Ndërlidhjet

SHBA-ja i nis sulmet hakmarrëse ndaj caqeve iraniane në Siri dhe Irak


Irakianët myslimanë shiit të grupit të mbështetur nga Irani, Kataib Hezbollah, duke mbajtur në dorë flamuj teksa ecin në një rrugë të ngjyrosur me ngjyrat e flamurit izraelit gjatë një parade për shënimin e Ditës së Jerusalemit në Bagdad, Irak, 25 korrik 2014.
Irakianët myslimanë shiit të grupit të mbështetur nga Irani, Kataib Hezbollah, duke mbajtur në dorë flamuj teksa ecin në një rrugë të ngjyrosur me ngjyrat e flamurit izraelit gjatë një parade për shënimin e Ditës së Jerusalemit në Bagdad, Irak, 25 korrik 2014.

Forcat amerikane i kanë filluar sulmet hakmarrëse ndaj dhjetëra zonave të lidhura me Iranin në Siri dhe në Irak, thanë zyrtarët amerikanë të premten vonë.

Sulmet amerikane janë hakmarrje ndaj një sulmi me dron në Jordani, ku u vranë tre ushtarë amerikanë dhe u plagosën 34 të tjerë më 28 janar, për të cilin Uashingtoni e fajësoi Teheranin.

“Përgjigja jonë filloi sot. Do të vazhdojë në vendet dhe në kohët që ne zgjedhim”, tha presidenti amerikan Joe Biden në një komunikatë pak pas fillimit të sulmeve.

“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt në Lindjen e Mesme, apo diku tjetër në botë. Por, ata të cilët mund të kërkojnë të na bëjnë dëm neve, ta dinë këtë: Nëse e lëndoni një amerikan, ne do të përgjigjemi”, tha Biden.

SHBA-ja dhe Irani nuk duan luftë, por “rrezik ka”
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:01 0:00

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani të Madhe, i cili monitoron luftën dhe ka kontakte të shumta brenda Sirisë, tha se gjashtë luftëtarë pro-iranianë u vranë nga një sulm në Siri.

“Gjashtë luftëtarë pro-iranianë u vranë në sulmet në lindje të Sirisë, me gjasë të kryera nga Shtetet e Bashkuara”, tha Vëzhguesi Sirian, duke shtuar se “tre të huaj” ishin në mesin e të vrarëve në sulmet pranë Al-Mayadeen në Siri.

Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi fillimin e sulmeve, duke thënë se forcat e saj “kryen sulme ajrore në Irak dhe Siri kundër forcave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe milicive të lidhura me Iranin”.

“Forcat ushtarake amerikane i goditën më shumë se 85 caqe, me shumë avionë luftarakë për të përfshirë bombardues me rreze të gjata veprimi që fluturuan nga Shtetet e Bashkuara”, tha ajo.

Komanda amerikane tha se goditi komanda kontrolli, qendra, qendra të inteligjencës, predha, raketa, depo të dronëve dhe ndërtesa për furnizim me municion të grupeve të milicive.

Mediat shtetërore siriane thanë se “agresioni amerikan” shkaktoi një numër vrasjesh në disa pjesë të zonave të shkretëtirës së Sirisë përgjatë kufirit me Irakun.

Sulmi me dron të dielën e kaluar ishte i pari vdekjeprurës ndaj trupave amerikane prej se shpërtheu lufta mes Izraelit dhe Hamasit në tetor, si dhe shënon një përshkallëzim të madh të tensioneve që e kanë ngufatur Lindjen e Mesme.

Prej atëherë, Biden i ka shqyrtuar mundësitë për t’u përgjigjur dhe pritjet kanë qenë se do të ketë sulme hakmarrëse, por nuk ka qenë e qartë se kur do të përgjigjet SHBA-ja.

I pyetur të martë e kaluar nëse do të përgjigjet ndaj sulmit, Biden kishte thënë “po”.

Zyrtarët amerikanë thanë se sulmi vdekjeprurës i 28 janarit në Jordani u krye nga milicia e sponsoruar nga Irani, Kataib Hezbollah në Irak, dhe u zotuan se do t’i mbanin përgjegjës ata që kishin gisht në këtë në kohën dhe në vendin që e zgjedh Uashingtoni.

Më 31 janar, ekstremistët e Kataib Hezbollah në Irak njoftuan “pezullimin” e operacioneve kundër forcave amerikane. Ky grup tha se pezullimi nënkupton shmangien e “turpërimit” të Qeverisë së Irakut dhe la të kuptohej se sulmi me dron lidhej me mbështetjen amerikane për Izraelin në luftën në Gazë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG