Ndërlidhjet

Si u bë vdekja e Aminit thirrje për protestë për mijëra iranianë


Iran - një fotografi e Mahsa Aminit në spital para vdekjes së saj (majtas), dhe babai dhe gjyshja e saj menjëherë pas vdekjes së saj.
Iran - një fotografi e Mahsa Aminit në spital para vdekjes së saj (majtas), dhe babai dhe gjyshja e saj menjëherë pas vdekjes së saj.

Pasi autoritetet iraniane përdorën forcën si përgjigje ndaj demonstratave pas vdekjes së Mahsa Aminit një vit më parë, zemërimi i përmbajtur publik shpërtheu në protesta gjithëkombëtare. Qindra demonstrues e përcollën Aminin për në varrin e saj midis një lufte brutale të shtetit ndaj mospajtuesve.

Njëri nga të parët ishte një protestues në qytetin e lindjes së Aminit në veriperëndim të Iranit, i cili dyshohet se u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë.

Sharmin Habibi kujton rrethanat në të cilat burri i saj u vra nga duart e forcave të sigurisë së Iranit. Por, ajo mund të flasë edhe për një numër protestuesish, të cilët u vranë në gjithë vendin gjatë luftës brutale të shtetit ndaj mospajtimit në vitin e fundit.

“Më thanë se ata nuk e vranë atë, se ai duhet ta ketë pasur një armik, se asnjë oficer nuk ka hapur zjarr, dhe se asnjë plumb nuk është shkrepur”, tha Habibi për Shërbimin Farda të Radios Evropa e Lirë, duke folur për vdekjen e bashkëshortit, Fereydun Mahmudi.

Protestat në Saghez vazhduan edhe në ditën e 40-të pas vdekjes së Mahsa Aminit.
Protestat në Saghez vazhduan edhe në ditën e 40-të pas vdekjes së Mahsa Aminit.

Më shumë se 500 demonstrues e paguan me jetën shprehjen e zemërimit për vdekjen e Mahsa Aminit, një grua e re kurdo-iraniane, e cila vdiq në paraburgim policor në Teheran më 16 shtator 2022, pasi ishte arrestuar gjoja për shkeljen e ligjit kontrovers të hixhabit.

Mahmudi, 32 vjeç, ishte në mesin e të parëve të vdiq – dhe i pari në qytetin e lindjes së Aminit, Saghez, në provincën veriperëndimore të Kurdistanit – për shkak se e përkrahu atë që nisi si thirrje lokale për një hetim rreth vdekjes së dyshimtë të 22-vjeçares.

Kur autoritetet u përgjigjen duke përdorur forcën dhe e bënë të qartë se nuk do t’i pranonin kundërshtimet, protestat u përhapën shpejt, pasi dhjetëra mijëra njerëz vërshuan rrugët në gjithë vendin.

Protestat, që zgjatën me muaj të tërë, nisën si kundërshtim ndaj detyrimit brutal të bartjes së hixhabit, njërës prej shtyllave kryesore të Republikës Islamike. Por, ato shpejt u shndërruan në njërën prej demonstratave më të forta dhe më të mëdha kundër teokracisë së Iranit, me disa protestues që bënë thirrje për t’i dhënë fund sundimit klerik dhe i kërkuan të drejtat dhe liritë tyre politike e shoqërore.

Protestat më të qëndrueshme dhe ndërhyrja shtetërore më vdekjeprurëse gjatë demonstratave ndodhën në rajonet e banuara me pakica etnike, përfshirë kurdët, azerët dhe baluçët, të cilat kanë ankesa dhe pakënaqësi të kamotshme kundër shtetit.

Gra, jetë, liri

Vetëm pak orë pasi Amini ishte dërguar në paraburgim nga policia e “moralit” e Iranit më 13 shtator 2022, ajo kishte rënë në koma në atë që doli të ishte shtrati i saj i vdekjes në një spital të Teheranit.

Mënyra sesi ajo shkoi nga një vizitë në kryeqytetin iranian me familjen e vet në një varr në Saghez brenda një jave, ishte pyetja e cila nxiti trazira mujore.

Mahsa Amini, a young woman is brain dead after being beaten by police.
Mahsa Amini, a young woman is brain dead after being beaten by police.

Bazuar në deklaratat e dëshmitarëve të rastit, familja e saj tha e Amini u rrah nga policia e “moralit” derisa po dërgohej me automjet në një qendër paraburgimi në Teheran. Familja, po ashtu, i kundërshtoi pretendimet e zyrtarëve iranianë se ajo kishte rënë në koma pas një mosmarrëveshjeje me rojet e burgut, për shkak të një telashi të mëhershëm shëndetësor.

Gjatë qëndrimit të shkurtër në spitalin Kasra në veri të Teheranit, pamje të saj duke derdhur gjak nga njëri vesh hodhën dyshime të reja mbi narrativen zyrtare.

Pasi e dëgjuan lajmin për vdekjen e Aminit, dhjetëra njerëz u mblodhën në afërsi të spitalit, duke ia hedhur fajin direkt qeverisë klerike për, siç e quajtën, vrasjen e saj. Kjo ndodhi pak javë pasi qeveria u zotua se do t’i ndëshkonte ato që e shkelin ligjin e hixhabit.

