Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut janë shprehur të zhgënjyer nga kandidatët që i janë futur garës për president të shtetit, duke thënë se nuk kanë marrë parë ndonjë plan konkret sa i përket problemit me ikjen e trurit, përkatësisht fuqisë punëtore në vend.
Të rinjtë theksojnë se udhëheqësit politikë, përpos retorikës se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian do të ndalë hovin e të rinjve për t’u larguar nga vendi, thonë se nuk kanë parë asnjë analizë të thuktë sa u përket perspektivave për ta, derisa të përfundojë procesi i integrimit.
“Kur deklarohet se mirëqenia e të rinjve do të përmirësohet kur vendi do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane vetë shteti duhet të demonstrojë se shteti është reformuar”, thekson Blendi Hoda nga Forumi Rinor për Ndryshime në Arsim.
Ai nënvizon se nuk është anëtarësimi, por janë kushtet më të mira ato që e ndalin hovin e largimit të të rinjve.
“Nëse marrim praktikat e Bullgarisë dhe Kroacisë, numri i të rinjve që janë larguar nga këto shtete është shumë më i lartë pasi ato u anëtarësuan në Bashkimin Evropian, sesa para anëtarësimit të tyre”, thekson Hodai.
SHIKONI EDHE: Të rinjtë maqedonas me pasaporta bullgare drejt EvropësIlijana Nikollovska, studente, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se udhëheqësit nuk u kushtojnë shumë vëmendje të rinjve.
Për këtë ajo ua ka vënë fajin edhe të rinjve, të cilët, sipas saj, nuk demonstrojnë forcën e tyre.
“Udhëheqësve politikë nuk u bëhet fare vonë për ne. Pse do të thoshit? Pasi ne nuk jemi të zëshëm me kërkesat tona”, thekson Ilijana Nikollovska.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut po e humbë fuqinë punëtoreDarko Barbejerski, po ashtu, student, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ajo që e pengon më së shumti është fakti se nuk mund të ndërtojë një të ardhme të pavarur nga prindërit, pavarësisht nëse punon dhe studion njëkohësisht, me qëllim të mbulimit të shpenzimeve të veta.
“Ata pak gjëra që i realizojnë në interesat e rinjve, i ekzagjerojnë aq shumë, vetëm që të marrin vota. Por, në realitet ne nuk ndjejmë se standardi i të rinjve është përmirësuar”, thekson Darko Barbejerski.
Kandidati për president nga koalicioni i partive opozitare, VLEN, Arben Taravari, e ka konsideruar ikjen e të rinjve nga vendi si “murtajë të vërtetë”.
“Emigrimi prek, po ashtu, strukturën tonë shoqërore, ku shqiptarët janë prekur në mënyrë disproporcionale nga kjo problematikë. Emigrimi hyn drejtpërdrejt në familjet tona pasi thuajse nuk ka ngelur familje shqiptare në vend, të cilës nuk i është ndarë një pjesë e saj, duke zgjedhur rrugën e emigrimit”, ka theksuar Taravari.
SHIKONI EDHE: Taravari: Nëse nuk i fitoj zgjedhjet, tërhiqem nga politikaNga ana tjetër, Bujar Osmani, kandidati për president nga koalicioni, Fronti Evropian, i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, është zotuar gjatë një takimi me të rinjtë se do të angazhohet që ata të jenë pjesë e vendimmarrjes në çdo proces.
“Do të inicioj vendosjen e kuotave fikse të grup-moshës nga 18 deri në 27 në listat për deputetë. Do të kërkoj që në çdo komision që dizajnon politikat shtetërore, në çdo ministri, në çdo pushtet lokal dhe qendror, kuota fikse për të rinjtë nga 18-27 vjet, me qëllim që të jenë atje me perspektivat rinore që nga fillimi i tyre”, ka theksuar Bujar Osmani.
SHIKONI EDHE: Osmani: Pa ndryshime kushtetuese, Maqedonia e Veriut nuk do të ketë Qeveri të reNdërkohë presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili garon edhe për një mandat, dhe mbështetet nga Lidhja Social Demokrate, ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të krijojë perspektiva më të mira për të rinjtë.
“Ky mbetet shansi i vetëm për ndryshime thelbësore, për një të ardhme të tillë siç e synojnë të rinjtë”, ka theksuar Pendarovski.
Kandidatja për presidente, Gordana Siljanovska Davkova, e mbështetur nga opozita maqedonase VMRO DPMNE, ka kërkuar nga të rinjtë që mos heqin dorë nga vendi.
“Jeni të nevojshëm për kohën e re që vjen. Bashkërisht do t’i realizojmë ëndrrat e juaja që këtu të ndërtoni të ardhmen”, ka theksuar Davkova.
Të gjitha anketat që kanë realizuar organizatat, që në fokus kanë të drejtat e të rinjve në Maqedoninë e Veriut, kanë nxjerrë në pah se gjysma e të rinjve nën moshën 29 vjeç, të ardhmen e shohin jashtë vendit.