Ndërlidhjet

Korsi e posaçme për “Ballkanin e Hapur” në kufirin mes Serbisë dhe Maqedonisë së V.


Shenja "Ballkani i Hapur" shihet në pikën kufitare, Preshevë - Tabanoc.
Shenja "Ballkani i Hapur" shihet në pikën kufitare, Preshevë - Tabanoc.

Në hyrje të vendkalimit kufitar ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Preshevë-Tabanoc, është hapur një korsi e veçantë me mbishkrimin “Ballkani i hapur”, dedikuar transportuesve të kompanive nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, të cilët kanë statusin e subjektit të autorizuar afarist, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Financave të Serbisë, më 7 prill.

Marrëveshjet për njohjen e statusit të subjekteve ekonomike të autorizuara, bazuar në një deklaratë të mëparshme të Ministrisë së Financave të vitit 2021, lehtësojnë shumë kalimin e kufirit dhe sjellin përfitime tjera për disa kompani.

Ministri serb i Financave, Sinisha Mali, ka deklaruar se nisma e “Ballkanit të Hapur” synon të përshpejtojë ndjeshëm fluksin e mallrave dhe shërbimeve, të krijojë një treg të vetëm pune dhe kushte më të mira biznesi për kompanitë.

Ai tha se kjo detyrimisht do të çojë në një zhvillim më të shpejtë të ekonomisë dhe në një standard më të lartë të jetesës për qytetarët e vendeve nënshkruese të kësaj nisme.

“Kamionët nuk duhet të presin me orë të tëra në kufi, por të gjitha procedurat e nevojshme do të kryhen shpejt dhe me efikasitet. Në këtë mënyrë ne dëgjojmë zërin e ekonomisë dhe kontribuojmë në përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit ekonomik në vendin tonë”, tha Mali.

Ai po ashtu tha se në kuadër të kësaj nisme janë nënshkruar marrëveshje, të cilat përveç lehtësimit të tregtisë, duhet të kontribuojnë edhe në bashkëpunim në fushën e inspektimeve ushqimore, fitosanitare dhe veterinare.

Mali gjithashtu rikujtoi edhe marrëveshjen e arritur për një leje të vetme të punës ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Ne po zgjidhim çështjet që rëndojnë ekonominë, si pritjet në pikat kufitare, procedurat e ndërlikuara administrative, apo mungesa e fuqisë punëtore. Të gjitha këto janë gjëra që sjellin përfitime të shumta për të gjitha vendet anëtare të “Ballkanit të Hapur”, ka deklaruar Mali.

Çfarë është “Ballkani i Hapur”?

Iniciativa "Ballkani i Hapur", që fillimisht u quajt "Mini-Shengeni", u themelua në tetor të vitit 2019.

Më vonë, në Novi Sad të Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, firmosën një deklaratë me synim të krijimit të "Mini-Shengenit” ndërmjet tre vendet.

Në mbledhjet e delegacioneve të tyre, tri shtetet kanë vendosur që lëvizja e lirë e qytetarëve të bëhet me letërnjoftime dhe që nga 1 janari 2023 të hiqen kontrollet doganore.

Gjithashtu u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore.

Në dhjetor të vitit 2021 u nënshkrua marrëveshja që lehtëson marrjen e lejeve për punëtorët nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si dhe disa marrëveshje në fushën e inspektimit veterinar dhe fitosanitar.

Iniciatorët e "Ballkanit të Hapur" kanë përsëritur vazhdimisht se kjo nismë është "gjithëpërfshirëse" dhe u kanë bërë thirrje vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor që t'i bashkohen, por Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, nuk e kanë parë me entuziazëm këtë ide.

Partitë politike në Kosovë, në pushtet dhe në opozitë, vlerësojnë se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.

Përfaqësuesit politikë të Malit të Zi si dhe të Bosnje-Hercegovinës mbeten në qëndrimin se nuk duhet të bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë për rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG