kosovës ka miratuar faturat e reja me rritje, vetëm për një kategori të konsumatorëve.
Sipas tarifave të reja, diferenca e faturës së rrymës që do të paguajnë ata qytetarët e Kosovës, që shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë rrymë në muaj, do të jetë 5 euro më lart.
Në veri as fatura, as rritje çmimesh
Banorët e katër komunave në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe, mbeten të paprekur nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e tarifave të rrymës.
“Ky është problem politik tash e njëzet vjet dhe Zyra e Rregullatorit për Energji nuk mund ta zgjidhë. Ne do të donim që ky proces të zgjidhej sot, por kjo çështje është diskutuar prej vitesh në nivel të dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] në Bruksel dhe shpresojmë që të zgjidhet së shpejti”, tha kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Sipas autoriteteve të Kosovës, vetëm në vitin 2021, 40 milionë euro kanë qenë humbje nga rryma e shpenzuar në katër komunat në veri.
Barna pa fletudhëzim në shqip e serbisht
Sipas ligjeve në Kosovë, barnat që shiten duhet të kenë fletudhëzim në gjuhët zyrtare: shqip ose serbisht.
Por, në barnatoret në Kosovë gjenden barna që kanë fletudhëzim në gjuhë të tjera, përfshirë italisht dhe turqisht.
Por, farmacistët nuk e shohin këtë si problem, pasi për secilin produkt që e shesin, ata thonë se i këshillojnë blerësit se si ta përdorin atë dhe për efektet e mundshme anësore.
Motrat ambientaliste bëjnë biznes pa mbeturina
Në rubrikë Femina, këtë javë sollëm rrëfimin e Blerinda dhe Arnita Veliu, dy motra nga Skenderaj. Ato kanë kombinuar përvojën e familjes me njohuritë e tyre shkencore për të prodhuar çajra organikë vendorë, duke mos dëmtuar natyrën.
Që nga viti 2019, ato kanë regjistruar kompaninë Botanic, që prodhon çajra të certifikuar organikë. Të gjitha paketimet që përdorin, janë nga materiale të reciklueshme apo që degradohen në mjedis.
“Çelësi” për mësimin e matematikës pa stres
Katër vajza të reja nga Ribari i Madh i Lipjanit, po tentojnë që ta bëjnë lëndën e matematikës më atraktive dhe më pak stresuese, për të paktën një pjesë të nxënësve të Kosovës.
Fjolla, Leonita, Mimoza dhe Agnesa janë nxënëse të klasës së 11-të në gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan.
Ato kanë zhvilluar projektin “Pa stres, me çelës”, projekt që pritet të kompletohet brenda muajit shkurt.
Projekti synon që të krijojë një numër lojërash e kuizesh që lidhen me lëndën e matematikës si aktivitete jashtëkurrikulare, për të mundësuar forcimin e njohurive të marra në orët mësimore.
Si të shkruani letrën motivuese?
Në rubrikën Të flasim, këtë javë kemi sjellë detaje lidhur me letrat motivuese.
Letrat motivuese konsiderohen kyçe për pranim në universitet, për të fituar bursë apo ndonjë vend pune.
A ia del Evropa pa gazin rus?
Përshkallëzimi i tensioneve midis Rusisë dhe Perëndimit, veçse ka rritur shqetësimet se Moska mund të jetë duke u përgatitur që ta pushtojë Ukrainën, ka ngritur edhe një shqetësim tjetër: rrjedhën e gazit rus në Evropë.
Rusia siguron gati gjysmën e gazit natyror në kontinent. Emisioni Expose sjellë detaje se çfarë mund të ndodhë nëse Rusia mbyll rubinetat e gazit.