Taksa e vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka varfëruar Fondin e Mirëbesimit, i cili është krijuar për zhvillimin e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, thonë përfaqësues të shoqërisë civile në pjesën veriore të Kosovës.
Fondi i Mirëbesimit është themeluar mbi bazën e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 për doganat, ku Prishtina dhe Beogradi me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ishin dakorduar për themelimin e tij në funksion të zhvillimit të komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Sipas kësaj marrëveshjeje, paratë e mbledhura përmes mallrave që importohen në pikat kufitare në veri, përkatësisht në Jarinë dhe Bërnjak, të destinohen në Fondin për zhvillimin e katër komunave veriore: Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.
Deri në fund të vitit 2018, vlera e këtij Fondi ka arritur në mbi 15. 5 milionë euro, kurse 11 milionë euro janë shpenzuar në 30 projekte të ndryshme, disa nga të cilat janë në fazën e zbatimit, thuhet në faqen zyrtare të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Fondi, sipas BE-së, favorizon investimet në projektet publike, të cilat mund të kenë ndikim në zhvillimet socio-ekonomike në komunat në veri.
Veçanërisht, projektet që propozohen duhet të kenë për qëllim përmirësimin e jetës së banorëve lokalë. Këto projekte duhet të jenë financiarisht të zbatueshme, me kosto efektive, substanciale dhe të jenë në mbrojtje të mjedisit.
Destinimi i Fondit ndërlidhet me projektet për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës publike, përfshirë rrugët, spitalet, furnizimin me ujë, trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave. Po ashtu, Fondi mbështetë edhe projektet për bizneset, gratë, shoqërinë civile, promovimin e të drejtave të njeriut, arsimin, qasje në kujdesin shëndetësor dhe transportin.
Por, që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën doganore 100 për qind ndaj të gjitha importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, importet nga Serbia kanë rënë në minimum.
SHIKONI EDHE: Efektet e taksës, mallrat e Serbisë pakësohen dukshëm në tregun e KosovësPërfaqësues të shoqërisë civile në pjesën veriore të Kosovës, thonë se që nga vendosja e taksës, sasia e importit është zvogëluar dukshëm dhe rrjedhimisht edhe të hyrat për këtë Fond.
Dragisha Mijaçiq, nga Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial (INTER), në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se që nga vendosja e taksës nuk ka më mjete që grumbullohen në këtë Fond dhe rrjedhimisht nuk ka as financim të projekteve të reja.
“Në vitin e fundit, mendoj që ka pasur krejtësisht pak mjete që janë derdhur në atë Fond dhe natyrisht që ky është një nga efektet më negative që ka ndodhur me futjen e taksës për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Pikërisht për këtë shkak, Fondi për zhvillimin e katër komunave të veriut të Kosovës, e ka humbur çdo kuptim”, tha Mijaçiq.
SHIKONI EDHE: Prishtina dhe Beogradi ndajnë miliona euro për serbët e KosovësFunksionimi i Fondit vendoset nga Bordi menaxhues. Ky bord përbëhet nga tre anëtar: - I dërguari i Posaçëm i BE-së në Kosovë ka postin e kryetarit, ministri i Financave të Kosovës merr pjesë në emër të autoriteteve të Kosovës dhe një përfaqësues i komunitetit serb që vjen nga katër komunat veriore.
Në faqen zyrtare të zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovë, thuhet se të ardhurat nga të dy pikat e kalimit transferohen në një llogari në një bankë tregtare në Prishtinë të përcaktuar nga BE-ja.
Edhe Lulzim Rafuna, këshilltar i ministritë në largim të Financave, Bedri Hamza, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se deri më tani janë shpenzuar më shumë se 11 milionë euro apo 78 për qind e fondit për projekte të ndryshme.
“Projektet kapitale kanë të bëjnë me projekte të ujit, me çështjen e ndërtimit të rrugëve, ndërtimin ose rindërtimin e shkollave, në qendrat sportive që ndihmojnë në socializimin e të rinjve, e tjera”, tha Rafuna.
SHIKONI EDHE: Veriu i Mitrovicës, shënjestër e luftimit të krimit të organizuar dhe kontrabandësNdërkaq, Dragisha Mijaçiq, thotë se mjetet nga ky Fond janë shfrytëzuar për ndërtimin e rrugëve, blerjen e pajisjeve, ndërtimin e objekteve të ndryshme publike. Rrallëherë, thotë ai, projektet kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik, duke dyshuar se kohëve të fundit ka mungesë edhe të transparencës për projektet e fituara.
“Mjetet më shumë janë shpenzuar në zhvillimin e infrastrukturës komunale, infrastrukturës sportive ose në objektet që kanë rëndësi kulturore, në arsimim dhe të tjera”.
“Karakteristike për Fondin zhvillimor është që në kohët e fundit është zvogëluar transparenca, madje edhe rreth raportimeve për atë se cilat projekte kanë fituar të drejtën për financim dhe cilat jo”, tha Mijaçiq.
SHIKONI EDHE: Serbia premton investime milionëshe në KosovëBazuar në një raport të publikuar në faqen zyrtare të BE-së, edhe pse të dhënat nuk janë të fundit, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka shpenzuar më shumë se 3.4 milionë euro nga ky fond, pasuar nga Komuna e Zveçanit me 3 milionë euro, Komuna e Zubin Potokut me mbi 2.5 milionë euro dhe Komuna e Leposaviçit me mbi 2 milionë euro.