Autoritetet e Kosovës, deri më tani, nuk kanë njoftuar nëse kanë identifikuar ndonjë të dyshuar për sulmet e njëpasnjëshme ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
E marta e 26 prillit ka shënuar edhe një sulm ndaj policisë - të gjashtin të tillë që nga 13 prilli.
Sulmi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Zubin Potok - komunë me shumicë serbe - dhe dyshohet se është kryer me armë zjarri. Sipas policisë, përveç dëmeve materiale në një automjet, nuk ka pasur zyrtarë të lënduar.
Prokuroria e Kosovës, tash e disa ditë, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për hetimet që po zhvillon për sulmet në veri - përfshirë atë të së martës.
Më 15 prill, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar publikun për katër sulme ndaj Policisë së Kosovës, që kanë filluar nga 13 prilli. Ndërkaq, policia ka njoftuar për sulmin e pestë më 16 prill.
Sveçla ka thënë se policia e shtetit ka qenë “cak i sulmeve të armatosura të grupeve kriminale në veri”.
Sipas autoriteteve, në sulmet ndaj policisë janë përdorur iriqë metalikë, gurë, granata dore, armë automatike dhe mjete piroteknike.
SHIKONI EDHE: Kush po e sulmon Policinë e Kosovës?Po ashtu, ka pasur dyshime se disa nga të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë.
Forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë parë të martën rreth zonës kufitare në Zubin Potok.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka kryer edhe një bastisje në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, por nuk ka treguar nëse ky aksion ka pasur të bëjë me sulmet ndaj policisë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se në këtë operacion nuk ka pasur të arrestuar.
As Ministria e Brendshme, as Qeveria e Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it për situatën e sigurisë në veri, pas sulmeve të njëpasnjëshme.
Paralajmërime për "mosbindje civile" në veri
Por, reagime ka pasur nga Lista Serbe - partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë - dhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Drejtori i kësaj të fundit, Petar Petkoviq, ka thënë se “rritja e tensioneve në terren, sidomos në veri, nuk ka të bëjë me serbët”.
Sipas Listës Serbe, tendencat janë që këto sulme t’iu mveshen serbëve.
“Ky incident [sulmi i 26 prillit] ka për qëllim destabilizimin e situatës, por është edhe tentim për t’i paraqitur serbët si banditë - gjë që nuk është e vërtetë”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë për media të mbajtur më 25 prill, ka thënë se ka informata se Prokuroria Speciale e Kosovës ka iniciuar procedura ndaj “qytetarëve serbë, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve e përfaqësuesve politikë” për atë që Kosova pretendon se “është sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës”.
“Arsyeja është protesta kundër veprimeve të njëanshme të Prishtinës, vitin e kaluar. Persekutimi i motivuar i popullit tonë. Sipas informacioneve që kemi, kjo është një procedurë ndaj më shumë se 70 qytetarëve tanë”, ka thënë Rakiq, duke mos e specifikuar se për cilën protestë e ka fjalën.
SHIKONI EDHE: Kurti: Asnjë gram tolerancë për strukturat ilegale të Serbisë në KosovëSerbët kanë protestuar në tetor të vitit të kaluar, pas një aksioni anti-kontrabandë, të zhvilluar nga Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.
Policia e Kosovës ka thënë se në atë aksion janë sekuestruar “mallra të kontrabanduara, në vlerë prej qindra mijëra eurosh”, dhe ka mbyllur disa rrugë që janë përdorur për kontrabandë.
Nëse Prishtina zyrtare fillon me “lëvizje të njëanshme, duke arrestuar qytetarët tanë, ne do të detyrohemi të rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, që përfshijnë mosbindje totale civile, për të mbrojtur të drejtat e njeriut të qytetarëve tanë”, ka thënë po ashtu Rakiq.
Ai ka bërë të ditur se Lista Serbe është takuar të hënën me përfaqësuesit e shteteve të Qunt-it - Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca - nga të cilët ka kërkuar, siç ka thënë, “të pengojnë Prishtinën në përpjekjet e saj për një kaos në veri të Kosovës”.
Po në të njëjtën ditë, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe se ne këtë takim është diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe situatën politike në rajon, por nuk janë dhënë më shumë detaje.
Misioni i NATO-s në Kosovë - KFOR, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Zyra e BE-së i kanë dënuar sulmet kundër Policisë së Kosovës, duke kërkuar që të mos bëhen veprime që mund t’i përshkallëzojnë tensionet në atë zonë.
Këto institucione ende nuk kanë reaguar për sulmin e së martës.
SHIKONI EDHE: Dënohet sulmi ndaj Policisë së Kosovës në veriKatër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, janë të banuara me shumicë serbe.
Ky rajon, ndër vite, ka qenë vatër e trazirave.
Të fundit të mëdha kanë ndodhur në shtator të vitit të kaluar, pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti ndaj Serbisë, për çështjen e targave të automjeteve.
Protestat dhe bllokadat në rrugë, të shkaktuara nga disa serbë lokalë, kanë zgjatur disa javë dhe kanë përfunduar pasi Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për targa.