Ndërlidhjet

Taravari: Nëse nuk i fitoj zgjedhjet, tërhiqem nga politika


Arben Taravari, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut.
Arben Taravari, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut.

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga koalicioni opozitar VLEN, Arben Taravari, thotë se e ka prioritet kryesor përshpejtimin e integrimit evropian të vendit.

“Në rast se fitoj në zgjedhje, çështja e parë që do të kërkoja nga mandatari për formimin e Qeverisë së re, pas zgjedhjeve, më 8 maj, do të ishte përshpejtimi i ndryshimeve kushtetuese, për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, që është kusht për bisedimet e anëtarësimit”, thotë Taravari në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se nga Brukseli do të kërkonte garanci që nuk do të ketë kushte të reja për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.

Si prioritet tjetër për Taravarin është edhe largimi i Maqedonisë së Veriut nga nisma “Ballkani i Hapur”.

Taravari, kandidati i koalicionit VLEN, në të cilin janë bashkuar partitë opozitare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, konsideron se karriera, siç thotë ai, e “pastër” politike, pa skandale dhe afera, është përparësi ndaj kundërshtarit të tij të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Taravari, pse qytetarët duhet të votojnë për ju, cili është avantazhi juaj ndaj kandidatëve të tjerë dhe ndaj kundërshtarit tuaj të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga BDI-ja?

Arben Taravari: Ne jemi shtatë kandidatë, nga të cilët pesë kandidatë janë maqedonas dhe dy janë shqiptarë. Konkurrenca, sinqerisht, në bllokun shqiptar do të jetë mes meje dhe zotit Bujar Osmani. Shpresoj që qytetarët të kuptojnë se kujt do t'i besonin për të udhëhequr vendin në pesë vjetët e ardhshëm. Qytetarët gjithmonë analizojnë fillimisht programin e një kandidati, çfarë mund të ofrojë ai për pesë vjetët e ardhshëm, cilat janë synimet e tij programore. E dyta është besueshmëria e kandidatëve. Mendoj se nuk kam skandale dhe afera në këto 7-8 vjet që kam qenë në politikë edhe si kryetar i komunës së Gostivarit edhe si ministër i Shëndetësisë. Në anën tjetër, kemi një kandidat që i ka vizituar të gjitha ministritë, ka qenë edhe në Qeverinë e [Nikolla] Gruevskit, e dini si ka përfunduar, pastaj ka pasur një rast në Prokurorinë Speciale Publike (PSP), rasti ‘Pacienti’.

Radio Evropa e Lirë: Si do t'i vazhdojë Maqedonia e Veriut negociatat me BE-në, nëse kusht mbeten ndryshimet kushtetuese? Cili është pozicioni juaj në këtë kontekst?

Arben Taravari: Tashmë është qëndrim i Bashkimit Evropian dhe i Komisionit Evropian se për t’i nisur negociatat, Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese. Dhe ky është një fakt i padiskutueshëm. E thashë edhe në qershor të vitit 2022, kur u miratua propozimi evropian për Marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Bullgarisë - të gjitha ato negociata ishin jotransparente dhe jo gjithëpërfshirëse. Mirëpo, meqë është pranuar dhe ka kaluar në Kuvend, është fakt se nëse duam të fillojmë negociatat, dhe me sa shoh askush nuk thotë se ka një alternativë tjetër, do të duhet të bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe të vazhdojmë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Nëse do të kishte opsione të tjera, atëherë mirë, mund të bisedonim.

Radio Evropa e Lirë: Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, në programin parazgjedhor ka mbrojtur heqjen e “balancuesit”, një mekanizëm për përfaqësim të bashkësive etnike në institucione. Cili është pozicioni juaj, a do ta mbështetnit?

Arben Taravari: “Balancuesi” ka nisur të zbatohet në vitin 2006, pikërisht nga VMRO-DPMNE. Shihni, përfaqësimi i bashkësive etnike në institucione të caktuara para vitit 2002 ishte skandaloz, dhe tani disi është barazuar. Mirëpo, “balancuesi” keqpërdoret, fatkeqësisht jo vetëm nga maqedonasit, por edhe nga shqiptarët, ndodh të keqpërdoret madje edhe nga qytetarët. Nëse mund të gjejmë një mekanizëm tjetër që do të marrë parasysh përfaqësimin e komuniteteve etnike, por edhe sistemin e meritave - do të thotë ata që janë të aftë, kur zgjedhim një maqedonas, le të jetë maqedonasi më i aftë, nëse zgjedhim një shqiptar, le të jetë shqiptari më i aftë. Në vendin tonë përfaqësimi etnik nuk është pengesë, aq sa është fakti që përfaqësimi partiak po mbyt sistemin, veçanërisht administratën. Jemi të hapur për të diskutuar për gjithçka, por duhet të ketë një mekanizëm që do të eliminojë ndikimin partiak dhe unë jam i interesuar për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Si i interpretoni akuzat për ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut?

Arben Taravari: Nuk do të thosha ndikim rus, sepse nuk di për ndikimin rus, nuk kam asnjë provë. Por, e di që ka një ndikim të madh serb në Maqedoninë e Veriut, kjo është e qartë, sidomos përmes “Ballkanit të Hapur”, ndikimi i Serbisë është i madh në shoqërinë maqedonase, po flas në përgjithësi. Duke marrë parasysh që Serbia ka marrëdhënie shumë të mira me Rusinë - ajo është shumë e afërt, ndoshta vendi më i afërt nga Ballkani Perëndimor që është me Rusinë - nëse ka ndikim rus atëherë mendoj se ndikimi rus kalon përmes Serbisë. Dhe se ndikimi serb në Maqedoni është i madh, ky është një fakt i padiskutueshëm, dhe këtë e kam thënë shumë shpesh. Kjo nuk dëmton vetëm maqedonasit apo vetëm shqiptarët, por shtetin në përgjithësi.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, kush mendoni se është promotori i ndikimit serb?

Arben Taravari: Shpesh them se e vetmja periudhë kur ndikimi serb ka qenë më i pakët në vend ka qenë periudha 1998-2002, kur në pushtet ishin Lubço Georgievski [ish-kryeministër] dhe Arben Xhaferi [ish-kryetar i PDSH-së]. Mendoj se kjo qeverisje 22-23 vjeçare e zotit Ahmeti, ndoshta jo drejtpërdrejt, ndoshta në mënyrë naive ose pa e ditur, por ka lejuar që të ketë një ndikim kaq të madh serb në Maqedoninë e Veriut.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë rreziqet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut nga ndikimi i mundshëm rus apo, siç thoni ju, serb?

Arben Taravari: Ne jemi tashmë vend anëtar i NATO-s dhe ky është një parandalim i mirë, një parandalim i mirë për vendin. E shihni që gjithnjë e më shumë politikanë nuk mund të marrin certifikata të caktuara, veçanërisht ata që punojnë në strukturat e sigurisë së shtetit, që janë nën kontrollin e NATO-s. Nuk ka kontroll më të mirë sesa NATO-ja në uljen e ndikimit rus në vend. Pra, ne duhet të vazhdojmë të jemi anëtare e NATO-s, por duhet të përpiqemi të jemi edhe anëtare e Bashkimit Evropian. Sa më shumë të përpiqemi drejt Bashkimit Evropian, aq më pak do të jetë ndikimi, le të themi, nga strukturat që nuk e mendojnë mirë vendin.

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni luftën e deritanishme kundër korrupsionit?

Arben Taravari: Shikoni, mjafton të analizoni se si jemi renditur nga institucionet ndërkombëtare sipas perceptimit të korrupsionit. Jemi ndër vendet më të këqija në Ballkanin Perëndimor. Pse ekziston korrupsioni? Është pasojë e mosfunksionimit të shtetit ligjor. Thjesht, analizoni besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor... është dy, tre, katër, tetë për qind, që është shqetësuese, realisht. Çfarë duhet bërë? Reformat duhet të fillojnë me zell. Si mund të bëhen reformat? Vetëm me rotacion politik, vetëm me ndryshim pushteti.

Radio Evropa e Lirë: Si do ta përmirësonit situatën në këtë fushë nëse do të zgjidheshit president?

Arben Taravari: Transparenca është mënyra më e mirë për të rikthyer besimin tek institucionet e sistemit. Por, edhe ndikimi i presidentit, e dini, mund të ndikojë vetëm përmes sistemit gjyqësor, atje ku ai zgjedh anëtarë të caktuar të organeve që janë në sistemin gjyqësor. Njerëz profesionistë, të besueshëm dhe persona me kapacitete të larta morale duhet të delegohen nga presidenti.

Radio Evropa e Lirë: Në daljet publike, ish-bashkëpartiaku juaj Zijadin Sela ju ka quajtur “kukull e VMRO-DPMNE-së” dhe se punoni sipas urdhrave të saj. Pse pretendon në lidhjen tuaj me VMRO-DPMNE-në?

Arben Taravari: Unë dhe zoti Sela kemi qenë bashkë për dhjetë vjet. Nuk preferoj të them asgjë të keqe për të, sepse kemi 10 vjet bashkë. Ai mund të thotë çdo gjë...ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Jo publikisht, por edhe privatisht, nuk kam thënë asgjë të keqe, ky është karakteri im. Me njerëz me të cilët kam punuar për një kohë të gjatë, dhe nëse rrugët tona ndryshojnë, unë kam ende njëfarë respekti për të. Koha është prova më e mirë e shumë gjërave. Nuk kam qenë kurrë në jetën time kukull e askujt. Unë nuk e kam lejuar veten të jem kukull e zotit Sela, kështu që nuk mund të jem kukull e VMRO-DPMNE-së, apo e ndonjë partie tjetër. Pavarësisht se kështu mendon ai, koha do të tregojë se kush mendoi më mirë dhe qytetari do të tregojë se kush kishte të drejtë në rastin tonë kur u ndamë.

Radio Evropa e Lirë: A keni marrë ndonjë informacion se kush e la plumbin para derës tuaj?

Arben Taravari: Nuk kam marrë ende asnjë informacion. Fatkeqësisht nuk jam thirrur nga askush, as struktura policore dhe as institucione gjyqësore, të paktën për të ditur se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Kam ndërruar kamerat në shtëpinë time dhe kam vendosur kamera më cilësore që tregojnë tani dhe gjatë natës kur nuk ka dritë për të parë ndonjë lëvizje në shtëpi. Shpresoj që të paktën institucionet e sistemit të më informojnë për atë që ka ndodhur.

I kam hyrë kësaj pune vetëm që të mund të bëj mirë, për të ndihmuar fëmijët dhe nipërit e mi të jetojnë më mirë nesër në këtë vend ku jetojmë. Mund të them që karriera ime politike është nga fundi... Gjithnjë e kam thënë që dhjetë vjet në politikë mjaftojnë. Unë kam tetë vjet që jam në politikë. Shpresoj që në 2-3 vjet të lë pas meje një ekip të mirë që do të vazhdojë dhe me të cilin do të jem krenar, sepse ata do të jenë më të mirë se unë.

Radio Evropa e Lirë: Ju thoni mjaftojnë dhjetë vjet në politikë...do të thotë se nëse nuk fitoni zgjedhjet presidenciale do të tërhiqeni nga jeta politike?

Arben Taravari: Sigurisht, sigurisht. Nëse nuk i fitojmë këto zgjedhje, mendoj se kështu duhet të jetë. Kështu është në të gjithë botën perëndimore, kështu është në të gjitha demokracitë e zhvilluara. Nëse humbisni zgjedhjet, të paktën para autoriteteve partiake... edhe pse pati zhvillime të caktuara në vendin tonë, nuk më lejuan bashkëpartiakët të kaloja të paktën një zgjedhje. Dhe unë u thashë, kërkoj besim nga të gjithë ju. Nja dy cikle zgjedhore deri në 8 maj, nëse nuk fitojmë më 8 maj, unë jam këtu për të dhënë dorëheqjen, dhe nuk do të kishte asnjë forcë që të më ndalonte të jepja dorëheqjen nëse edhe të bashkuar nuk do të fitonim. Dhe kështu do të fitojmë.

Radio Evropa e Lirë: Kur thoni nëse humbim zgjedhjet, keni parasysh zgjedhjet presidenciale apo parlamentare?

Arben Taravari: Si presidenciale ashtu edhe parlamentare, sigurisht. Zgjedhjet presidenciale do të jenë tregues për zgjedhjet parlamentare. Pra, shpresoj t'i fitojmë pa problem.

Radio Evropa e Lirë: Përndryshe, do të jepni dorëheqjen?

Arben Taravari: Ashtu do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: Cilat do të jenë tre hapat e parë që do të ndërmerrni nëse ndodh skenari tjetër, pra nëse fitoni zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut?

Arben Taravari: Nëse i fitoj zgjedhjet, gjëja e parë që do të bëja do të ishte të shkoja në Bruksel dhe të kërkoja nga politikanët evropianë që të na japin garanci se për vendin nuk do të ketë kushte të tjera për të vazhduar rrugën evropiane. E dyta, kush do të jetë mandatari i ardhshëm, do ta thërrisja, sepse duhet t'i jepet mandati për të formuar Qeverinë, do t'i kërkoja të më jepte një dinamikë për ndryshimet kushtetuese që t'i nisim sa më shpejt bisedimet, që Bukuresht i vitit 2008 të mos përsëritet. Dhe gjëja e tretë, do t'iu kërkoja partive politike dhe Qeverisë që të largohen nga nisma "Ballkani i Hapur", sepse nuk ka mbetur askush përveç vendit tonë dhe Serbisë.

Përgatiti: Isuf Kadriu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG