Sedigheh Vasmaghi - një dijetare e njohur fetare dhe aktiviste politike nga Irani, e cila e ka kundërshtar haptazi ligjin drakonian për hixhabin të Republikës Islamike - ka një shpjegim të thjeshtë pse udhëheqësia klerikale e vendit e zgjedh dhunën për zbatimin me forcë të politikave të linjës së ashpër të cilat shumica e popullit s’i mbështet.
“Ata besojnë se njerëzit gjithmonë duhet t’i nënshtrohen Qeverisë pa bërë pyetje”, tha Vasmaghi për Shërbimin Farda të Radios Evropa e Lirë në një intervistë ekskluzive më 1 nëntor, vetëm pak ditë pasi edhe vetë ajo u rrah nga forcat e sigurisë derisa po solidarizohej me viktimat e luftës brutale të shtetit ndaj shkelësve të hixhabit.
SHIKONI EDHE: Mahsa Amini dhe lëvizja protestuese në Iran fitojnë Çmimin SakharovZgjedhja e dhunës për t’i imponuar rregullat e padëshirueshme siç është kodi islamik i veshjes, shpjegoi ajo, është kundër qeverisjes së mirë dhe nuk bën asgjë për t’i ulur tensionet e afatgjate mes shoqërisë dhe udhëheqësve klerikal të vendit.
“Ky është keqmenaxhim. Kushton shumë, shumë shtrenjtë shpërfillja e vullnetit të popullit”, tha Vasmaghi.
“Qeveria duhet patjetër ta ndalë dhunën dhe jo ta nxisë atë”, shtoi ajo.
Vasmaghi është autore dhe poete e shquar e cila shpesh i ka kundërshtuar autoritetet iraniane. Në vitin 2011, ishte lëshuar një urdhërarrest para se ajo të nisej për të dhënë mësim në një universitet në Gjermani. Më vonë, ajo ishte ftuar nga Rrjeti i pavarur i Refugjatëve i Qyteteve të Pavarura (ICORN), i cili ofron strehim për shkrimtarët dhe artistët në rrezik, për të jetuar në Suedi. Pasi u kthye në Iran më 2017, ajo u arrestua dhe grupet për të drejtat e njeriut e cilësuan si të nxitur politikisht dhe të lidhur me qëndrimet dhe shkrimet e saj politike.
SHIKONI EDHE: Irani i dënon me burg dy gazetaret që raportuan për vdekjen e Aminit në paraburgimNë Iran, Vasmaghi e vazhdoi zërin e saj kritik ndaj ligjit të hixhabit dhe politikave të tjera të linjës së ashpër të Republikës Islamike. Në një letër të shkruar në prill për liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei, ajo e akuzoi figurën më të fuqishme të Iranit se ishte përgjegjës për pasojat “financiare, fizike, shoqërore, morale, psikologjike dhe politike” të kundërshtarëve të ligjit kontrovers.
Vasmaghi kishte bartur shami të kokës për shumë vite, por tani shfaqet në publik pa të. Në fillim të këtij muaji, ajo e bëri një paraqitje televizive pa hixhab.
Dhe më 29 tetor, ajo ishte në mesin e dhjetëra personave që u sulmuan nga forcat e sigurisë së Iranit gjatë pjesëmarrjes në varrimin e 17-vjeçares Armita Garavand, e cila vdiq dy javë pas një kacafytjeje të dyshuar me policinë e moralit për hixhabin.
SHIKONI EDHE: Raportohet se ka vdekur adoleshentja iraniane që u sulmua nga policiaVasmaghi shkroi në Instagram më 1 nëntor se kishte marrë mesazhe nga shumë miq të cilët “e dënuan sjelljen dënueshme” të forcave të sigurisë që dyshohet se e sulmuan atë. Ajo, po ashtu, i lartësoi ata të cilët kanë përfunduar në burg duke luftuar për të drejtat e veta.
“Është për të ardhur keq që gratë dhe burrat tanë patriotë janë në burg, derisa të pavlerët e mbajnë pushtetin”, shkroi ajo.
Në intervistën e saj me Radion Farda ditën e njëjtë, Vasmaghi tha se liderët e linjës së ashpër të Iranit e favorizojnë personalisht hixhabin dhe se i përdorin pozitat e tyre për t’i kontrolluar gjyqësorin dhe policinë për imponimin e qëndrimeve të tyre.
