Nën-presidenti i parë i Afganistanit, Amrullah Saleh i ka ikur me vetëm disa plagë të lehta asaj që është konsideruar tentim-vrasje ndaj tij më 9 shtator.
Si pasojë e sulmit kanë vdekur 10 persona.
Bomba është thënë se ka shënjestruar një konvoj që ka bartuar 49-vjeçarin, ish-shef të inteligjencës dhe djalin e tij.
Në një video të postuar në rrjetin social, Facebook pas incidentit, Saleh është parë me dorë të lidhur, por në gjendje të mirë.
“Unë jam mirë, mirëpo disa zyrtarë të mi për siguri janë plagosur”, ka thënë Saleh.
“Djali im, që ka qenë në veturë me mua dhe unë jemi mirë. Kam djegie në fytyrë dhe dorë. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm”.
Ky incident ka ardhur teksa rriten shqetësimet se rritja e dhunës në Afganistan mund të shkatërrojë besimin dhe të kthejë mbrapa planet për t’i dhënë fund kryengritjes dydekadëshe kundër qeverisë qendrore, të formuar pas largimit të talibanëve nga pushteti më 2001.
“Armiqtë e Afganistanit dhe armiqtë e liderëve tanë, të cilët duan të mbrojnë interesat kombëtare të këtij shteti me jetën dhe shpirtin e tyre, sot sërish kanë synuar të sulmojnë Amrullah Saleh”, ka thënë zëdhënësi i Salehut, Rizwan Murad.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, ka mohuar përmes një mesazhi për media përfshirjen e këtij grupi në sulmin ndaj Salehut.
Zyrtarët afganë kanë shtyrë udhëtimin e planifikuar për këtë javë në Doha, për të zhvilluar bisedime të paqes me talibanët, për arsye, siç është thënë, logjistike.
Të dyja palët kanë dhënë shenja se bisedimet mund të nisin shpejt, pas finalizimit të procesit të këmbimit të të burgosurve javën e kaluar.
Bisedimet e brendshme afgane duhet të jenë në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në mes të Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve në muajin shkurt.
Sipas marrëveshjes mes SHBA-së dhe talibanët, forcat ndërkombëtare duhet të largohen nga Afganistani deri në maj të vitti 2021, në këmbim të garancisë së talibanëve se do të negociojnë armëpushim të përhershëm dhe marrëveshje për ndarje të pushtetit me qeverinë afgane.