Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia në takimin e radhës të “Ballkanit të Hapur” që u mbajt më 7 dhe 8 qershor në Ohër, nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume.
Kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama, si dhe presidenti, Aleksandar Vuçiq, do të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin në sferën ekonomike, atë të arsimit, kulturës dhe turizmit.
Marrëveshjet, sipas tyre, do ta forcojnë edhe paqen dhe stabilitetin në rajon, pas agresionit rus në Ukrainë, për shkak të frikës nga ndikimi i ndonjë shteti tjetër, duke aluduar në Rusinë.
Marrëveshja e parë ka të bëjë me luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht, shmangies së pagesës së tatimit. Marrëveshja thekson nevojën për punë të përbashkët për të inkurajuar përmbushjen e detyrimeve tatimore në të tria vendet.
SHIKONI EDHE: Lufta në Ukrainë shkakton mungesa globale të ushqimitNë tekstin e marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Memorandumi për bashkëpunim kulturor promovon shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.
Sipas memorandumit, shtetet angazhohen për të inkurajuar lëvizshmërinë e punonjësve të kulturës, financimin e projekteve kulturore dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.
Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, shtetet parashikojnë formimin e një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”.
"Ballkani i Hapur”, bashkërisht kundër krizës energjetike dhe ushqimore
Përballja me mungesën e ushqimit dhe energjinë së bashku është një çështje, me të cilën do të përballen drejtuesit e nismës “Ballkani i Hapur”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se rajoni së bashku do të përballet me krizën ekonomike dhe mungesën e ushqimit dhe energjisë.
“Nëse e kuptojmë njëri-tjetrin, nuk do të dështojmë. Ne e kuptojmë njëri-tjetrin, e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe do t'ia dalim. Le të jetë Ballkani Perëndimor – Ballkani i Hapur”, tha Kovaçevski.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi formimin e një grupi të përbashkëta që do të punojë për përballjen me krizën energjetike dhe atë ushqimore.
Ai tha se rajoni duhet të gjejë një mënyrë për ta kapërcyer dimrin e ardhshëm.
SHIKONI EDHE: Rusia vendos kushte për lejimin e eksportit të grurit ukrainasOhër: Lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” domosdoshmëri
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se “Ballkani i Hapur”, ka mbështetjen e të gjitha bizneseve si mundësi e mirë për rajonin.
“Koha e sfidave të mëdha që kërkon vendime të guximshme, për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, për një jetë më të mirë, për evropianizimin e rajonit. Janë hapur korsitë në Tabanoc, mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe Qafë Thanë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, [Ballkani i Hapur] po jep rezultate në lëvizjen e lirë të mallrave, deri në heqjen e përfundimtare të barrierave”, ka thënë Kovaçevski.
Tutje ai ka theksuar se qëllimi i nismës është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi për të forcuar stabilitetin.
“Qëllimi ynë është i qartë, Ballkani duhet të jetë pjesë e BE-së. Lufta në Ukrainë krijon mundësi për ndikim të vendeve të treta andaj duhet të bashkëpunojmë për forcimin e stabilitetit… Me rëndësi është që BE-ja të pranojë se zgjerimi i saj është interes strategjik,. Vizioni ynë për Ballkanin është integrimi në BE. Kërkojmë që BE-ja ta pranojë mundin tonë dhe rajoni të bëhet pjesë e BE-së”, ka deklaruar Kovaçevski.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nisma e “Ballkanit të Hapur” synon lidhjen mes njerëzve dhe zgjidhjen e problemeve dhe se mbetet i hapur për të gjitha shtetet.
“Nuk do të thotë që të gjithë ta mbështesin këtë nismë, por është me rëndësi që kjo po merr mbështetje gjithnjë e më shumë. Të gjitha kërkesat për t’iu bashkuar nismës janë të mirëseardhura…Nga ne varet se si do të jetojmë me fqinjët, se a do t’i ndihmojmë njëri-tjetrit apo nëse do të jemi të gatshëm ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Kam dëshirë dhe vullnet të bëjmë punë të mira”, ka thënë Vuçiq.
Lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” një domosdoshmëri edhe më të madhe, ka theksuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Pushtimi rus i Ukrainës
REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.