Protestuesit, përfshirë gra të cilat e kishin hequr hixhabin, brohoritën: “Ne do ta vrasim atë që e vranë motrën tonë” dhe “poshtë diktatori”, duke iu referuar liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Forcat e sigurisë, të vetëdijshme se protestat do të përhapeshin, reaguan shpejt për t’i bllokuar rrugët dhe për t’i zmbrapsur protestuesit duke i rrahur me shkopinj dhe duke shkrepur të shtëna paralajmëruese.

Zbulohet fshehtësia

Në ditën e vdekjes së Aminit, partitë politike kurde bënë thirrje për një grevë të përgjithshme në provincën e Kurdistanit më 19 shtator, për të protestuar ndaj, siç e quajtën, “krimit shtetëror”.

Por, deri në kohën kur trupi i Aminit mbërriti në Saghez për varrim më 17 shtator, zemërimi publik në provincë – ku banorët ka kohë të gjatë që i akuzojnë autoritetet për diskriminim dhe shtypje ndaj pakicës kurde – e kishte arritur kulmin tashmë.

E mbështetur nga një turmë e madhe që ishte grumbulluar para agimit pranë varrezës së qytetit të vogël, familja e Aminit ia ndaloi forcave të sigurisë ta varrosnin atë në fshehtësi, dhe njoftoi se do ta mbante vetë ceremoninë e varrimit më vonë atë mbrëmje.

“Ata u përpoqën të na bindnin ta varrosnim Mahsan [në fshehtësi], gjë për të cilën thashë se nuk do ta lejoja në asnjë rrethanë dhe se njerëzit dhe familjet, dhe madje e ëma e saj, duhet të ishin të pranishëm”, tha babai i Aminit, Ahmad Amini.

“Me këmbënguljen time, plani i [varrimit] ndryshoi”, shtoi ai.

Ai, po ashtu, i mohoi ashpër pretendimet e zyrtarëve iranianë se vajza e tij kishte pasur ndërhyrje kirurgjike në tru në moshën 5-vjeçare, e cila ka mundur të ketë kontribuuar në vdekjen e saj, duke thënë se ajo ishte “plotësisht e shëndoshë” dhe u ankua se kërkesa e tij për ekzaminimin e vendeve të mavijosurave në trupin e saj ishte hedhur poshtë.

“Shqetësimi im është se autoritetet po përhapin gënjeshtra për vajzën time çdo ditë”, tha Ahmad Amini.

Pati arrestime të tjera dhe dhunë të shtuar pasi pjesëmarrësit në varrim tentuan të marshonin drejt zyrës së qeverisë lokale.

“Pas varrimit, atmosfera në qytet ishte nën masa të larta të sigurisë. Situata në Saghez i ngjasonte një ligji ushtarak jozyrtar dhe të padeklaruar”, tha Bakhtiar Khoshnam, kryetar i agjencisë së lajmeve Mukrian, në Saghez.

Një thirrje për grevë

Para përvjetorit të vdekjes së Aminit, Habibi tregoi motivet e bashkëshortit të saj për t’iu bashkuar grevës së përgjithshme që ishte thirrur në Saghez.

“Pse ishte ai kaq i zemëruar? Babai i [Aminit] tha shumë herë se nuk kishte telashe me hixhabin e saj, pra pse ia sollën këtë fatkeqësi kësaj vajze të re? Unë thashë ‘e di që jeni i zemëruar. Edhe për mua është shumë e vështirë’”, tha Habibi për Shërbimin Farda.

Ajo iu përgjërua Mahmudit të mos dilte në rrugë më 19 shtator. Por, ajo tha se nuk mund ta largonte nga mendja besimin se ai do të bënte diçka.

The Wife of Fereydoun Mahmoudi, who was one of the victims of the protests in Iran, holding his picture.
The Wife of Fereydoun Mahmoudi, who was one of the victims of the protests in Iran, holding his picture.

“Isha e sigurt se ai do të shkonte sepse ishte tejet i mërzitur për Aminin. Ai u lut dhe i tha lamtumirë birit tim, por ai nuk i tha asgjë atij”, tha Habibi.

“Atë natë, kur ai nuk u kthye në shtëpi, kushëriri i tij më telefonoi dhe unë i tregova që Fereydun nuk ishte kthyer. Ai tha se shumë njerëz ishin arrestuar dhe unë i mblodha dokumentet tona për të shkuar [në stacionin policor] me tim bir”, tha ajo.

Kjo ishte një përvojë që u përsërit në mënyrë të panumërt në gjithë vendin gjatë këtij viti.

Policia lokale e mohoi fillimisht se Mahmudi ishte arrestuar, para se ta ndryshonin mendjen dhe t’i tregonin asaj se ai ishte arrestuar, në të njëjtën kohë duke i bërë trysni Habibit për informacione rreth njerëzve me të cilët burri i saj kishte qenë në kontakt.

“Ishte ora tre apo katër e mëngjesit kur e morëm vesh se ai ishte qëlluar”pranë një xhamie tha Habibi.

Mahmudi ishte rrahur, të dy duart i ishin thyer, dhe trupi i tij ishte bërë shoshë nga plumbat, tha ajo.

Zyrtarët lokalë e mohuan se ai ishte vrarë nga forcat e sigurisë, apo se ishte shtënë me armë. Por, Habibi tha se ajo ishte paralajmëruar kundër mbajtjes së varrimit për Mahmudin, sepse ata “nuk e dëshironin një trumë” si ajo që ishte mbledhur për varrimin e Aminit.

Me gjithë kërcënimet, ajo e mbajti varrimin e bashkëshortit, duke e varrosur atë vetëm 200 metra larg varrit të Aminit.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG