Të jesh nënë e baba për më shumë se dy dekada

Një ngjarje e mbajtur në Prishtinë në kujtim të personave të zhdukur. Fotografi nga arkivi.

Edi Dylhasi nga Gjakova thotë se para 22 vjetësh iu përmbys bota.

Kjo ndodhi gjatë luftës më 1999, në ditën kur forcat serbe morën me forcë bashkëshortin e saj, Myrtezain, që atëbotë ishte 25 vjeç.

“Është marrë para syve tonë. E ka pasur vajzën në dorë dhe i kanë thënë ta lëshojë vajzën. E kanë marrë pa asnjë arsyetim tjetër”, thotë Edi për Radion Evropa e Lirë.

Që nga ajo ditë, për fatin e Myrtezait nuk dihet asgjë.

Edi Dylhasi së bashku me vajzën e saj Gentën, që ishte dyvjeçare kur iu zhduk babai, u detyruan që të nisnin një jetë të re, të vetme.

“Sapo kishim nisur të krijojmë familje... E pastaj më është dashur ta vazhdoj jetën krejt e vetme, që ta rris vajzën. Bota më është dukur se më ka rënë mbi kokë”, thotë ajo.

“E kam lënë veten anash për ta shkolluar vajzën”

Gjatë këtyre viteve, ajo thotë se si familje janë lodhur në të gjitha aspektet dhe veçanërisht pritja e ka rënduar Edin në aspektin psikologjik.

Edi u ballafaqua me kushte të vështira dhe për një dekadë jetoi nga ndihmat e disa shoqatave. Qëllimi i saj i saj ishte vetëm shkollimi i Gentës.

“Dhjetë vjet kam qenë pa punë, vetëm me ndihma. Kam kursyer për kujdesin ndaj vajzës. Pas një kohe jam punësuar, veten e kam lënë anash për ta shkolluar vajzën”, tregon Edi.

Edi dhe Genta Dylhasi pozojnë pranë fotografisë së Myrtezait, që është i zhdukur që nga viti 1999.

Ajo thotë se jeta si kryefamiljare e pa bashkëshortin pranë, është shumë sfiduese.

"Jeta vetëm është shumë e vështirë, gjithmonë duke i shikuar sytë e të tjerëve. Nuk kam fjalë për të përshkruar sesa e vështirë është. Për çdo problem duhet të merresh vetë. Tash e kisha në një operacion vajzën, e krejt duhet të vraposh vetë", thekson ajo.

“Pse babai nuk më thirri në telefon në ditëlindjen time?”

Me vështirësi të njëjta është ballafaquar edhe Sillvana Marinkoviq nga Graçanica, komunë me shumicë serbe, që gjendet afër Prishtinës.

Sillvana Marinkoviq.

Ajo ishte 27-vjeçare kur bashkëshorti i saj Gorani u rrëmbye diku në autostradën Prishtinë-Gjilan më 1999. Sillvana mbeti e vetme me dy vajzat – Draganën që atëbotë ishte trevjeçare vjeçare dhe Tamarën shtatëmuajshe.

Sillvana thotë se gjithmonë ka shpresuar se Gorani do të kthehej, e ndërkohë, në të gjitha mënyrat është përpjekur që për vajzat e saj të bëhej edhe nënë edhe baba. Vajzave u kishte thënë se babai ishte në Perëndim duke punuar.

“Fëmijët ishin të vegjël dhe pyetjet ishin shumë të vështira. Pjesa më e vështirë ishte gjetja e përgjigjeve të duhur për ato pyetje: ‘Ku është babai, kur do të vijë, pse babai nuk më thirri në telefon në ditëlindjen time’, dhe pastaj fillonin të qanin, duke thënë se ‘të gjithë erdhën për ditëlindje vetëm babait nuk iu kujtua të na thërrasë në telefon’”, tregon Sillvana.

Sillvana thotë se nuk e mban mend momentin kur vajzat e saj kuptuan se babai i tyre mund të mos kthehej kurrë në shtëpi.

“Ato e kuptuan vetë sepse unë dëgjoja në televizor gjithçka që kishte të bënte me të zhdukurit. Ato vinin me mua në tubimet e shoqatave të personave të zhdukur”.

Edhe Sillvana ia dedikoi jetën e vetë shkollimit të vajzave të saj, por thotë se ky rrugëtim nuk ishte i lehtë.

"Më mungonte ajo mbështetje morale, kur merrja vendime të mëdha që lidheshin me edukimin e fëmijëve", tregon Sillvana, duke shtuar se thellë brenda vetes beson se burri i saj Gorani është gjallë.

"Ne kur flasim për të, gjithmonë themi: ‘kur të vijë ose kur të kthehet’", thotë Sillvana dhe thekson se kurrë nuk do të heqë dorë nga kërkimi për burrin e saj.

“E kam rritur djalin me vuajtje”

Erblin Ujkani e njeh babanë e tij, Nexhatin, vetëm përmes një fotografie të vendosur në murin e shtëpisë së tij në Vinarc të Komunës së Mitrovicës.

Drita Ujkani.

Drita Ujkani ka jetuar me bashkëshortin e saj, Nexhatin vetëm pesë vjet.

Nexhati, 31-vjeçar, u vra më 3 maj 1999, bashkë me vëllanë e Dritës, Vehbi Hamzën, 23 vjeç, teksa iknin nga forcat serbe. Trupat e pajetë të tyre u gjetën katër vjet më pas dhe u rivarrosën në vendlindjen e tyre.

Erblini, djali i Dritës, ishte vetëm trevjeçar kur ia vranë babanë.

Drita, e cila tani është 53-vjeçare, thotë se ka vuajtur shumë dhe vazhdon të vuajë në mungesë të bashkëshortit të saj.

“Burri ma ka lënë një djalë. E kam rritur djalin me vuajtje. Një kohë kam jetuar në shatorr, pastaj një shoqatë na e ndërtoi një shtëpi. Kushtet e vështira, me 62 euro kam jetuar dhe më vonë, e kanë bërë 170”, tregon Drita për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thotë se jeta për të ishte dhe vazhdon të jetë e vështirë në mungesë të bashkëshortit. Sipas saj, të jesh kryefamiljare dhe pa burrë në Kosovë, nuk është aspak e lehtë.

Nexhat Ujkani. Kjo është fotografia e vetme që familja e tij ka, pasi kujtimet e tjera i kanë humbur gjatë luftës.

“Duhet të sigurohen të gjitha gjërat për familje, edhe drunjtë (për ngrohje gjatë dimrit). Djali është rritur, por edhe ai është i papunë. Që tri vjet e ka kryer shkollën dhe në mungesë të kushteve nuk e ka vazhduar fakultetin dhe tash është në shtëpi”.

"E vështirë shumë, veç ai që e provon e dinë sa është e vështirë. Edhe të rrisësh fëmijë, edhe të mbash shtëpi, të përgatitësh për djalin, me veshmbathje e të gjitha”, thotë Drita.

1.630 të pagjetur

Kosova ende vazhdon të kërkojë 1.630 persona të zhdukur gjatë luftës më 1998/99, kryesisht shqiptarë. Një vit më herët, ky numër ka qenë 1.643.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, shoqatat që merren me të zhdukurit, kanë bërë thirrje që kjo çështje humanitare të depolitizohet.

Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, në Prishtinë u vendosën kartonë në forma të njerëzve për të kujtuar 1.630 personat që ende konsiderohen të pagjetur që nga lufta e fundit në Kosovë.

Çështja e ta pagjeturve ka qenë pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në shtator të vitit 2020, zyrtarët e delegacionit të Kosovës kishin deklaruar se është arritur me Serbinë një marrëveshje për të pagjeturit. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.

SHIKONI EDHE: Kandiq: Serbia nuk do t’i hapë arkivat e periudhës së luftës 

Zyrtarët e qeverisë së kaluar, të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, kishin theksuar se pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit do të zbatohen vetëm në rast se arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese me Serbinë.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çështja e të pagjeturve nga koha e luftës është një plagë e hapur dhe se “është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë”.

Kontribuoi: Sandra Cvetkoviq