“Që kur nisi lufta në Ukrainë, unë i kam ditur edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës apo Serbisë dhe Rusisë, por sot jemi këtu sepse duam të vazhdojmë drejt së ardhmes por pa i mbyllur sytë se kemi probleme të pazgjidhura”.
“‘Ballkani i Hapur’ nuk është i Serbisë siç dëgjojmë këtyre ditëve, por i të gjithë njerëzve që jetojnë këtu, është i fermerëve shqiptarë, sa më shumë të afrohemi aq më shumë zgjidhim problemet dhe armiqësitë, aq më shumë kemi mundësi të zgjidhim edhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Rama duke theksuar nevojën për më shumë afërsi dhe komunikim që “njerëzit ta kuptojnë se e ardhmja është më e rëndësishme se sa e shkuara”.
Ndërkaq, sipas kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, shtetet e rajonit duhet t’i lënë pas politikat e konfrontimeve dhe të shohin drejt së ardhmes. Ai ka thënë se pjesëmarrja e tij në takimin e Ohrit është një akt simbolik në mbështetje të nismave rajonale që promovojnë bashkëpunimin ekonomik dhe pajtimin, pavarësisht se në vendin e tij, siç është shprehur, ka forca që nuk pajtohen apo kundërshtojnë nisma të tilla rajonale.
“Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, vetëm të ardhmen mund ta ndryshojmë. Çdo gjë që ka për qëllim pajtimin do ta ketë mbështetjen tonë. Dialogu rrit besimin mes nesh dhe të mos frikësohemi prej njëri-tjetrit. Shpresoj se radhën tjetër do të jemi bashkë të gjitha gjashtë shtete, pavarësisht skepticizmin që mund të kemi”, ka deklaruar Abazoviq.
Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, ka thënë se beson që shumica e popullsisë së Bosnjës e mbështet nismën “Ballkani i Hapur”.
“Bosnja, formalisht nuk është anëtare e nismës, por shpresoj të jem i fundit këtu në cilësinë e vëzhguesit, apo çdokush tjetër që vjen këtu të flasë në cilësinë e anëtarit të nismës së ‘Ballkanit të Hapur’. Për fat të keq në Bosnje nuk ka konsensus për këtë nismë. Nuk ka përgjigje serioze se për çfarë nuk mbështetet, sikur që nuk ka përgjigje negative. Mendoj se arsyet janë pjesë e paragjykimeve nga e kaluara dhe për atë se kush është propozues, a është alternativë e BE-së. Janë edhe arsyet e ndikimeve politike pasi pretendojnë se do të pësojmë politikisht nëse pranohen këto nisma”, ka thënë Tageltija.
Ai ka treguar edhe për mëdyshjet që ka pasur pasi që i ishte dërguar ftesa për pjesëmarrje.
“Kur mora ftesën nuk dija çfarë të vendosja. Në mediat në Bosnjë kundërshtarët e ‘Ballkanit të Hapur’ pyesin se çfarë kërkoj unë në Ohër. Jam këtu pasi e di se numri më i madh i popullatës në Bosnjë e mbështet këtë projekt. Jam këtu pasi përfaqësuesit e Bosnjës kanë marrë pjesë në të gjitha bisedimet teknike që udhëhiqen në kuadër të ‘Ballkanit të Hapur’. Dhe jemi të gatshëm të nënshkruajmë dhe të pranojmë të gjitha marrëveshjet e ‘Ballkanit të Hapur’ në momentin kur do të merret vendimi politik”, ka thënë Tageltija.
Escobar: "Ballkani i Hapur" duhet të mbështetet nga të gjithë
Përmes një videolidhje pjesëmarrësve iu drejtua edhe i dërguari i Posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar, duke i dhënë mbështetje nismës së “Ballkanit të Hapur”.
“Do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të stabilizuar Ballkanin. SHBA-ja nuk e sheh Ballkanin si një pikë e problemeve nga e kaluara, por në prizmin e së ardhmes. SHBA-ja e përkrah nismën ‘Ballkani i Hapur’ sikur edhe të gjitha nismat tjera që promovojnë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe nëse ka sukses duhet të mbështeten nga të gjithë, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Escobar.
Edhe komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha se Brukseli e mbështet nismën, si mundësi, që sipas tij do t’i ndryshojë sfidat me të cilat është përballur rajoni, por edhe si mundësi për përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit.
“Pjesëmarrjen time e shoh si ftesë që BE-ja të jetë pjesë e procesit. Nisma ‘Ballkani i Hapur’ nuk është vetëm e mirë, të gjithë e mbështesin, por është edhe si mundësi që rajoni ta ndryshojë realitetin dhe t’i ndryshojë sfidat, me të cilat po përballet qe shumë vjet, për të mos thënë dekada".
"Mund të jetë edhe si mundësi për përjashtimin e rrugës drejt BE-së. Vlerësoj, nëse punën e bëjmë mirë, do të përshpejtohet integrimi ekonomik i rajonit por edhe integrimin real i rajonit në BE”, ka deklaruar Varhelyi.
Pritjet e liderëve nga takimi në Ohër
Liderët pritet të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi - për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.
Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut - jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina. Megjithatë, në Ohër, në cilësinë e vëzhguesve po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Ndërkaq, nikoqiri i takimit në Ohër, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se “në çdo takim të ri të nismëtarëve dhe miqve të ‘Ballkanit të Hapur’, ne ofrojmë bashkëpunim më të fortë, komunikim më të lehtë dhe kushte më të mira për zhvillim ekonomik”.
“Është kënaqësi që mysafirë tanë në këtë samit janë Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilët besoj se në të ardhmen do të bëhen pjesë e kësaj nisme të suksesshme”, tha Kovaçevski përmes një postimi në Facebook.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të martën në Ohër se “Ballkani i Hapur” sjell përfitime për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo iniciativë nuk e zëvendëson integrimin në Bashkimin Evropian, por është një nismë e veçantë e popujve ballkanikë.
Ai pas arritjes në Ohër tha se është një mbështetës i fortë i nisjes së negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, porse nisma "Ballkani i Hapur" është në dobi të të gjithëve.
SHIKONI EDHE: Vuçiq lavdëron “Ballkanin e Hapur”, Bosnja shpreh dëshirë t’i bashkohet nismës“Kjo nismë është më e mira në rajon në dekadat e fundit”, tha Vuçiq, teksa foli edhe nëse kjo nismë është e hapur për Kosovën.
“Sa i përket dëshirës së kujtdo tjetër për të hyrë në ‘Ballkanin e Hapur’, të gjithë janë të mirëpritur. Ju e quani Republika e Kosovës, ne e quajmë ndryshe. Nëse doni t'i zgjidhim problemet në interes të qytetarëve, a do të kemi mjaftueshëm miell, vaj dhe gjithçka tjetër, atëherë kjo është një pyetje për ‘Ballkanin e Hapur’”, tha Vuçiq.
Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, deklaroi të martën në Ohër se pret që Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës së shpejti të marrë vendim për t'iu bashkuar kësaj nisme.
SHIKONI EDHE: Çfarë pritet të ndodhë në Ohër?“Jam këtu sepse e di se pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e Hercegovinë, shumica e politikanëve, dëshirojnë të jenë pjesë e projektit ‘Ballkani i Hapur’, por edhe entitetet janë të vendosur t'i bashkohen këtij projekti. Unë jam këtu për të përcjellë mesazhin tek anëtarët e ‘Ballkanit të Hapur’ se Bosnjë e Hercegovina po përgatitet dhe dëshiron të bëhet anëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Tageltija për Radio Televizionin e Republikës Sërpska.
Edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”.
“Ballkani Perëndimor ka vend në BE dhe Mali i Zi si lider në integrim është i gatshëm të jetë shembull pozitiv në këtë proces”, shkroi ai në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.
SHIKONI EDHE: Kurti refuzon ftesën e Kovaçevskit për samitin e radhës të Ballkanit të HapurKurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më herët se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.
Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.
Marrëveshjet, mes tjerash, përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.
Tre nismëtarët e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e kanë ideuar këtë koncept në vitin 2019 me qëllim të, siç është thënë, krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.