Ndërlidhjet

Veriu i Mitrovicës, shënjestër e luftimit të krimit të organizuar dhe kontrabandës


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Autoritetet në Kosovë janë përqëndruar në luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës. Të enjten, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë së Kosovës ka zhvilluar një operacion në veri të Mitrovicës, ku ka arrestuar tre zyrtarë policor.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se aksioni i së enjten është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar në muajin maj të këtij vitit të koduar me emrin “Kontrabanda”. Si rezultat i këtij operacioni, i cili po zhvillohet që nga muaji maj, deri më tani janë arrestuar 25 persona.

“Arrestimi i tre të dyshuarve (një toger policor, një rreshter dhe një zyrtar policor) është realizuar me urdhëresë të Prokurorisë Speciale me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare. Të arrestuarit do të intervistohen nga hetuesit e Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit Policor.

Zyrtarëve të arrestuar me vendim të prokurorit kompetent u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Pjesa veriore e Kosovës e cila shtrihet në kufi me Serbinë, sipas Doganës së Kosovës vazhdon të mbetet zona më e prekur nga krimi i organizuar dhe kontrabanda. Ndonëse sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci, në përgjithësi niveli i kontrabandës ka shënuar rënie, nëse bëhen krahasime përgjatë viteve.

“I kemi disa pjesë në të cilat ushtrojmë kontrolle më të shpeshta siç është pjesa e Kosovës veriore, aty kemi kontrabandë, por jo kontrabandë me vlera të larta, por me mallra në vlera të ulëta, po ashtu kemi tek pikëkalimi kufitar tek ‘Dheu i Bardhë’, për shkak të terrenit në atë pjesë ku kufiri Serbia - Kosovë dhe anasjelltas kalohet shumë lehtë. Po ashtu edhe në pikat tjera që lidhin Kosovën me Shqipërinë është zona ku ka kontrabandë”, tha Stavileci për Radion Evropa e Lirë.

Dogana e Kosovës dhe përfaqësues të bizneseve thonë se që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina (më 21 nëntor, 2018), është rritur tendenca për kontrabandim më të madh të mallrave në veri të vendit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë për Radion Evropa e Lirë se stimulimi i kontrabandës nga ana e Serbisë e ka ndikuar shkallën e kontrabandës në veri të vendit.

“Kontrabanda është më e përhapur në veriu i Kosovës për shkak se ka pasur më pak kontroll dhe kapacitetet e rendit dhe ligjit janë të limituara në këtë pjesë. Unë besoj që duhet të këtë një task-forcë permanente që e trajton këtë. Duhet të rriten kapacitetet institucionale për luftim të kontrabandës, jo vetëm në këtë pjesë, por në çdo pjesë të vendit”, thotë Rukiqi.

Autoritetet në Kosovë në vazhdimësi kanë theksuar se vazhdojnë përkushtimin e tyre për të luftuar pa kompromis korrupsionin dhe krimin e organizuar në veri të vendit si dhe për të shtrirë kushtetutshmërinë dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës.

Gjatë muajit maj, Policia e Kosovës kishte zhvilluar një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili kishte rezultuar me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve. Edhe atë kohë, siç kishin njoftuar zyrtarët e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës.

Video nga arkivi: Aksioni në veri

Gjatë aksionit policor, nga të shtënat me armë zjarri ishte plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, 4 zyrtarë policorë të tjerë patën marrë lëndime të lehta gjatë zbatimit të detyrave.

Operacioni policor kishte përfshirë disa rajone të ndryshme, si komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e veriut, Mitrovicë e jugut, Skenderaj dhe Drenas.

Drejtoria e Policisë së Kosovës për veri të Mitrovicës gjatë një aksioni tjetër të enjten ka arrestuar edhe tre persona (civilë) të dyshuar për vepër kriminale, grabitje. Ky aksion ishte i ndarë më atë të zhvilluar kundër krimit të organizuar në veri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG