Ndërlidhjet

Ukraina nis ofensivë të re në Kursk të Rusisë


Ukraina pati nisur ofensivë të befasishme në Kursk edhe në gusht të vitit 2024. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Ukraina pati nisur ofensivë të befasishme në Kursk edhe në gusht të vitit 2024. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ushtria ukrainase ka nisur ofensivë të re në rajonin rus Kursk, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe raportimeve në fushëbetejë.

Ndonëse ushtria ukrainase nuk i ka konfirmuar ende këto raportime, Ministria ruse e Mbrojtjes, ka thënë më 5 janar se “rreth orës 9:00, forcat e armatosura ukrainase kanë nisur kundërsulm për t’i bllokuar avancimet e trupave ruse në drejtim të Kurskut”.

Në deklaratë është insistuar që ushtarët rusë po “vazhdojnë të mposhtin” ushtarët ukrainas.

Shkalla e ofensivës, dhe nëse do të rezultojë me ndryshime në vijë të frontit, nuk dihen, mirëpo disa zyrtarë ukrainas kanë dhënë sinjale për zhvillime të reja.

Udhëheqësi i kabinetit presidencial në Ukrainë, Andriy Yermak, ka thënë se ka “lajme të mira nga rajoni Kursk” dhe që Rusia po “merr atë që meriton”.

Ofensiva është raportuar të jetë nisur nga qendra Sudzha, e cila ka qenë nën kontrollin ukrainas prej gushtit të vitit 2024, dhe ka vazhduar në drejtim të Bolshoje Soldatskojes, rreth 70 kilometra larg qytetit Kursk.

Radio Evropa e Lirë nuk i ka verifikuar në mënyrë të pavarur zhvillimet e reja në Kursk.

Sipas llogarive ruse në Telegram që vëzhgojnë nga afër zhvillimet në fushëbetejë, sulmet janë duke u kryer me makina të armatosura, pajisje për pastrim minash, sisteme elektrike të luftës, dhe armë tjera që po luftojnë me sukses dronët rusë.

Trupat ukrainase patën kryer edhe në gusht ofensivë të befasishme në Kursk.

Pothuajse gjysma e tokës së kapur nga ukrainasit është rikthyer prapë nën kontrollin rus, mirëpo Kievi e ka nën kontroll Sudazhn, dhe rreth 500 kilometra katrorë të territorit rus.

Në ditët e fundit në Telegram ka pasur raportime për ofensive të re të Ukrainës, teksa kanë mbetur edhe pak ditë deri te inaugurimi i Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara.

Përgjatë fushatës zgjedhore, ai është zotuar se në rast të fitores do t’i japë fund luftës së Moskës në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG