Takimi i Selanikut, pa epilog për emrin e Maqedonisë

Takimi i ministrave të Jashtëm të Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, 4 maj 2018

Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë në Selanik, në kuadër të një konference rajonale, ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret sa i përket çështjes së emrit, bazuar në qëndrimet e deritashme të palëve.

Edhe kësaj radhe, ministrat Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias kanë theksuar gatishmërinë për vazhdimin e procesit të negociatave deri në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme, por një përkushtim të tillë ata, sikurse dhe zyrtarë të tjerë e kanë përsëritur në të gjitha takimet e deritashme.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, pas takimit ka thënë se dallimi kryesor në bisedime mbetet kërkesa greke për ndryshimin e Kushtetutës dhe mënyra e përdorimit të emrit.

"Ka ende dallime. Dje dhe sot kemi shqyrtuar kombinimet që mund të pranohen nga palët. Kjo është detyra jonë. Ne duhet t'i diskutojmë këto elemente në shtëpi dhe në mënyrë sa më të frytshme të shfrytëzojmë takimin e radhës. Fjalën qorrsokak nuk do ta përdorja. Është një investim shumë i madh... . Qëllimi ynë është që të gjejmë një zgjidhje të përhershme, të qëndrueshme, të pranueshme nga të dyja palët”, ka deklaruar Dimitrov.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka thënë se në takimin e së premtes nuk është arritur asnjë përafrim qëndrimesh pasi sikur të kishte një gjë të tillë, siç është shprehur Kotzias, “nuk do të isha në këtë konferencë për media, por diku duke u argëtuar”.

Your browser doesn’t support HTML5

"Bie Aleksandri i Madh"

Ai ka theksuar se pala greke tashmë ka paraqitur qëndrimet e saj dhe se të njëjtën duhet ta bëjë edhe Maqedonia.

“Kishim guxim të sillnim kompromisin tonë. Tani ata duhet ta sjellin kompromisin e tyre, për shoqërinë e tyre dhe t’i bëjnë hapat e radhës. Mendoj se janë njerëz të vullnetit të mirë dhe janë të gatshëm të demonstrojnë lidership politik dhe dua të jem optimist. Ata e kanë përvojën e marrëveshjes që e arritën me Bullgarinë, pas së cilës marrëveshje mund të priten punë të mira. Historia duhet të jetë mësues e jo burg, andaj të shpresojmë se nuk do të kthehemi sërish në burg”, ka deklaruar Kotzias.

Ai ka thënë se në takim është biseduar edhe për tekstet shkollore, duke lënë për të kuptuar se pala greke kërkon edhe gjëra tjera përveç ndryshimit të Kushtetutës.

“Kemi biseduar edhe për librat e fqinjit tonë të mrekullueshëm, që përmbajnë elemente të irredentizmit. Dimitrov, gjithashtu edhe kolegu im shqiptar, më pyetën se a duhet të dimë edhe për përmbajtjen e librave grekë. Ne nuk e mohojmë të drejtën që këtë ta bëjnë, asgjë nuk është e tmerrshme. Por, ne në librat e tyre kemi hasur në dhjetëra faqe, kurse ata vetëm dy apo tri faqe problematike…”, është shprehur Kotzias.

Kryeministri Zoran Zaev, para takimit të shefave të diplomacisë, tha se arritja e një zgjidhjeje të pranueshme mbetet synimi kryesor i Qeverisë, por në rast të dështimit, Maqedonia nuk duhet demoralizohet, por përkundrazi të vazhdojë me reformat për ta sjellë, siç tha ai, Evropën në Maqedoni.

“Nëse edhe më tej bllokohemi në synimin tonë për anëtarësim në NATO dhe BE, edhe pse unë besoj se kjo më nuk do të ndodhë, por nëse ndodhë, ne do të duhet që Evropën ta sjellim këtu, pasi ndryshe nuk do të mundet. Pse? Kjo për shkakun se edhe sikur të mos ekzistojë Evropa, ne do të duhej të vazhdonim me reformat pasi duhet të sigurojmë kualitetin e qytetarëve tanë”.

“Por, më duhet të them se Maqedonia përveç NATO-së dhe BE-së nuk ka alternativë tjera andaj edhe po qëndrojnë në tryezën e bisedimeve. Janë të vështira, të dhimbshme, por më e dhimbshme është kur shohin se qytetarët tanë mund të mos kenë perspektivë”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, kanë thënë se është mirë që te Qeveria e Maqedonisë mbizotëron optimizëm, por megjithatë nga ajo, sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, Llazar Llazarov, nuk varet zgjidhja e çështjes së emrit. Sipas tij, kontesti mund të mbyllet vetëm nëse pala greke heq dorë nga qëndrimet e forta në favor të një zgjidhjeje të pranueshme për dy shtetet.

“Qeveria po shpreh optimizëm të theksuar, duke filluar nga kryeministri e kështu me radhë. Kjo është për t’u përshëndetur. Por, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se zgjidhja e çështjes së emrit nuk varet nga ne, pasi sikur të varej prej nesh moti do të ishte zgjidhur. Pra, është pala greke ajo që duhet t’i jep shtytje procesit, megjithatë filozofia politike greke qëndron në atë që të kërkojnë sa më shumë për të fituar atë që dëshirojnë”.

“Duke u nisur nga kjo unë personalisht nuk pres të ndodhë diçka pasi tani më është e qartë se zgjidhje nuk mund të ketë pa ndryshimin e Kushtetutës e kjo nuk mund të ndodhë për shkak të mungesës së konsensusit te ne”, ka vlerësuar Llazarov.