Të pavaksinuarit mbesin jashtë lokaleve

Your browser doesn’t support HTML5

Vaksina, pasaportë për argëtim

Në Kosovë të hënën, më 27 shtator, kanë hyrë në fuqi masat e reja për luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Masat e reja të Qeverisë së Kosovës, në të shumtën e rasteve përfshijnë kërkesa për dëshminë e vaksinimit kundër këtij virusi.

Në lokalet e gastronomisë në hapësirat e mbyllura nuk mund të hyhet pa certifikatën e vaksinimit ose testet negative për COVID-19.

Bizneset e gastronomisë janë të obliguara që të caktojnë një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura.

Lumi Xheravina është menaxher në lokalin "Remember Me" në Prishtinë. Ai thotë se e kanë mirëpritur këtë masë dhe kanë nisur të kërkojnë nga klientët dëshminë e vaksinimit apo testet që tregojnë se nuk janë të infektuar me koronavirus.

“Kanë kaluar gati dy javë që kemi qenë të obliguar të punojmë vetëm në ambientet e jashtme. Sot është dita e parë që kemi filluar të punojmë brenda. E kemi me kapacitet 50 për qind, sa është e lejuar nga Ministria e Shëndetësisë për të punuar brenda. Kontrolli për vaksinim është duke shkuar në mënyrën më rigoroze të mundshme”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: Masat e reja në Kosovë të fokusuara në vaksinim

Pothuajse të gjithë klientët që kanë frekuentuar këtë lokal të hënën, thotë Xheravina, kanë qenë të vaksinuar me të dy dozat.

Këto dëshmi vlejnë edhe në institucione publike dhe private që kanë punë me palë, përfshirë punonjësit e dyqaneve ushqimore, bankave dhe floktarive. Po ashtu edhe në qendrat tregtare, klientët dhe stafi duhet të jenë të pajisur me njërën nga dëshmitë e kërkuara.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, e kanë mirëpritur këtë masë. Ata kishim marrë me vete dëshmitë e vaksinimit. Disa i kishin këto dëshmi në telefon, e disa në formë fizike.

Gazmend Badivuku thotë se kjo është mënyra më e mirë për të rritur vaksinimin dhe për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Sa i përket lokaleve, natyrisht që jam dakord të bëhen, sepse asnjëri nuk e di kush është bartës apo kush ka virus. Kështu që për mbrojtjen e qytetarëve, shëndetit publik unë jam dakord të ketë këso masash për shëndetin e njeriut”, thotë ai.

Ajete Ukshinaj ka marrë dy doza të vaksinës. Dëshminë e vaksinimit e kishte në telefon dhe ajo nuk pati problem që të futej në hapësirat e brendshme të lokaleve.

“E shkëlqyeshme, ky është një veprim i mirë të dëshmojmë (vaksinimin). Njerëzit duhet të gjithë të vaksinohen. Pa vaksinë nuk e shpëtojmë popullin tonë”, shprehet Ukshinaj.

SHIKONI EDHE: A duhet të bëhet vaksinimi i detyrueshëm?

Në terren të hënën janë parë edhe inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Zëdhënësi i këtij institucioni, Lamir Thaçi i tha Radios Evropa e Lirë se inspektorët janë duke inspektuar në bazë të vendimit të qeverisë.

“Deri më tani nuk kemi të raportuar ndonjë gjobë, por asnjë shkelje e masave nuk do të tolerohet. Jemi të interesuar që masat që vendosen të bëhen të zbatueshme në mënyrë që me këtë hapje të lehtë të mos lejojmë që të rritet numri i rasteve me koronavirus”, tregoi ai.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia masat që kanë hyrë të hënën në fuqi do të vlejnë dy javë, por, nuk përjashtohet mundësia që të merren masa të reja kufizuese apo lehtësuese, varësisht nga situata epidemiologjike.

Kosova së fundmi ka shënuar rënie të numrit të rasteve të reja me koronavirus.

Raste aktive me koronavirus janë mbi 3 mijë e 600.

Në Kosovë përdoren vaksinat e AstraZenecas dhe Pfizer/BioNTech.

Deri më 27 shtator, 28 për qind e qytetarëve në Kosovë janë të vaksinuar me të dy dozat.