Ndërlidhjet

Maqedonia e V. përgatitet për zgjedhje në kohë pandemie


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Autoritetet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut pritet të tregojnë se kur është vënë në kontroll situata me koronovariusin për t'i hapur rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat ishin caktuar të mbahen më 12 prill, por u anuluan për shkak të koronavirusit.

Liderët e partive politike kryesore në Maqedoninë e Veriut në takimin tek presidenti i shtetit, që pritet të mbahet më 10 apo 12 maj, do të vendosin nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen gjate verës apo në vjeshtë.

Përderisa nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, theksojnë se pavarësisht se për cilën datë do të arrijnë ujdi partitë politike për mbajtjen e zgjedhjeve, paraprakisht autoritetet e shëndetësisë duhet të hartojnë protokoll të thuktë që duhet aplikuar gjatë ditës së zgjedhjeve, pa e vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve.

Aleksandar Derkovski, kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për Radion Evropa e Lirë thotë se do të rritet në masë të konsiderueshme numri i personave të angazhuar për realizmin e zgjedhjeve.

Ai shton se maskat do të jenë të paevitueshme.

“Para qendrave votuese do të duhet të angazhojmë persona të caktuar që do të masin temperaturën, pastaj do të duhet të angazhohen njerëz që do të kujdesen për dezinfektimin e hapësirave gjithashtu duhet angazhuar njerëz që do të kujdesen për respektimin e distancës fizike dhe nëse në kushte të zakonshme kemi të angazhuar rreth 35 mijë njerëz, tani mund ta merrni me mend se sa do të rritet ky numër", ka thënë ai.

”Është e qartë se gjithë kjo do të vështirësojë procesin e zgjedhjeve dhe gjithsesi do të ndikojë dhe në uljen e numrit të përgjithshëm që do të dalë për të votuar”, tha ai, duke shtuar se do të duhet të sigurohen dhe hapësira më të mëdha për të krijuar kushte që anëtarët e këshilleve zgjedhore të ruajnë distancën fizike.

Derkovski bën të ditur se gjatë ditëve në vijim do të mblidhen anëtarët e KSHZ-së për të diskutuar nëse masat që imponon koronvirusi për mbajtjen e zgjedhjeve do të mund të inkorporohen në rregulloret e KSHZ-së, pa pasur nevojë të ndërhyhet me ligj.

Ndërkaq, Subhi Jakupi, ish-anëtar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, për Radion Evropa e Lirë thotë se ekspertët e kësaj lëmie tashmë janë duke mbajtur më shumë konferenca shkencore online sa i përket procedurave për mbajtjen e proceseve zgjedhore në kushte të pandemisë së koronavirusit.

Jakupi thotë se edhe tek qëndrimet e ekspertëve ndërkombëtarë ka shumë dilema sa i përket organizimit të zgjedhjeve në kohë pandemie që procesi zgjedhor të jetë i besueshëm.

“Ne mund të flasim për zgjedhjet, por ne ende nuk dimë se çfarë do të jetë mendimi i ekspertëve ndërkombëtarë relevant siç është Asociacioni i Zyrtarëve Zgjedhor Evropian ACEEO, nga të cilët priten dhe qëndrime rreth asaj se si duhet të organizohen zgjedhjet nëse ato organizohen dhe cilat protokolle duhet ndërmarrë për organizimin e zgjedhjeve në këtë gjendje që është bota, pandeminë me koronavirusin”, thotë Subhi Jakupi ish anëtar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq nga Asociacioni qytetar, CIVIL, që tashmë më shumë se një dekadë monitoron proceset zgjedhore në Maqedoninë e Veriut konsiderojnë se gjatë verës, sapo të stabilizohet gjendja me koronavirusin, vendi është i gatshëm të shkojë pa problem në zgjedhje, sepse siç theksojnë, kjo është mëse e nevojshme për të pasur qeveri stabile pasi mosfunksionimi i parlamentit e dëmton demokracinë.

Xhabir Deralla, drejtues i Asociacionit qytetar, CIVIL, për Radion Evropa e Lirë thotë se në bazë të analizave që kanë bërë ky asociacion, vendi është i përgatitur në mënyrë solide sa i përket komunikimit elektronik mes institucioneve dhe opinionit.

Deralla shton se ka kohë të mjaftueshme që Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administrata, një pjesë të kapaciteteve me të cilat disponojnë ta riorientojnë në komunikimin dhe realizimin e shërbimeve në mënyrë elektronike.

Ai megjithatë shton se në Maqedoninë e Veriut përderisa votimi elektronik nuk është i rregulluar me ligj, ditën e zgjedhjeve megjithatë qytetarët do të duhet të dalin të votojnë në qendrat votuese duke respektuar masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Ky normaliteti i ri sigurisht së do të jetë shumë më ndryshe nga ajo që jemi mësuar kjo gjendje do të zgjasë andaj besoj se e kemi patjetër të mësohemi që të përdorim komunikimin elektronik, realizimin e shërbimeve në formë elektronike për sa i përket përgatitjes dhe gjithçka që e përcjell procesin zgjedhor.

Megjithatë, ditën e votimit qytetarët do të duhet të dalin në qendrat e votimit për të votuar dhe kjo besoj do të jetë e mundur duke respektuar rekomandimet për distancë fizike, dezinfektim të hapësirave”, thotë Deralla.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG