Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë përfunduar takimin te presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, pa një marrëveshje për datën e zgjedhjeve.
Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev kishte kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 14 qershor, por kryetarët e të gjitha partive tjera politike kanë thënë se së pari duhet të marrin vlerësimin e institucioneve shëndetësore dhe të KSHZ-së mbi gjendjen me koronavirusin dhe afatet që duhet të përmbushen, dhe më pas të diskutohet për datën e zgjedhjeve.
“VMRO DPMNE-ja është për zgjedhje një orë e më parë, por së pari duhet të jemi të sigurt për shëndetin e qytetarët. Nuk dua të jem kryeministër me çmimin që të kemi qoftë edhe një viktimë nga koronavirusi. Shëndeti është mbi të gjitha. Duhet të dëgjojmë mendimin e ekspertëve shëndetësor dhe më pas të caktojnë datën e zgjedhjeve”, ka deklaruar kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Kryetari i LSDM-ë, Zoran Zaev tha se drejtuesit e partive janë pajtuar që zgjedhje të ketë 22 ditë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, e cila përfundon më 17 maj.
Zaev tha se “duhet mbajtur llogari për shëndetin e qytetarëve dhe kjo mund të arrihet nëse do të jenë funksionale të gjitha institucionet. Ne kemi Kuvend jofunksional”.
Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se gjërat do të qartësohet javën e ardhshme kur edhe pritet të mbahet një takim i ri me informacione plotësuese nga Komisioni i Sëmundjeve Infektive.
“Ka mbetur që javën tjetër të kemi edhe një takim, në të cilin do të kemi informacione nga organet kompetente që të vendosim për datën e zgjedhjeve. Para, kur ti kemi mendimet e ekspertëve, do të kemi përgjigje për datën. Në gjendje lufte, fjalën e kanë gjeneralët, në rastin me koronavirusin gjeneralë janë mjekët dhe epidemiologët të cilët bëjnë analiza e rekomandime dhe të cilat të gjithë ne duhet t'i respektojmë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
SHIKONI EDHE: Zoran Zaev kërkon mbajtjen e zgjedhjeve më 14 qershorNdryshe, Xhelal Neziri, analist politik, thotë për Radion Evropa e Lirë, se partitë me qëndrimet e tyre për zgjedhjet sikur kanë lënë anash gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi, si pasojë e përhapjes së koronavirusit. Sipas tij, subjektet politike po shfrytëzojnë ditët kur ka ulje të rasteve të të infektuarve për të ngritur çështjen e zgjedhjeve.
“Partitë politike, liderët e tyre do të mbrojnë interesat e tyre të ngushta që lidhen ne projektimet partiake andaj edhe nuk kanë shumë parasysh problemin që ka shkaktuar pandemia dhe sëmundja COVID-19. Është një lojë politike e cila do të reflektohet edhe te presidenti, i cili gjithsesi se është nën presion dhe me siguri se do të duhet të vendosë që të ndërpresë gjendjen e jashtëzakonshme”, thotë Neziri.
Edhe Nikolla Dujoski, njohës i rrethanave politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se për partitë gjëja më e rëndësishme po del se janë zgjedhjet dhe ruajtja apo marrja e pushtetit.
“Partitë janë të tillë, interesi i tyre parësor është që të jenë në pushtet. Shëndeti i qytetarëve nuk është në plan të parë, sado që deklarativisht këtë e thonë, por realitet iështë krejt ndryshe. Për to pushteti është mbi të gjitha”, thotë Dujoski duke shtuar se zgjedhje duhet të ketë, por se ato duhet të mbahen pasi të ketë vlerësime të qarta se ato mund të mbahen në rrethana normale dhe pa ngarkesa për qytetarët.
“Në gjendjen në të cilën ndodhemi, të gjithë duhet të kenë kujdes për shëndetin e qytetarëve. Nuk them se zgjedhje nuk duhet të ketë, por shëndeti duhet të jetë mbi të gjitha. Nëse krijohen kushtet, edhe unë them se zgjedhje duhet të ketë, meqë duhet të kemi institucione të qëndrueshme dhe konform Kushtetutës që do të kujdesen për shëndetin e qytetarëve në këtë kohë të vështirë në të cilën ndodhet e gjithë bota”, thotë Dujoski.
SHIKONI EDHE: Maqedonia e V. përgatitet për zgjedhje në kohë pandemieAnalisti Xhelal Neziri thotë se insistimi i LSDM-së për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor dhe i VMRO-DPMNE-së për në korrik apo edhe në vjeshtë, motivohet nga vlerësimet mbi popullaritetin e tyre.
“Shihet se LSDM-ja kërkon që të ketë zgjedhje më të shpejta dhe me siguri se ka matje të disponimit në opinionin publik, i cili me siguri se është në favor të saj, ndërkohë që VMRO-DPMNE-ja në opozitë tenton që sa më shumë të shtyhen këto zgjedhje, duke shpresuar se me këtë do t’i japë më shumë hapësirë që të demaskojë qeverinë dhe të përfitojë më shumë opinionin”, thotë Neziri.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por ato ishin shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe aktualisht vendi drejtohet nga një qeveri teknike në të cilën merr pjesë edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare.