Ndërlidhjet

Shkupi e Athina në kërkim të një emri për Maqedoninë


Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë, NIkolla Dimitrov
Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë, NIkolla Dimitrov

Procesi i negociatave midis Maqedonisë dhe Greqisë ka hyrë në një fazë delikate, nga i cili, të dyja palët duhet të dalin me dinjitet, kanë vlerësuar shefat e diplomacive të dyja shteteve.

Ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias janë takuar të premtën në Shkup dhe më pas janë paraqitur në një konferencë të përbashkët për media.

Paraprakisht, delegacionet e dy vendeve fqinje kanë shqyrtuar pozicionet e Athinës dhe Shkupit pas shkëmbit reciprok të draft-marrëveshjes së Greqisë dhe asaj të Maqedonisë për zgjidhjen e çështjes së emrit si dhe propozimet e ndërmjetësuesit të OKB-së Matthew Nimetz.

Megjithatë, shefat e diplomacive gjatë konferencës, nuk kanë dhënë shumë detaje se çka përmbajnë propozimet e marrëveshjeve.

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias ka bërë të ditur se tanimë 28 pika nga tri dokumentet e propozuara atë të Maqedonisë, Greqisë dhe ndërmjetësit Nimetz janë shqyrtuar, megjithëse ka shtuar se mbetet ende shumë punë për të tejkaluar të gjitha dallimet që do të çonin kah një zgjidhje afatgjate.

“Tekstet bëhen për të sqaruar pozicionet e të gjithë palëve. Sigurisht se në fund do të bëjmë një tekst të vetëm. Në parim jemi marrë vesh për pikat kyçe”, tha Kotzias.

“Ndonjëherë tjetër do ju sjell më shumë shembuj se për çfarë emrash po bisedojmë. Nuk duam që njëri shtet të shkatërrohet e tjetri të ndërtohet. Asnjëra palë nuk mund të pranojë gjithçka që propozon pala tjetër. Edhe në shtëpitë tona, madje edhe me fëmijët bëjmë kompromise”, theksoi shefi i diplomacisë geke.

Megjithatë, ai në këtë konferencë e ka quajtur Maqedoninë, “vendi veriorë”.

I pyetur se përse Greqia insiston që zgjidhja e kontestit të emrit të përfshihet në ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, Kotzias tha “Kushtetuta duhet të ndërrohet sepse bazuar në praktikat evropiane, Kushtetuta eshtë mbi çdo marrëveshje evropiane apo ndërkombëtare” dhe vëtëm ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë, sipas tij, do të paraqiste garaci se çfarëdo marrëveshje e arritur do të zbatohet.

I pyetur se përse Greqia insiston që zgjidhja e kontestit të emrit të përfshihet në ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë, Kotzias tha se këtë çështje nuk mund ta hap për momentin para medieve, përderisa palët janë duke zhvilluar negociatat.

"Bie Aleksandri i Madh"
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:08:50 0:00

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov tha se duhet të gjendet një zgjidhje e cila nuk do prek dinjitetin e asnjërës palë, por të mundësojë, siç është shprehur ai, “hapjen e dyerve të së ardhmes”.

Ndërkaq, në pyetjen e mediave greke se a do të ishte i pranueshëm për Maqedoninë, një emër i papërkthyeshëm për përdorim ndërkombëtar sië është ai “Gorna Makedonia” (Maqedonia e Epërme), Dimitrov tha do ta kishte të vështirë ta argumentonte një gjë të tillë para opinionit maqedonas.

“Në referencën e përkohshme, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ekziston emri Republika e Maqedonisë dhe ky emër është i përkthyer në gjashtë gjuhë të Kombeve të Bashkuara. Nëse thuhet shpejtë një emër ndoshta edhe mund të humbet, por ky është një argument shumë i rëndë. Besoj se ky nuk është një drejtim i duhur. Duhet gjetur një zgjidhje e cila do të na nxjerr të gjithëve kokëlartë”, tha Dimitrov.

Gjatë ditës ka reaguar partia më e madhe maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE përmes një komunikate për media, ku theksohet se “opinioni nuk ka asnjë informatë për negociatat me Greqinë, ndërsa detajet rreth bisedave i marrin vetëm përmes mediave të huaja”.

“Opinioni është i shokuar nga deklaratat e fundit se qeveria maqedonase ka dërguar propozim-marrëveshje deri te qeveria greke për të cilën nuk dihet se çfarë përmban”, theksohet në komunikatën me shkrim të VMRO-DPMNE-së.

Vizita e shefit të diplomacisë greke, është përcjellë edhe me protesta nga një grup i qytetarëve nën moton “Ndal bisedimeve për emrin”.

Protestuesit kanë thënë se janë kundër zhvillimit të negociatave në kurriz të interesave të popullit maqedonas dhe si të tilla të të ndërpriten menjëherë.

“Nuk e di se për çfarë arsye dikujt duhet t’i pengojë emri Maqedoni dhe do të duhet ta ndryshojë. Askush në këtë shtet nuk është i autorizuar që t’ia ndryshojë shtetit emrin, aq më pak ata që vijnë nga jashtë, siç është Kotzias e të tjerët”, ka thënë Suzana Zdravksoka e cila kishte dalë të protestojë derisa mbahej konferenca për shtyp e shefave të diplomacive të dy vendeve fqinje.

Ndryshe, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias me ekipin e tij mbrëmjen e së enjtes ka arritur në Shkup, duke ateruar në aeroportin e Shkupit, të cilin zyrtarët grekë e kishin anashkaluar për 12 vjet për shkak të emrit që mbante “Aleksandri i Madh”, por që së fundmi u emërua në Aeroporti Ndërkombëtarë i Shkupit.

Kotzias gjatë ditës ka realizuar takime edhe me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev, zëvendëskryeministrin për Çështje të Integrimeve, Bujar Osmani, kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferi, si dhe liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski dhe atë të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG