Pse Suedia po i reziston trendit evropian kundër koronavirusit?

Stokholm, 25 mars, 2020.

Ndërkohë që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratojnë masa të ashpra të karantinës për të luftuar pandeminë me koronavirus, duke përfshirë edhe mbylljen e kufijve kombëtarë, mbylljen e shumë bizneseve dhe prezantimin e masave strikte për distancim shoqëror, është një vend në BE që është duke vepruar ndryshe deri më tani, Suedia.

Në Suedi, fëmijët deri në moshën 16-vjeçare ende shkojnë në shkollë. Dyqanet, restorantet dhe kafiteritë janë të hapura, ndonëse një masë e fundit e prezantuar lidhur me koronavirusin u ndalon konsumatorëve bërjen e porosisë në banak – vetëm shërbimi në tavolinë është i lejuar.

Kufijtë e këtij shteti nuk janë mbyllur dhe grumbullimet e më shumë se 50 personave ende janë të lejuara. Deri më 27 mars, ai numër ka qenë deri në 500. Në qyteza dhe qytete tjera, njerëzit ende janë duke mbushur rrugët, sheshet dhe transportin publik.

Madje nëpër rrugë është e vështirë të shihni dikë duke mbajtur maskë mbrojtëse. Ditëve të fundit, mijëra persona janë nisur nëpër qendra të skijimit në veri, ku ka pak objekte spitalore. Rekomandimi më i ashpër nga qeveria deri më tani ndaj qytetarëve ka qenë që këta të fundit të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme dhe u kanë nisur këshillë shoqërore atyre që janë mbi moshën 70-vjeçare, që të qëndrojnë në shtëpi.

Koronavirusi nuk ua ndryshon shumë jetën suedezëve

Të gjitha këto imazhe janë vështirë të kuptueshme në shtetet tjera nordike, ku kufijtë ndërkombëtarë veçse janë mbyllur javën e kaluar dhe ka nisur vëzhgimi i distancimit shoqëror.

Prandaj, politikat suedeze duken si fantazi totale për shumë njerëz në vendet tjera të BE-së, të cilët pritet të përballen me masa edhe më të ashpra sesa ato që kanë tani.

Qasja suedeze është ndjekur edhe nga Mbretëria e Bashkuar deri vonë. Vetëm disa ditë më parë, Qeveria e kryeministrit britanik, Boris Johnson ka vendosur të ndjekë trendin evropian të karantinës, pasi numri i personave të vdekur si pasojë e pandemisë me koronavirus kishte nisur të rritej ndjeshëm.

Më 27 mars, është bërë e ditur se vetë Johnson ka dalë pozitiv në testin për këtë virus.

Anders Tegnell, kryetari i Agjencisë së Shëndetit Publik në Suedi, Folkhälsomyndigheten, ka mohuar pretendimet se taktikat e Suedisë kanë për qëllim të arrijnë “imunitet grupor”, që ndodh kur një virus infekton të paktën 60 apo 70 për qind të popullsisë, të cilët më pas shërohen dhe fitojnë imunitet, duke parandaluar infektim më të madh.

Tegnell ka thënë se qëllimi i qeverisë është që të parandalojë shpërndarjen e infektimit me qëllim të mosngarkimit të shërbimit shëndetësor në asnjë pikë.

Deri më 27 mars, Suedia ka regjistruar 2,840 raste dhe 77 vdekje – shifra jo shumë të ndryshme sesa ato të fqinjve, ndonëse numri i rasteve, sikur edhe në shtetet tjera është duke u rritur shpejt në kohën e fundit.

Distancimi shoqëror si masë kundër koronavirusit

Kritikët thonë se niveli i ulët i testimeve në fakt mund të fshehë numër të madh të personave të infektuar. Tegnell është kthyer në fytyrën zyrtare të qasjes suedeze dhe vazhdimisht shihet në media.

Deri më tani, ai ka mbështetjen e plotë të qeverisë. Përgjatë fundjavës, kryeministri suedez, Stefan Lofven ka bërë një fjalim drejtuar kombit – diçka që në këtë shtet është shumë e pazakonshme – në të cilën ai ka theksuar nevojën e përgjegjësisë dhe solidaritetit, mirëpo nuk ka njoftuar për marrjen e masave të reja, ndonëse ka përmendur që kufizimet shtesë mund të jenë të domosdoshme për një periudhë të shkurtër kohore.

Pavarësisht faktit që shumica e suedezëve janë të vetëdijshëm që shteti i tyre po vepron çuditshëm në këtë kohë virusi, megjithatë duket se ka mbështetje të plotë për qeverinë.

Qytetarët në Suedi duke ndjekur fjalimin drejtuar kombit të kryeministrit Lofven.

Në një sondazh të publikuar javën e kaluar, mbështetja për partinë e Lofvenit, Social-Demokratët, në fakt është rritur për 3 për qind – çka përbën një lajm të mirë për partinë që është përballur me shpërndarje të votës në vitet e fundit.

Në një shtet me kulturë të lartë të konsensusit politik, kur edhe deklaratat më agresive mbështillen në lesh pambuku, ka pasur tejet pak rezistencë për taktikat qeveritare sa i përket luftimit të koronavirusit. Një varg figurash mediatike dhe mjekë kanë vënë në pikëpyetje mençurinë e qeverisë, derisa në një shkëmbim emailash të parë nga transmetuesi shtetëror, SVT, disa profesionistë shëndetësorë kanë kritikuar Agjencinë Folkhälsomyndigheten, duke e akuzuar atë se nuk është duke u treguar kompetente, duke rrezikuar popullsinë dhe duke analizuar me më shumë shqetësim lëvizjet ekonomike sesa rrezikun me të cilin përballet shëndeti publik.

Argumenti ekonomik duket se deri më tani ka triumfuar. Kryeministri u ka bërë thirrje qytetarëve që të blejnë ushqime për t’i marrë me vete nga restorantet lokale për të mbështetur bizneset lokale, teksa më shumë analistë kanë folur për rëniet në tregjet e aksioneve dhe shkallën e papunësisë, me të cilin mund të përballet ky shtet, sesa nëse qytetarët janë duke vdekur apo rreth raportimeve për mungesë të pajisjeve të domosdoshme shëndetësore.

Duke vëzhguar Suedinë nga afër, nga pjesë të ndryshme të Evropës për gati dy dekada, unë po ashtu po vërej “ një dallim” që e bën këtë shtet të prirur të shkojë kundër rrjedhës aktuale.

Paralelja me krizën e migrantëve në Evropë në vjeshtën e vitit 2015 është e habitshme. Atëbotë, Suedia ka folur me dhimbje për kufijtë që ngriheshin kundër qindra mijëra migrantëve që ishin nisur përmes Detit Egje drejt Evropës. Po atë vit, më shumë se 160,000 azilkërkues kanë arritur në Suedi– më së shumti për kokë banori sesa në secilin vend në Evropë – pasi qeveria nuk ka dëgjuar thirrjet për kuota dhe kontrolle nëpër kufij.

Më vonë ishte krijuar pika e kthesës, pasi për një kohë të shkurtër janë rikthyer kufijtë mes Suedisë dhe Danimarkës, dhe që nga ajo kohë bisedimet për imigrim dhe integrim kanë dominuar skenën politikën. Prandaj Demokratët Suedezë të së djathtës ekstreme kanë arritur që nga errësira të kthehen në partinë më të madhe opozitare në këtë shtet.

E vërteta është që Suedia përbën dallim në Evropë. Në një kontinent që është formësuar nga revolucionet e përgjakshme, nga konfliktet shkatërruese dhe gjenocidet, ky vend ka shmangur luftën dhe pushtimin për më shumë se 2 shekuj. Teksa shtetet tjera mund të jenë “të dëmtuara nga lufta” dhe të shohin kërcënime për kulturën dhe sovranitetin e tyre, dikush mund të thotë që Suedia mund të jetë “e dëmtuar nga paqja” pasi popullsia e saj nuk beson që mund të ndodhin gjëra të këqija dhe është krejtësisht e papërgatitur kur përballet me ndonjë krizë, që nuk mund të zgjidhet me sqarime racionale, dhe qëllim të mirë.

Thuhet se rruga drejt ferrit është e shtruar me qëllime të mira. Megjithatë, ka shpresë që rrugëtimi aktual i Suedisë nuk po e drejton atë drejt ndonjë kaldaje.

Përgatiti: Krenare Cubolli