Nëntëmbëdhjetë vjet pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, që çuan në një konflikt të përgjakshëm në Afganistan – ku u vranë dhjetëra mijëra persona – kanë nisur bisedimet, që kanë për qëllim arritjen e paqes në këtë shtet.
Zyrtarët e Qeverisë afgane, ekstremistët talibanë dhe zyrtarët amerikanë, gjenden në Doha të Katarit, ku nisën bisedimet, pas mbajtjes së një ceremonie inauguruese.
Palët “duhet të marrin vendime në përputhje me sfidat e tanishme dhe të tejkalojnë të gjitha ndasitë... duke arritur një marrëveshje ku asnjëri nuk do të jetë fitues dhe asnjëri nuk do të jetë i mposhtur”, tha ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
“Mund të ju them me besim se historia e shtetit tonë do ta kujtojë këtë ditë si fundin e luftës dhe të vuajtjes së popullit tonë”, tha Abdullah Abdullah, një ish-ministër afgan, i cili po kryeson ekipin negociator të Afganistanit.
"Delegacioni im në Doha përfaqëson një sistem politik që ka mbështetjen e miliona burrave dhe grave nga kultura të ndryshme dhe nga prejardhje të ndryshme sociale dhe kulturore në vendlindjen tonë", tha ai.
Duke folur në ceremoni, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se nisja e bisedimeve është “një moment i rëndësishëm”.
"Që të gjithë kanë përgjegjësi të madhe", u tha Pompeo pjesëmarrësve.
"Ju keni mundësinë që të tejkaloni dallimet tuaja", shtoi ai.
Lideri i talibanëve, Mullah Baradar Akhund tha se Afganistani duhet të "ketë një sistem islamik, ku të gjitha fiset dhe etnitë e vendit do ta gjejnë vetën dhe nuk do të diskriminohen".
"Negociatat mund të kenë probleme, por duhet të lëvizim përpara me durim", tha ai.
Shtetet e Bashkuara po ndërmjetësojnë bisedimet e paqes në Katar, ku përfaqësuesit e talibanëve kanë zyrë.
Në Doha pritet të bisedohet për një varg çështjesh, përfshirë një marrëveshje të përhershme armëpushimi, të drejtat e grave dhe minoriteteve si dhe për çarmatosjen e dhjetëra mijëra talibanëve dhe militantëve.
SHIKONI EDHE: Shënohet përparim në procesin e paqes në AfganistanAnalistët thonë se pavarësisht se sjellja e palëve në tavolinë të bisedimeve është një arritje e madhe, por kjo nuk do të thotë se rruga drejt paqes do të jetë e lehtë, veçanërisht me rritjen e dhunës në Afganistan.
"Asgjë nuk do të duhej të ndalojë që një marrëveshje e armëpushimit të jetë e pranueshme dhe të zbatohet nga të dyja palët", tha Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, i cili në takimin në Doha, mori pjesë përmes një lidhjeje direkte.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka nisur tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani. Ky ka qenë edhe njëri ndër premtimet gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016. Para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, Uashingtoni ka rritur presionin që të nisin bisedimet mes palëve në Afganistan.
Gjatë një konference për media më 10 shtator, Trump tha se nisja e bisedimeve është “emocionuese” dhe shtoi se Uashingtoni pritet që të ketë vetëm 4,000 trupa në Afganistan deri në muajin nëntor.
SHIKONI EDHE: Esper: SHBA-ja do të reduktojë numrin e ushtarëve në AfganistanUashingtoni ka nisur tërheqjen e disa prej 13,000 trupave që ka në Afganistan, pasi më 29 shkurt ishte arritur një marrëveshje për këtë.
Ekipi negociator i Afganistanit kryesohet nga Abdullah Abdullah i cili udhëheqë Këshillin e Lartë për Pajtimin Kombëtar. Ndërkaq, ekipin e talibanëve e udhëheqë Abdul Hakim Ishaqzai, një klerk i linjës së ashpër, i cili viteve të fundit ka jetuar në Kueta të Pakistanit, ku udhëheqësia e talibanëve afganë është vendosur që prej pushtimit të vitit 2001, të udhëhequr nga SHBA-ja, që rrëzoi nga pushteti në Afganistan këtë grup ekstremist.
Një diplomat evropian në Kabul i tha agjencisë Retuers se një marrëveshje për armëpushim – të cilën deri më tani talibanët e kanë refuzuar – duhet të jetë prioritet në këto bisedime.
“Liderët talibanë duhet të ndalojnë luftëtarët e tyre, që të mos sulmojë forcat afgane dhe civilët. Dhuna vazhdon të degradojë atmosferën dhe potencialisht të prishë edhe negociatat”, tha ky diplomat.
SHIKONI EDHE: Shpërthim vdekjeprurës shënjestron nën-presidentin e parë të AfganistanitShumë njerëz në Afganistan kanë frikë nga arritja e një marrëveshjeje e cila do të kthente talibanët në qeverisje. Talibanët, në kohën kur kanë udhëhequr me Afganistanin, janë akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriutdhe për abuzim të të drejtave të grave.
Pushteti i tyre në Afganistan përfundoi kur forcat amerikane pushtuan këtë shtet më 2001.
Atëbotë, talibanët e kontrollonin Afganistanin dhe strehuan Osama bin Ladenin, organizatorin e sulmeve terroriste.
Që prej rrëzimit nga pushteti, grupi ekstremist ka nisur kryengritje. Tani ata kanë nën kontroll pjesë të mëdha të Afganistanit.
Një koalicion, i udhëhequr nga SHBA-ja, ofron kryesisht trajnime dhe këshilla për trupat afgane në aksionet e tyre kundër terrorizmit.
Por, marrëveshja parasheh që trupat ndërkombëtare të tërhiqen, pasi talibanët të zotohen se nuk do të kryejnë akte terroriste.
Që prej vitit 2001, mbi 2,300 trupa amerikane janë vrarë në Afganistan.
Përgatiti: Mimoza Sadiku