Irani është i etur që të ndërtojë mbi aleancën e kamotshme me Sirinë, por arritjet e Teheranit për zgjerimin e ndikimit të tij në shtetin arab po kërcënojnë një prej objektivëve të tij kryesorë: që të qëndrojë larg vijës së zjarrit në luftërat e tij në hije në Lindjen e Mesme.
Siç tha ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, më herët gjatë këtij muaji gjatë një vizite në Damask në përvjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979, Teherani e konsideron Sirinë si një vijë të frontit të “Boshtit tonë të rezistencës”, i cili është një rrjet bashkëpunëtorësh dhe grupesh militante që mbështeten nga Teherani e që janë kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Pas takimit të 11 shkurtit me zyrtarët e lartë sirianë dhe presidentin Bashar al-Assad, ministri Amir-Abdollahian vuri në pah rolin e rëndësishëm që luan Damasku në kundërshtimin e armiqve të tij dhe vendosjen e “stabilitetit dhe sigurisë” në rajonin gjithnjë e më të paqëndrueshëm.
Por, përderisa kryediplomati iranian citoi luftën që po vazhdon në Rripin e Gazës si pozicion të forcës për “Boshtin e rezistencës” dhe stimul për rritjen e bashkëpunimit me Damaskun, vëzhguesit dhe raportimet mediale kanë sugjeruar se goditja e drejtpërdrejtë ndaj interesave iraniane dhe personelit në Siri po e shtyn Teheranin që të rillogarisë qasjen e tij.
SHIKONI EDHE: ‘Boshti i rezistencës’: Rrjeti i Iranit për krijimin e kaosit dhe luftimin e armiqveRaporte ndër breza
Irani ka investuar shumë në raportet me tij me Sirinë për dekada të tëra dhe ky investim ka qenë pjesë e përpjekjes së Republikës Islamike shiite për të eksportuar revolucionin e tij në mbarë botën arabe dhe myslimane.
“Iranianët bënë shumë sulme me Hafez al-Assad, babanë e liderit aktual të Sirisë, kur ata lëshuan një vendim fetar që thoshte se Alavitë – feja e familjes udhëheqëse – u cilësua si sekt i pranueshëm i shiitëve”, tha Thanassis Cambanis, drejtor i Century Foundation, me seli në SHBA.
Ky vendim ishte i pari nga shumë hapa në “një raport vërtetë të thellë, ndër breza, shtet me shtet midis Iranit dhe Sirisë”, tha Cambanis.
Raportet u forcuan edhe më shumë në fillim të udhëheqjes së Bashar al-Assadit, pas pushtimit të Irakut nga SHBA-ja më 2003.
“Assadi ishte relativisht një sundimtar i ri, ai kishte frikë nga një pushtim i SHBA-së dhe zbuloi se një partneritet në rritje në koordinim me Iranin e mbante atë më të sigurt në bazën e pushtetit brenda vendit, dhe po ashtu e mbante më të sigurt përballë një lloj kërcënimi për ndryshimin e regjimit të orkestruar nga SHBA-ja”, tha Cambanis.
SHIKONI EDHE: Bashkëpunëtorët e Iranit krekosen me prodhimin e armëve në Lindjen e MesmeKy bashkëpunim duket se është shpaguar si për Iranin, ashtu edhe për Qeverinë siriane.
Assadi vazhdon të qëndrojë i sigurt në pushtet pavarësisht luftës civile siriane që po vazhdon, në të cilën Irani ka ndërhyrë ushtarakisht më 2013 si pjesë e një përpjekjeje për të parandaluar rrëzimin e Assadit nga opozita që mbështetet nga SHBA-ja.
Teherani, ndërkaq, ka arritur të rrisë ndjeshëm ndikimin e tij në Siri pa pasur një prani të madhe ushtarake, por duke dislokuar qindra zyrtarë të Gardës Revolucionare Islamike të cilët rekrutojnë dhe trajnojnë dhjetëra mijëra luftëtarë shiitë lokalë dhe të huaj.
“Numri i forcave të Gardës Revolucionare është shumë i kufizuar”, tha Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Berlin. Ai shtoi se pesha e madhe e luftimeve në Siri mbahet nga afganët në Brigadën Fatemiyun dhe pakistanezët në Brigadën Zainabiyn, por edhe nga milicitë irakiane.
Irani po ashtu ka krijuar një korridor tokësor që e lidh me Levantin që Azizi e përshkroi si “shtyllën logjistike të ‘Boshtit të rezistencës’”.
Përveç Iranit, Siria është aktori i vetëm tjetër shtetëror në “Boshtin e rezistencës”.
Korridori “përdoret nga Irani për të dërguar armë dhe pajisje te Hezbollahu”, tha Azizi, duke iu referuar grupit militant në Liban të krijuar nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit, i cili po sulmon me raketa Izraelin që kur ka nisur lufta në Gazë.
Korridori tokësor po ashtu përdoret “për të lehtësuar dislokimin e trupave në të dyja anët e kufirit mes Irakut dhe Sirisë”, që sipas Azizit, është bërë një zonë kyçe për operacionet e milicive pro-iraniane.
Sukseset në Siri
Nisur nga viti 2018, fitoret në luftën civile siriane i lejuan Iranit që të zvogëlonte praninë e Gardës Revolucionare, tha Azizi, me mercenarët e huaj dhe luftëtarët lokalë që ka trajnuar gjithnjë e më shumë po integrohen në forcat e armatosura siriane. Është një kontrast i madh krahasuar me fillimin e luftës që shpërtheu më 2011, shtoi Azizi, dhe pjesa më e madhe e forcave që u rekrutuan dhe trajnuan në Siri, Garda Islamike ia dorëzoi Hezbollahut.
SHIKONI EDHE: Lindja e Mesme po rrëshqet më pranë luftësSukseset në Siri po ashtu i mundësuan Teheranit të mbështetet në mbrojtjen e tij kundër një sulmi të mundshëm në tokën iraniane nga Izraeli.
“Sapo Irani arriti objektivët e tij strategjikë në sigurimin e mbijetesës së regjimit të Assadit dhe të korridorit tokësor, Garda Revolucionare krijoi objektivin e ri të krijimit të një fronti të ri joaktiv kundër Izraelit në kufirin përgjatë Izraelit dhe Sirisë”, tha Ali Alfoneh, hulumtues i lartë në Institutin e shteteve arabe të Gjirit me seli në Uashington. “Qëllimi i frontit joaktiv është që të ndërlikojë llogaritjet izraelite nëse shteti hebre vendos të bombardojë ndërtesat bërthamore të Iranit”.
Gjatë gjithë kohës, Irani i ka bërë presion Izraelit dhe SHBA-së duke ruajtur objektivin e tij kyç për të shmangur një luftë të drejtpërdrejtë, ndërkaq luftëtarët e rrjetit të tij të bashkëpunëtorëve, të cilët i ka trajnuar dhe pajisur me armë, janë përballur me shumicën e sulmeve hakmarrëse në Siri.
“Meqenëse as Siria e as Irani nuk janë të interesuara për një luftë të drejtpërdrejtë kundër Izraelit, të tria shtetet, përmes veprimeve të tyre, kanë negociuar për rregullat e lojës: aleatët e Gardës Revolucionare, sikurse afganët, gërmojnë llogore dhe tunele përgjatë kufirit me Izraelin, Izraeli bombardon pozicionet; Irani nuk kundërpërgjigjet ndaj Izraelit; dhe regjimi i Assadit qëndron si spektator”, tha Alfoneh.
“Të tre lojtarët gjerësisht iu përmbahen këtyre rregullave, të cilat janë ende në fuqi pavarësisht luftës në Gazë dhe SHBA-ja as nuk është e as nuk dëshiron të përfshihet në këtë lojë”, tha Azizi.
Shkelja e rregullave
Nuk mund të thuhet se këto rregulla të pashkruara nuk po shkelen pas nisjes së luftës në Gazë, që u nxit nga sulmi vdekjeprurës i 7 tetorit ndaj Izraelit nga grupi ekstremist palestinez, Hamas, që është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Kundërpërgjigja në shkallë të gjerë e Izraelit në Gazë ka nxitur sulme nga “Boshti i rezistencës” në solidaritet me partnerin e tyre, Hamasin, dhe në emër të kauzës palestineze.
Hezbollahu ka udhëhequr luftën kundër Hamasit, ndërkaq lëvizja rebele nga Jemeni, Huthi, që mbështetet nga Irani, ka kryer sulme kundër forcave detare të Izraelit dhe SHBA-së në Detin e Kuq. Forcat e mbështetura nga Irani kanë sulmuar forcat amerikane në Lindjen e Mesme, përfshirë një sulm me dron të kryer nga një milici irakiane që la të vrarë tre trupa amerikane në Jordani në muajin janar.
SHIKONI EDHE: Çfarë është Kulla 22, vendi ku u sulmuan trupat amerikane në Jordani?Në Siri, forcat amerikane të stacionuara për të luftuar grupin ekstremist, Shteti Islamik, janë sulmuar vazhdimisht që nga nisja e luftës në Gazë, përfshirë një sulm me dron më 5 shkurt kur u vranë trupat kurde, që janë aleate të SHBA-së, në bazën më të madhe të SHBA-së në Siri, që gjendet në provincën lindore Deir al-Zur.
Mes tensioneve në rritje, Teherani nuk ka qenë në gjendje që të shmangë hakmarrje të drejtpërdrejtë për shkak të mbështetjes së hapur për bashkëpunëtorët dhe partnerët e tij dhe vendet ku gjenden iranianë dhe personeli i tij në Siri janë goditur rëndë.
Që nga dhjetori, dhjetëra komandantë të Gardës Revolucionare Islamike dhe oficerë janë dërguar në Siri pasi këshilltarët e dërguar më herët u vranë gjatë sulmeve ajrore në dhe përreth Damaskut. Për sulmin, ku u vra edhe gjenerali Sayyed Razi Musavi, një këshilltar i lartë në Gardë Revolucionare dhe një prej figurave më me ndikim ushtarak në Siri, u fajësua Izraeli.
Dhe SHBA-ja, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit në bazën e saj në Jordani, në fillim të shkurtit sulmoi direkt pozicione të Gardës Revolucionare Islamike dhe të milicive të mbështetura nga Irani në të dyja anët e kufirit mes Sirisë dhe Irakut.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja i nis sulmet hakmarrëse ndaj caqeve iraniane në Siri dhe IrakSi SHBA-ja, ashtu edhe Irani, kanë thënë se nuk duan luftë. Dhe në Siri, Cambanis tha se ka “disa rregulla të asaj rruge që është dizajnuar për të krijuar trillime të dobishme në mënyrë që SHBA-ja dhe Irani të mos përfundojnë në një konfrontim të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin”.
Por, që nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit ndaj Izraelit, tha Cambanis, “ka shumë forca që po sulmojnë njëra-tjetrën në territorin sirian dhe është fare e thjeshtë të bëhet një gabim apo të bëhet një keq një llogari, që kurrkush nuk e do”.
Koha për të bërë llogaritje të reja?
Pas vrasjes së gjeneralit Musavi dhe pjesëtarëve të tjerë të lartë të Gardës Revolucionare, në një raport ekskluziv nga Reuters më herët gjatë këtij muaji u cituan disa burime që thoshin se Irani kishte reduktuar numrin e zyrtarëve të lartë të dislokuar dhe do të varej më shumë te milicitë aleate shiite për të mirëmbajtur ndikimin iranian në Siri.
Azizi tha se përderisa më parë, nëse vriteshin iranianë si rezultat i sulmeve izraelite në Siri, konsideroheshin si dëm kolateral.
“Por, tani ata janë caku”, tha Azizi. “Kjo e shqetëson Iranin, posaçërisht që nga vrasja e Musavit”.
SHIKONI EDHE: Irani: Sulmet e Izraelit në Gazë mund të detyrojnë të gjithë të veprojnëPor, përderisa vdekjet lënë të kuptohet se ka ndryshim në strategjinë e Izraelit dhe kjo të paktën “kërkon nga pala iraniane që të ndryshojë taktikat”, Azizi sugjeroi se ridislokimi kishte të bënte më shumë në tentimin për të përcaktuar se kush ka rrjedhur informacione që lejuan Izraelin të vriste zyrtarët e Iranit dhe për rishqyrtimin e asaj se si Irani do të përdorë personelin e tij në të ardhmen.
Cambanis u shpreh skeptik se Irani kurrë nuk do të tërheqë këshilltarët e tij nga Siria dhe t’ua dorëzojë përgjegjësitë e tyre milicive që i kanë trajnuar.
“Ata kanë oficerë që flasin arabisht, që kanë kaluar dekada duke punuar në pozicione të ndryshme në Siri dhe në shtete të tjera arabe. Ata kanë njohuri lokale, raporte afatgjata me komandantët lokalë”, tha Cambanis. “Ata do ta vazhdojnë këtë model”.