Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se Procesi i Berlinit është rruga që përshpejton integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ai i bëri këto komente në Tiranë, ku të enjten qëndroi për vizitë zyrtare.
Në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Steinmeier tha se është e rëndësishme që të nisë bashkëpunimi rajonal, dhe se për këtë shërbejnë edhe marrëveshjet që u nënshkruan më 3 nëntor në Berlin.
“Këto marrëveshje duhet të zbatohen nga pikëpamja konkrete në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave, të njihen diplomat dhe kualifikimet e tjera. Kjo sjell përmirësim të situatës ekonomike në këtë rajon dhe afrim me BE-në”, tha ai.
- Liderët e Ballkanit Perëndimor me marrëveshje për njohjen e letërnjoftimeve dhe diplomave
- Marrëveshjet për letërnjoftime, diploma dhe vende pune, në pritje pas nënshkrimit
Marrëveshjet për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, u nënshkruan nga krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 3 nëntor, në samitin në kuadër të Procesit të Berlinit. Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova u pajtuan paraprakisht për marrëveshjet, në tetor, pas disa javësh negociatash të udhëhequra nga Gjermania.
Pas mesazheve që përcolli presidenti gjerman, kryeministri shqiptar, Edi Rama, u pyet nga gazetarët në lidhje me vazhdimin e nismës tjetër rajonale, e njohur si Ballkani i Hapur.
Ai tha se qëndrimi i tij për këtë nismë nuk ndryshon, dhe se “ata që kanë qenë kundër saj kanë arsye të ndryshojnë qëndrimin e tyre”.
Rama tha se përmendi tri arsye pse është pro kësaj nisme.
“Së pari Ballkani i Hapur ka miratimin e 60 për qind të shqiptarëve; së dyti është në përputhje me frymën e BE-së; dhe së treti në Procesin e Berlini të ri-startuar kemi firmosur po ato marrëveshje që firmosëm më herët në Ballkanin e Hapur”, tha ai.
Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik dhe u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kosova, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj.
SHIKONI EDHE: A bie ndesh Ballkani i Hapur me Procesin e Berlinit?Ndërsa procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në BE.
Presidenti i Gjermanisë u bëri thirrje partive politike në Shqipëri që t’i lënë anash përplasjet politike dhe ta luftojnë korrupsionin.
Paraprakisht, Steinmeier u takua me homologun e tij shqiptar, Bajram Begaj.
Më 29 nëntor, Frank-Walter Steinmeier, qëndroi për vizitë zyrtare në Shkup, ku tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në agjendën evropiane, ashtu si edhe pritjet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
SHIKONI EDHE: Steinmeier në Shkup: BE-ja pret normalizimin e raporteve Kosovë-SerbiAi tha se normalizimi sa më i shpejtë i këtyre raporteve është në interesin e BE-së.
“... për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, tha presidenti gjerman.
Propozimi që përmendi ai - i njohur në publik si plani franko-gjerman - thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.
Ekzistenca e tij është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.
Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.
Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.
SHIKONI EDHE: Nga plani franko-gjerman në propozim të Brukselit: Çka dihet deri më tani?Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.