Të bëhesh nënë në kohë koronavirusi

Mëngjeset nisin ndryshe për Diellza Paloja-Osmanin, prej kur ka sjellë në jetë djalin e saj Blinin.

Në zërin e nënës së re vërehet shumë dashuri dhe vullnet teksa tregon se prioriteti i saj tani është vetëm të sigurohet se foshnja e saj është mirë dhe po ndihet rehat.

Dhe ka qenë pikërisht mbrojtja e jetës së tij dhe vetes, ajo që ka menduar vazhdimisht kur ka pasur vështirësi që të mbajë maskë dhe doreza gjatë procesit të lindjes, për t’u mbrojtur nga infektimi me koronavirus, ani pse këto masa ia kanë rënduar dhimbjet.

“Ka qenë më siklet, sepse ka ekzistuar frika mos është infektuar dikush afër meje, mos po infektohem unë, mos po ia bart edhe foshnjës virusin, kjo e ka bërë këtë përvojë më ndryshe sesa ato të nënave në të kaluarën”, ka thënë ajo.

Blini në ditët e para të jetës.

Blini në ditët e para të jetës.

Për dallim nga Diellza, Dorentina Thaqi-Mehmeti, është bërë nënë për herë të dytë. E pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse ka qenë e stresuar para se të lindte Nilin, në maj të këtij viti, pas situatës së krijuar me koronavirusin e ri, ajo ka thënë:

“Ne fillim po, kur filluan të shfaqeshin rastet e para në Kosovë e sidomos në kohën kur rezultuan pozitivë disa mjekë në repartin e Gjinekologjisë. Duke qenë edhe gazetare dhe duke qenë se kam punuar deri në muajin e fundit të shtatzënisë, u jam ekspozuar lajmeve nga më të ndryshmet. Mirëpo kur është afruar fundi i shtatzënisë më ka qetësuar zvogëlimi i rasteve në Kosovë dhe masat që janë marrë brenda repartit duke mos lënë asnjë shoqërues brenda, si dhe kontrollet (temperatura) në pranim”.

Profesoresha e Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Zamira Hyseni, pohon se te gratë shtatzëna është raportuar një nivel më i madh i frikës nga përhapja e koronavirusit. Distancimi fizik, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë, është një tjetër faktor që tregon se kjo periudhë ka ndikuar te nënat shtatzëna, të cilat kanë nevojë për mbështetje shtesë gjatë këtij procesi, që edhe në rrethana jo të lidhura me virusin, është mjaft delikat.

“Procesi i paslindjes, përkundër që shton një nivel të entuziazmit, gëzimit dhe lumturisë, në raste të caktuara shoqërohet edhe me frikë dhe ankth. Prandaj, përveç ndryshimeve që mund t’i kenë prindërit, në veçanti nënat, përgjatë procesit të adaptimit me prindërimin dhe foshnjat e tyre, mundësitë më të mëdha vërehen në situata të tilla stresuese, të cilat mund të shkaktojnë luhatje më të mëdha në disponim, të rrisin nivelin e ankthit, por ato mund të kenë një dozë të shtuar të stresit për shkak të pandemisë”, ka argumentuar ajo për Radion Evropa e Lirë.

Si vendim shumë të rëndësishëm ajo e konsideron edhe shfrytëzimin e alternativave që ekzistojnë në Kosovë, të cilat ndihmojnë në menaxhim të stresit gjatë kësaj periudhe.

Në mesin e tyre ajo përmend se:

“Ekzistojnë linja të ndihmës për mbështetje psikologjike falas, të cilat janë realizuar nga Departamenti i Psikologjisë dhe Ministria e Shëndetësisë, si dhe një faqe online e shëndetit mendor, në​ të cilën gjenden disa video psiko-edukuese, që mund të ndihmojnë më mirë në menaxhimin e depresionit dhe ankthit”.

Si të kujdeset një nënë e infektuar me Covid-19 për foshnjën e saj?

Si Diellza, ashtu edhe Dorentina nuk janë testuar nëse janë të infektuara me këtë virus kur janë pranuar në spital.

Mirëpo Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive të QKUK-së ka thënë për Radion Evropa e Lirë se një gjë e tillë nuk është praktikë në këtë institucion pasi nuk është vërtetuar se gratë shtatzëna janë më të rrezikuara sesa popullata tjetër e përgjithshme.

“Megjithatë, për shkak të ndryshimeve që mund të ndodhin në trupin e një gruaje që është shtatzënë si dhe ndryshimet që mund të ndodhin sa i përket veprimit të sistemit imunitar, atëherë gratë shtatzëna duhet të jenë më të ndjeshme ndaj infeksioneve respiratore në përgjithësi, por edhe ndaj infeksionit me sëmundjen Covid-19”, ka thënë ai.

Nëse ndonjëra prej këtyre grave tregon simptoma të virusit, infektologu Krasniqi, ka thënë se të njëjtat kthehen në prioritet për testim.

SHIKONI EDHE: Masa të veçanta për shtatzënat e prekura me koronavirus në Kosovë

I pyetur nëse koronavirusi kalon nga nëna në frytin e saj, Krasniqi ka thënë se deri më tani ky virus “nuk është arritur të gjendet as në lëngun amiotik dhe as në qumështin e gjirit të nënës”.

“Prandaj konsiderohet se virusi nuk mund të infektojë frytin gjatë kohës së shtatzënisë”.

Mirëpo për nënat e prekura me këtë virus, infektologu Krasniqi udhëzon që ato:

-të pastrojnë duart shumë më shpesh, gjithmonë para se pasi të kenë kontakt me foshnjën

-duhet të vendosin maskën gjatë ushqyerjes së foshnjës me gji, apo gjatë mbajtjes së saj në dorë

-gjatë ushqyerjes me gji, ato të kthejnë kokën në drejtim e kundërt të foshnjës që ushqejnë

- të pastrojnë dhe dezinfektojnë të gjitha hapësirat që prekin.

Shtatzënia dhe gjidhënia për gratë e prekura me COVID-19

Koronavirusi shtyn takimin e foshnjave me familjarët

Masat e shtuara në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për të luftuar koronavirusin e ri, ia kanë shtyrë Blinit takimin me babain, Kushtrimin, për dy ditë, derisa Diellza ka dalë nga spitali me të birin.

Njëjtë i ka ndodhur edhe Gramos Mehmetit, bashkëshortit të Dorentinës. As ai nuk e ka parë djalin e tij të dytë në orët e para të lindjes, për shkaqe të sigurisë.

large Si i prek koronavirusi fëmijët?

Dhe jo vetëm ata. Të dyja nënat si, Diellza, ashtu edhe Dorentina kanë thënë se pjesëtarët e familjes së gjerë nuk i kanë takuar foshnjat e porsalindura.

“Prindërit e mi nuk kanë pasur kontakt me foshnjën, mirëpo tërë kohën në telefon po e shohim atë përmes kamerës dhe po u shuhet malli. Po kemi kujdes më shumë sesa herët e kaluara, që të mos kemi kontakt me shumë njerëz, por edhe rrethi po na kupton dhe nuk po bëhen vizita gjatë kësaj periudhe të rrezikshme”, ka thënë Diellza Paloja-Osmani.

Ngritja e vetëdijes për mbështetje emocionale

Profesoresha Hyseni sugjeron mbajtjen e kontakteve në një formë tjetër, në pamundësi të atyre fizike.

“Mund të kemi mbështetje sociale pasi sot gjithçka e të qenët fizikisht afër është shndërruar në formatin virtual. Kjo mund t’iu mundësojë prindërve, qytetarëve në përgjithësi, që të mbajnë raporte të afërta me familjarët dhe miqtë, me të cilët ndjehen rehat dhe mirë, dhe mund ta mbështesin njëri-tjetrin në situata sfiduese”, ka shtuar mes tjerash ajo.

large Mburojat që mbrojnë foshnjat nga koronavirusi

Si veprim shumë të rëndësishëm Hyseni e konsideron edhe kërkesën e nënës për ndihmë të bashkëshortit pasi ashtu thekson ajo “mund të ketë ndarje të përgjegjësive prindërore si dhe ngritje të vetëdijes për rëndësinë e mbështetjes së nënës në këtë periudhë, në raport me mbështetjen emocionale”.

Sipas autoriteteve shëndetësore, përgjatë një viti lindin rreth 30,000 foshnja në Kosovë.