Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se mesnatën e së premtes në Kosovë janë kthyer 110 kosovarë të cilët ishin në zonat e konfliktit në Siri.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj , të shtunën në një konferencë të përbashkët me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri ka bërë të ditur se në mesin e personave të kthyer janë edhe katër luftëtarë.
“Nga zona e konfliktit në Siri janë kthyer në Kosovë 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë këtu edhe nëntë fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”, tha Qalaj.
Ndërkohë ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri tha se është punuar disa muaj për kthimin e kosovarëve të cilët ishin në zonën e konfliktit në Siri.
Ministri Tahiri tha se kthimi i kosovarëve nga Siria është bërë në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas ministrit Tahiri, gratë dhe fëmijët të cilët janë kthyer kanë qenë viktima të mashtrimit dhe keqtrajtimit.
“Këta qytetarë, gra dhe fëmijë kanë qenë viktima të papërgjegjësisë së personave, që për interesa çfarëdo qofshin i kanë shfrytëzuar duke ua mohuar të ardhmen pa vullnetin e tyre duke i lënë më pasoja të mëdha, në raste të caktuara edhe viktima. Këto gra meritojnë rehabilitim për një jetë të qetë dhe këta fëmijë nëpër zona të konfliktit e kanë vendin në shkolla për t'u edukuar mbi të ardhmën e tyre”, deklaroi ministri Tahiri.
Drejtori i Policisë së Kosovës, bëri të ditur se në zonën e konfliktit ende mbesin rreth 30 luftëtarë, 49 gra dhe 8 fëmijë.
Katër nga 110 personat e kthyer nga Siria e që janë në mbajtje për shkak të dyshimit se kanë qenë të rreshtuar krah grupit militant, Shteti Islamik, janë hetuar edhe më herët nga Prokuroria.
Kështu ka deklaruar Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi i cili tha se hetimet ishin pezulluar për shkak se të dyshuarit nuk ishin të qasshëm për autoritetet e ndjekjes.
“Më herët kemi filluar hetimet ndaj tyre pasi që kemi pasur informacione nga Policia e Kosovës se ata kanë marrë pjesë në grupe terroriste jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Lumezi.
Kryeprokurori Lumezi, tha se deri më tani Prokuroria e Shtetit ka ngritur 119 akte akuzuese ndaj personave që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në luftëra jashtë territorit të Kosovës. Sipas tij, poashtu, 156 raste janë në fazën e hetimeve.
Të kthyerit nga Siria, orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, janë dërguar në qendrën për azil në fshatin Vranidoll, i cili gjendet në periferi të Prishtinës.
Forca të shumta policore, duke përfshirë njësitet speciale, janë duke mbajtur të rrethuar këtë qendër, ku po qëndrojnë gratë dhe fëmijët e kthyer nga Siria.
Kthimi i kosovarëve nga Siria u bë përmes aeroportit “Adem Jashari”, i cili ishte i rrethuar nga frocat policore mbrëmjen e së premtes deri në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.
Your browser doesn’t support HTML5
Ambasada e Shteteve të Bashkura në Prishtinë ka përshëndetur kthimin e qytetarëve të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri, duke konsideruar se Kosova me këtë hap ka treguar shembull të rëndësishëm në botë.
Me këtë deklaratë, ambasada u është referuar kthimit të 110 kosovarëve në orët e para të mëngjesit të së shtunës në Kosovë.
“Përmes këtij riatdhesimi, Kosova ka treguar shembull që duhet ndjekur, për të gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe anëtarët e Koalicionit Global për mposhtjen e grupit militant, Shteti Islamik (IS)”, ka thënë ambasada.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, tha se tani është shumë i rëndësishëm trajtimi me profesionalizëm i të gjithë të kthyerve nga Siria.
“Kthimi i mbi 100 shtetasve tanë nga Siria, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, u bë i mundur falë një pune të mrekullueshme të institucioneve tona, të cilat bashkëpunuan ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Tani është shumë i rëndësishëm trajtimi me profesionalizëm i të gjithë të kthyerve. Po ashtu, çdo mbështetje prej të afërmve dhe komuniteteve të tyre, të kthyerve u ndihmon të riintegrohen sa më shpejt në shoqërinë tonë. Kosova është e orientuar kah vlerat perëndimore dhe është e përkushtuar përkrah partnerëve ndërkombëtarë në luftimin e çdo terrorizmi dhe ekstremizmi që cenon këto vlera”, tha Thaçi.
Javë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje vendeve në Evropë që t’i marrin dhe gjykojnë luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik.
Qeveria e Kosovës ka thënë atëbotë se do të veprojë njësoj si edhe shtetet e tjera anëtare të koalicionit global kundër Shtetit Islamik.
Më shumë se 400 qytetarë të Kosovës, kryesisht të rritur, kanë shkuar në gjashtë-shtatë vjetët e fundit në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e grupit militant Shteti Islamik.
Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë kanë vazhduar të mbeten në atë zonë.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë kthimin e kosovarëve nga Siria.
Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja mund të dënohet deri në 15 vjet burgim.
Shteti Islamik, i cili në vitin 2014 ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në pjesë të Sirisë dhe Irakut, është raportuar se ka humbur kontrollin në territorin e fundit në muajin mars.