Tanke, dronë dhe ushtarë luftojnë për fshatin rus në ofensivën e Kurskut

Një sulm rus me dronë pranë Berdinit, në rajonin Kursk të Rusisë.

Një dron i afrohet një kolone tankesh që po çajnë përpara përgjatë fushës së mbuluar me borë, tregojnë pamjet e publikuara nga Garda Kombëtare e Rusisë, vendndodhja e të cilave u gjet nga Radio Evropa e Lirë (REL).

Ky sulm ndodhi në jugperëndim të fshatit Berdin, në rajonin e Kurskut në Rusi, ku Ukraina e nisi një ofensivë të re më 5 janar.

Për këtë, REL-i gjithashtu ka verifikuar pamje të dronëve rusë që shfaqin mjete të blinduara ukrainase në afërsi.

Forcat ukrainase e nisën një ofensivë befasuese në Kursk në gusht, duke marrë kontrollin e disa territoreve. Që atëherë, ato kanë zmbrapsur përpjekjet e Rusisë për t’i dëbuar plotësisht.

SHIKONI EDHE: Ukraina nis ofensivë të re në Kursk të Rusisë

Në anën tjetër, burimet zyrtare ruse kanë pretenduar se e kanë ndaluar ofensivën e re ukrainase.

Më 6 janar, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se kishte shkatërruar tanket ukrainase rreth fshatit Berdin dhe se kishte parandaluar përparimin e tyre.

Gjatë kësaj kohe, blogjet pro luftës ruse gjithashtu raportuan nga zona.

Kanali MIG Rossyy në Telegram tha se forcat ukrainase po lëviznin rreth Berdinit, por nuk po e sulmonin atë. Ata shtuan se forcat ukrainase po përdornin automjete të blinduara për të transportuar këmbësorinë në këtë zonë.

E pamjet satelitore nga 5 janari treguan se zona ishte e mbushur me gropa të mëdha, të cilat tri ditë më parë nuk ishin aty.

Gropa të mëdha nga granatimet intensive mund të shihen në një imazh satelitor të Berdinit, rajoni i Kurskut, 5 janar.

Një tjetër blog ushtarak rus, exilenova_plus, postoi një video të një ushtari rus në rajon që tha se situata ishte "e komplikuar".

Të tilla përleshje u raportuan gjithashtu në disa vende të tjera në Kursk, përfshirë fshatrat Totkino, Leonidovo dhe Pushkarnoie.

Kjo ka nxitur thashetheme se lëvizjet rreth Berdinit mund të jenë sulm mashtrues – që ka për qëllim t’i tërheqë forcat ruse nga vende të tjera në front.

Komandanti i një njësie çeçene që operon me forcat ruse në Kursk, gjeneralmajor Apti Alaudinov, postoi një video ku tha: "Ne po shohim një përqendrim të pajisjeve të armikut [ukrainase] në një drejtim tjetër".

Sidoqoftë, shkalla e operacionit ukrainas deri tani mund të tregojë se synimet e saj janë taktike dhe jo strategjike.

Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë i është dhënë qasje ekskluzive për të xhiruar një prej njësiteve të dronëve me rreze të gjatë veprimi të Ukrainës:

Your browser doesn’t support HTML5

Dronët që po i ndihmojnë Ukrainës të sulmojë thellë brenda Rusisë

"Synimi këtu është të kapet qyteti Bolshoie Soldatskoie... për të komplikuar logjistikën ruse", tha analisti ushtarak Yan Matveyev për Current Time.

Ndërkaq, eksperti izraelit ushtarak, David Gendelman, tha për REL-in se ende nuk është e qartë se cili do të jetë synimi kryesor i sulmit. Por, ai shtoi se synimi mund të jetë sigurimi i një pozicioni të Ukrainës në Rusi.

“Nëse ka pasur direktivë politike për ta mbajtur atë pozicion, një sulm shtesë ka kuptim", shtoi ai. "Veprimet luftarake janë gjithmonë një mënyrë për të realizuar një vendim politik".

Derisa vendndodhja e betejës mund të përcaktohet, është më e vështirë të parashikohet se si do të zhvillohet ajo.

Në të njëjtën kohë, është një bloger ushtarak ukrainas i cili raportoi për "panik" në linjat ruse dhe tha se atje janë hasur edhe njësi koreanoveriore që luftojnë për Moskën.

E blogu rus pro luftës Rybar tha se disa mjete ushtarake ukrainase hynë në Berdin në një moment të luftimeve. Sipas blogjeve të ndryshme ruse, është raportuar për sulme ruse që shkatërruan kolona tankesh ukrainase në pjesë të tjera të Kurskut.

SHIKONI EDHE: Trupat e Koresë së Veriut pësojnë rëndë në përballje me Ukrainën

Pikërisht pas kësaj ngjarjeje, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Ukrainase lëshoi një komunikatë më 6 janar, duke thënë: "Në rajonin e Kurskut, mbrojtësit ukrainas ndaluan 17 sulme nga [rusët], 45 beteja të tjera vazhdojnë".

Por, REL-u nuk ka mundur t’i verifikojë këto pretendime të fushës së betejës.

Analisti ushtarak ukrainas, Pavlo Narozhniy, i tha REL-it se është shumë i kujdesshëm në vlerësimin e raportimeve nga Kursku, tani për tani.

Pyetjet kryesore, tha ai, kanë të bëjnë me kapacitetin e Ukrainës për një ofensivë të re.

"A kemi numër të mjaftueshëm rezervash të lira dhe artileri të mjaftueshme për të shkatërruar mbrojtjet e armikut [Rusisë] që tashmë janë ngulitur në pozicione? A kemi mjaftueshëm mjete të blinduara?", pyeti ai.

Ditët në vijim mund të ofrojnë disa përgjigje për këto pyetje.

Përgatiti: Erza Elezaj