Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se nuk ka ndryshime në praninë e NATO-s në Kosovë, e as që pritet të ketë, pasi, sipas tij, të 30 vendet anëtare janë të përkushtuara për vazhdimin e mandatit.
Stoltenberg i bëri komentet pas takimit që zhvilloi të hënën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.
Ditë më parë, Vuçiq tha se ka “ka informacione se një shtet i madh i NATO-s do të kërkojë largimin e misionit të NATO-s, KFOR, nga Kosova”.
“Nuk ka ndryshime në misionin e NATO-s dhe të 30 aleatët, përfshirë edhe SHBA-në, janë të përkushtuar për misionin e KFOR-it. KFOR-i është atje për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë dhe aleatët janë të përkushtuar. Ky mision është i bazuar qartë në mandatin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka ndryshime”, tha Stoltenberg.
Ai tha se cilido ndryshim në mandatin e KFOR-it duhet të ndodhë vetëm me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare të NATO-s.
SHIKONI EDHE: Aluzionet e Vuçiqit për tërheqjen e KFOR-it, të pabazaVuçiq tha se “është i kënaqur me këto sqarime” dhe se shpreson që ky deklarim i Stoltenbergut do të konfirmohet edhe në samitin e NATO-s, në muajin qershor.
“Ndoshta ishte moskuptim i thashethemeve nga ana ime, por mund të them se jemi në rrugë të mirë për të ruajtur qetësinë në rajon”, tha Vuçiq.
Ai tha se me shefin e NATO-s kanë diskutuar për shumë çështje nga rajoni, posaçërisht çështjet e lidhura me Kosovën dhe raportet mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Bëra më të mirën që të bart mesazhin te Stoltenbergu se Serbia është 100 për qind e përkushtuar për dialog dhe për kërkim të zgjidhjes me kompromis. Shpresoj se të dyja palët do të kemi mjaft fuqi që të arrijmë sukses. Por, të dyja palët, në çdo rast, duhet ta ruajnë paqen”, tha Vuçiq, duke e falënderuar edhe personalisht Stoltenbergun.
Më 13 maj, Vuçiq ka thënë se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.
Vuçiq u ka thënë gazetarëve në Beograd se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë, porse informacionet janë nga “burimet zyrtare”.
SHIKONI EDHE: Vendimet për UNMIK-un "i merr Këshilli i Sigurimit"UNMIK-u, përkatësisht Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara, është vendosur në Kosovë në vitin 2000, pas sulmeve ajrore të NATO-s në caqet e ushtrisë serbe.
Ai është vendosur në bazë të Rezolutës 1244, e cila është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në qershor të vitit 1999 dhe e cila është ende në fuqi.
Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, UNMIK-u ia ka dorëzuar shumicën e përgjegjësive të tij Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosur në Kosovë po ashtu në qershor të vitit 1999, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova.