Përpunimi i të dhënave përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në sektorin publik, privat dhe atë të marketingut ose dërgimi i mesazheve promovuese në numrat e telefonit të qytetarëve, janë ankesat më të shpeshta të qytetarëve kur bëhet fjalë për keqpërdorimin e dhënave të tyre personale.
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) që është përgjegjëse, veç tjerash, për mbikëqyrjen dhe ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, gjatë vitit 2020 ka pranuar 60 ankesa, kurse gjatë këtij viti (2021) 18, ku tetë prej të cilave kanë kërkuar inspektim.
Drejtori i Departamenti ligjor në këtë agjenci, Valon Kryeziu, thotë se ankesat janë pranuar nga qytetarët, por edhe nga organizata të ndryshme.
Kryeziu thotë se ankesa ka pasur edhe lidhur me transferimin e të dhënave brenda kompanive ose edhe jashtë tyre.
"Ka pasur raste kur institucioni ose kontrolluesi i të dhënave ka përpunuar të dhëna jashtë qëllimit për çka i ka marrë. Ne i kemi evidentuar këto raste dhe kemi kërkuar nga ky kontrollues që ato të dhëna të mos i përpunojë më tutje dhe e kemi udhëzuar që ato të dhëna që i ka transmetuar te kontrolluesi ose përpunuesi tjetër, t’i asgjësojë”, thotë Kryeziu.
SHIKONI EDHE: Ndihma që Kosova ia kërkoi Facebook-utAi shton se viteve të fundit ka rritje të ankesave ku qytetarët pretendojnë se u janë keqpërdorur të dhënat e tyre, por sipas Kryeziut, ka edhe rritje të kërkesave për mendime sa i takon aspekteve ligjore. Deri më tani, AIP nuk ka pasur ndonjë rast penal, që ta dërgojë para sistemit të drejtësisë.
“Ato, që të paktën kanë ardhur si ankesa të caktuara, nuk janë konsideruar vepra të natyrës penale, por shkelje dhe i kemi trajtuar në proces administrativ”, tregon Kryeziu.
Qytetarët duhet të dinë se ku shkojnë të dhënat personale
Qytetarët të cilët kanë argumente se të dhënat e tyre janë keqpërdorur, mund të drejtohen në agjenci, por edhe duke vizituar ueb-faqen e agjencisë, ku përmes një vegëze kanë mundësi që të parashtrojnë ankesë.
Agjencia synon që të realizojë objektivat e saj në ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë dhe qasjes në dokumente publike.
"Qytetarët duhet të kenë kujdes se ku i japin të dhënat e tyre, cilat llojet dhe sasia e të dhënave, cili është qëllimi. Qytetari ka të drejtë dhe duhet të kërkojë në çdo kohë nga kompanitë e institucionet se çka bëhet me të dhënat e tyre", thotë Kryeziu.
Agjencia për Informim dhe Privatësi që është përgjegjëse edhe për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për qasje në dokumente publike, ku deri tash ka pranuar 26 ankesa ka aprovuar 12, ndërkaq në shqyrtim ka 14 të tjera.
Sa ka siguri në qasjen në internet?
Njohësit e teknologjisë informative kanë tërhequr vërejtjen që qytetarët duhet të kenë kujdes për të dhënat e tyre personale, në momentin kur lidhen në internet në vende të ndryshme.
Ermal Sadiku, inxhinier i teknologjisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët, kur lidhen me linjat publike të internetit kudo në Kosovë dhe jashtë vendit, nuk duhet të përdorin aplikacione e teknologji të ndjeshme, pasi që nuk konsiderohen të sigurta.
Sadiku thotë se të dhënat personale mund të keqpërdoren më së shumti kur bëhen blerjen online.
SHIKONI EDHE: Rriten blerjet online në Kosovë – më të kërkuarat vaji, pastat dhe veshjet sportive“Nuk është se kemi mbrojtje të mirë, nuk është se të dhënat i kemi të sigurta. Për fat, nuk është se hakerët e njohur në botë kanë interes, siç ndodh në Rusi, Kinë, Ukrainë e në vende tjera. (Hakerët) Nuk kanë interes për të dhënat tona dhe kjo na jep njëfarë lloj lehtësie në gjithë këtë problematikë. Përndryshe, nëse do të kishin interes, ata patjetër që do ta kishin të lehtë t’i merrnin këto të dhëna”, shton Sadiku.
Kosova ka Ligjin për mbrojtje e të dhënave personale. Ligji përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat ndëshkuese lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit. Me ligji përcaktohen përgjegjësitë e institucionit përgjegjës për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave dhe qasjes në dokumente publike.