“Telashet tona burojnë nga...ndërhyrjet flagrante të Qeverisë për të nxitur dhunë në shoqëri dhe për t’i përdorur të gjitha institucionet për ta shtypur vullnetin e popullit”, tha Vasmaghi.
“Unë mendoj se shumica e popullit janë kundër hixhabit. Por, këta njerëz nuk kanë mbështetje. Ata nuk kanë mjete për t’u mbrojtur”, theksoi ajo.
Vdekja e Mahsa Aminit në paraburgimin policor në shtator 2022, pasi ajo ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur siç duhet hixhabin, nxiti protesta të mëdha në gjithë vendin për disa muaj, të cilat e vunë në pah mospajtimin publik me ligjin e hixhabit dhe të drejtat e grave.
SHIKONI EDHE: Si u bë vdekja e Aminit thirrje për protestë për mijëra iranianëAutoritetet u përgjigjën me një luftë brutale gjatë të cilës vdiqën mbi 500 protestues dhe duke e vendosur një ligj edhe më të ashpër të hixhabit, i cili parasheh ndëshkime dhe dënime më të ashpra me burgim për shkelësit.
Vasmaghi u shpreh e tronditur pse Republika Islamike, në një kohë të zemërimit të madh publik, merr qëndrime aq drastike kur përballet me protesta publike.
“Qeveria dëshiron ta rrisë çmimin e kundërshtimit të hixhabit të detyrueshëm duke iu kthyer forcës. Por, jo vetëm me hixhabin. Njëlloj ndodhi edhe me protestat kundër rritjes së çmimit të benzinës [më 2019]. Njëjtë edhe me protestat kundër rezultatit të zgjedhjeve [më 2009]”, theksoi ajo.
Zgjidhja për Iranin, nëse autoritetet do t’i respektonin qëndrimet e popullit iranian, thotë Vasmaghi, do të ishte mbajtja e një referendumi. Në rastin e hixhabit, ajo tha se duhet të ndërmerren hapa për t’i mbrojtur ato që vendosin ta bartin dhe ato që nuk duan ta bartin hixhabin.
“Një ligj i cili ka krijuar tensione në Iran për dekada është dashur të shfuqizohej para shumë kohësh”, tha Vasmaghi.
“Shumica që nuk e pranon këtë ligj nuk duhet të derdhë gjak dhe të kërcënohet”, nënvizoi ajo.
LEXONI EDHE KËTO:
Hospitalizimi i iranianes pas incidentit në metro krahasohet me rastin e Mahsa AminitAktivistja e burgosur iraniane thotë se vdekja e Aminit simbolizon dobësinë e regjimitRikthimi i Policisë së “moralit” pritet të hasë në rezistencën e iranianëveAjo shtoi se ligji në praktikë “tregon mungesë respekti” madje edhe për gratë të cilat parapëlqejnë ta bartin atë.
“Kur ka vetëm një mundësi, edhe ajo është hixhabi i detyrueshëm, atëherë e drejta për të zgjedhur i është mohuar të gjitha grave”, tha Vasmaghi.
Vasmaghi nuk i fajëson ushtrinë apo forcat e sigurisë dhe policisë, të cilat e imponojnë ligjin, duke thënë se ata thjesht i ndjekin rregullat e atyre të cilët duhet të mbahen përgjegjës.
Përfundimisht, tha ajo, autoritetet po e luftojnë një betejë të humbur kundër përparimit të shoqërisë dhe të drejtave të grave.
“Kur edhe gratë të cilat e bartin shaminë janë kundër hixhabit të detyrueshëm, përpjekjet e Qeverisë janë të kota, dhe çdo gjak i derdhur është humbje e Qeverisë dhe, natyrisht, i kushton kombit”, theksoi ajo.
“Por kjo lëvizje po shkon përpara”, tha ajo duke iu referuar lëvizjes Gra, Jetë, Liri, e cila u themelua pas vdekjes së Aminit.
“Nuk ka mundësi për kthim mbrapa. Edhe nëse ata i frikësojnë njerëzit, njerëzit ende duan të ecin përpara”.
Përgatiti: Ekrem Idrizi