Spiuni i dyshuar rus që u infiltrua si gazetar në Nagorno-Karabak dhe Armeni

Pablo Gonzalez, gazetari i pavarur spanjollo-rus, që në pasaportën ruse njihet si Pavel Rubtsov. Ai u arrestua në Poloni më 2022 nën akuza për spiunim për inteligjencën ushtarake ruse, të njohur si GRU.

Pas këmbimit historik të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit gjatë këtij muaji, Armine, një armene etnike e zhvendosur nga rajoni i Nagorno-Karabakut, shikoi pamjet e rusëve të liruar duke dalë nga avioni dhe duke u mirëpritur në aeroport nga presidenti rus, Vladimir Putin. Ajo e ktheu disa herë këtë incizim pasi nuk u besonte syve se çfarë po shihte.

Në mesin e atyre që po ktheheshin në Rusi ishin edhe spiunë rusë dhe vrasëse të dënuar. Por, Armine, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për Radion Evropa e Lirë, e njohu dikë në mesin e atyre që u liruan: një gazetar spanjoll i cili kishte qenë një vizitor i shpeshtë i Nagorno-Karabakut, veçmas në kohën kur ishin përshkallëzuar tensionet në këtë rajon.

“U takova me Pablon dhjetë vjet më parë... Mu prezantua si gazetar spanjoll dhe ishte i etur të intervistonte zyrtarët e Karabakut, vizitoi shtatë qarqet përreth Karabakut dhe bisedoi me banorët lokalë”, tha Armine për Shërbimin armen të Radios Evropa e Lirë.

“Ai krijoi shumë kontakte në Karabak dhe u prit mirë. Çuditërisht, autoritetet në Karabak – të cilët zakonisht janë dyshues ndaj të huajve – nuk kishin asnjë dyshim rreth Pablos”, shtoi ajo.

Personi që njohu Armine është Pablo Gonzalez, gazetar i pavarur spanjollo-rus i cili në pasaportën e tij ruse njihet si Pavel Rubtsov. Ai u arrestua në Poloni më 2022 nën akuza se po spiunonte për inteligjencën ushtarake ruse, e njohur si GRU.

Pablo Gonzalez (majtas) pas arritjes në Rusi më 1 gusht, pas këmbimit të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit.

Armine është një ndër dhjetëra qytetarë që folën për REL-in lidhur me kontaktet që kishin pasur me Gonzalezin në Nagorno-Karabak, një rajon që banohej kryesisht nga armenët etnikë para se të rimerrej nga Azerbajxhani pas një sulmi më 19 shtator 2023.

Shumica nga ta thanë se nuk kishin pasur dyshime për Gonzalezin, i cili përveç se kishte raportuar për armiqësitë në rajon, kishte shkruar edhe për centralin bërthamor të Armenisë dhe kishte përdorur statusin e tij si gazetar për të intervistuar kryeministrin armen dhe kishte shkrepur fotografi brenda selisë së partisë në pushtet, Kontrata Civile.

Personat me të cilët bisedoi REL-i theksuan se Gonzalez, 42 vjeç, kishte shfaqur dëshirë për të mbuluar konfliktin.

“Ai nuk ishte aspak i frikësuar nga lufta”, tha Sergey Shahverdian, ish-drejtor i Hotelit Europe në Stepanankert, ku kishte qëndruar Gonzalez.

Distinktivi i Pablo Gonzalez.

Disa ditë pasi Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit 2022, autoritetet polake e arrestuan Gonzalezin në qytezën kufitare Przemisl, përmes së cilit qindra mijëra refugjatë ukrainas, që po iknin nga lufta, kaluan.

Pas arrestimit, agjencia e inteligjencës së Polonisë pretendoi se Gonzalez kishte “kryer aktivitete për Rusinë, duke përdorur statusin e tij si gazetar”. Richard Moore, udhëheqësi i shërbimit të spiunazhit në Britani, MI6, më vonë më 2022 tha se Gonzalez ishte një spiun i cili “po tentonte të shkonte në Ukrainë si pjesë e përpjekjeve të tyre të destabilizimit atje”.

Javën e kaluar, prokurorët polakë zyrtarisht ngritën akuzë ndaj Gonzalezit, duke e akuzuar se e ka furnizuar GRU-në me informacion që potencialisht ishte “i dëmshëm” për Poloninë dhe NATO-s, edhe pse pas këmbimit të të burgosurve, ai nuk mund të kapet nga autoritetet e Varshavës.

Përderisa autoritetet polake zyrtarisht nuk kanë zbuluar detaje të tjera, hulumtimet gazetareske të publikuara më herët gjetën se Gonzalez kishte bërë për vete aktivistët opozitarë rusë dhe kishte përpiluar raporte për ta.

Karo Sahakian, një fotograf armen i cili tha se për herë të parë u takua me Gonzalezin gjatë luftës së vitit 2020 mbi rajonin e Nagorno-Karabkut, tha për REL-in se “nuk kam vërejtur asgjë të dyshimtë” për të.

“Ende nuk jam 100 për qind i sigurt”, tha Sahakian.

“Ai nuk u fsheh”

Gjatë luftës së vitit 2020, Gonzalez kishte qëndruar në Hotel Europe në Stepanakert – që nën sundimin azerbajxhanas quhet Hankendi – qindra kilometra larg nga ai që më pas do të bëhej fronti ruso-ukrainas.

“Nuk mund ta ngatërroje me askënd tjetër”, tha Shahverdian, ish-drejtori i hotelit, i cili u zhvendos nga rajoni bashkë me dhjetëra mijëra armenë etnikë.

Shahverdian tha se Gonzalez u regjistrua në vend si shtetas spanjoll dhe si një gazetar i pavarur dhe, për dallim nga shumë gazetarë të tjerë, ai shkonte pa ngurrim në beteja sikur të ishte një ushtar i trajnuar.

“Ai nuk fshihej në strehimoret kundër bombardimeve e as nuk kishte frikë nga bombardimet”, tha Shahverdian. “Ne e vlerësonim shumë qëndresën e tij”.

Gonzalez duke raportuar nga Nagorno-Karabaku gjatë luftës 44-ditore më 2020.

Shahverdian theksoi se spiuni i dyshuar “fliste shumë mirë rusisht”.

“Ai më ka shpjeguar se ka lindur dhe është rritur në Rusi dhe se gjyshërit e tij ishin komunistë”, tha Shahverdian.

Në një profil të Gonzalezit, i realizuar nga transmetuesi i financuar nga SHBA-ja, Zëri i Amerikës, –media në të cilin Gonzalez kishte kontribuar si gazetar i pavarur – gruaja dhe një mik i tij thanë se gjyshi i tij i ndjerë, Andres Gonzalez, së bashku me familjen e tij kur ishte fëmijë ishte larguar nga Spanja për në Bashkimin Sovjetik, gjatë Luftës Civile Spanjolle. Ai u zhvendos në Spanjë me nënën e tij kur ishte nëntë vjeç, raportoi Zëri i Amerikës.

Si gazetarët armenë, por edhe ata të huaj, e kanë përshkruar Gonzalezin si person të hareshëm, me humor dhe si një person që shumë shpejt krijonte miqësi, një person që kishte qejf ndejat e zhurmshme ku shpesh tregonte tatuazhet e tij.

“Ai kishte një tatuazh të Tatik-Papik [“Gjyshes dhe Gjyshit”], një monument që gjerësisht konsiderohet si simbol i Karabakut”, tha fotografi Sahakian. “Ai thoshte se e kishte afër zemrës luftën në Karabak, prandaj edhe kishte bërë atë tatuazh”.

Gonzalez duke pozuar pranë monumentit të njohur si "Tatik-Papik" në Nagorno-Karabak.

Gonzalez prezantohej si bask dhe si gazetar i pavarur, kujtoi Sahakian. Ai fliste me Sahakianin vetëm në anglisht dhe punonte vetëm, asnjëherë i shoqëruar, shtoi fotografi.

Gonzalez dhe vajza e kritikut të vrarë të Kremlinit

Një artikull i medias spanjolle, El Independiente, gjatë këtij muaji tha se Gonzalez kishte qenë në radar të autoriteteve spanjolle që nga viti 2016. Spiunllëku i tij i dyshuar në emër të inteligjencës ruse përshihte shënjestrimin e Zhanna Nematsova, vajzës së liderit opozitar rus, Boris Nemtsov, i cili u qëllua për vdekje pranë Kremlinit më 2015.

Një hulumtim i vitit 2023 nga media e pavarur ruse, Agentsvo, tha se hetuesit polakë që ekzaminuan pajisjet elektronike të Gonzalezit gjetë një letër nga Nemtsov që ai dyshohet se e kopjoi nga kompjuteri i Nemtsovas. Zhanna Nettsova kishte një marrë me autoritetet polake, që të mos fliste për këtë çështje, tha Agenstvo.

Agenstvo dhe mediat e tjera gjetën se Gonzalez, duke u paraqitur si gazetar i pavarur spanjoll, hyri në rrethin e Netmsovas diku rreth vitit 2016.

Agenstvo po ashtu ka raportuar se Gonzalez kishte udhëtuar me fluturimet e njëjta që kishte qenë edhe një agjent i GRU-së dhe biletat e tyre ishin porositur nga adresa e njëjtë dhe ishin blerë në stacionin e njëjtë të trenit në Moskë.

Hetimi i politikës së brendshme armene

Gonzalez po ashtu ishte i interesuar për çështjet e brendshme politike të Armenisë, veçmas të raporteve të Jerevanit me fqinjët e tij.

Gjatë luftës së vitit 2020, ai arriti të realizonte një intervistë me kryeministrin armen, Nikol Pashinian, në emër të agjencisë spanjolle të lajmeve EFE. Kjo ishte intervista e vetme sy më sy që Gonzalez dihet që ka realizuar me një kryetar qeverie.

Sipas transkriptit të intervistës, të publikuar në tetor të vitit 2020 nga zyra e Pashinianit, Gonzalez e pyeti atë për luftën dhe nëse Moska po bënte gjithçka që mundet për të përmbushur obligimet e saj që dalin nga aleanca strategjike me Jerevanin.

“Ne e ndiejmë mbështetjen e Rusisë si partnere strategjike të Armenisë, ne i ndiejmë përpjekjet ndërmjetësuese të Rusisë”, tha Pashinian. “Ne i shohim këto përpjekje ndërmjetësuese për vendosjen e stabilitetit në rajon dhe arritjen e një zgjidhjeje paqësore”.

Kryeministri armen, Nikol Pashinian, gjatë intervistës me Pablo Gonzalez. Tetor, 2020.

Gonzalez e pyeti Pashinianin pse rojet kufitare ruse ishin dislokuar përgjatë kufirit mes Nagorno-Karabakut dhe Armenisë, sipas raportimeve të publikuara nga mediat shtetërore ruse.

Pyetjet e tij për Pashinianin për këtë çështje nuk u përfshin as në artikullin e agjencisë EFE e as në transkriptin e intervistës të publikuar nga zyra e kryeministrit armen.

Media shtetërore ruse, RIA Novosti vuri në pah mungesën e kësaj pjese të intervistës në transkriptin zyrtar dhe në artikullin e agjencisë EFE, duke shpjeguar se Gonzalez ia kishte shfaqur këtë pjesë të intervistës gazetarit të kësaj media.

Një vit pas luftës mbi rajonin e Nagorno-Karabakut, Gonzalez shkroi për konfliktin në ueb-faqen e tij në gjuhën spanjolle dhe ai vazhdoi të vizitonte Armeninë, përfshirë edhe gjatë mbajtjes së zgjedhjeve parakohshme parlamentare të vitit 2021.

Pas luftës, opozita armene së bashku me zyrtarët e lartë të ushtrisë kërkuan dorëheqjen e Pashinianit. Atëbotë, Gonzalez raportoi për skenën politike të Armenisë, teksa realizoi fotografi të zyrave të partisë së Pashinianit, Kontrata Civile, dhe mori pjesë në një konferencë për media të mbajtur nga presidenti i dytë i vendit, Robert Kocharian.

Shërbimi armen i REL-it bisedoi me njerëz nga qarqet proqeveritare dhe opozitare lidhur me Gonzalezin, por për dallim nga personat që e kishin takuar në Nagorno-Karabak, askujt në Jerevan nuk i kujtohej ai.

Gjatë kësaj periudhe, Gonzalez po ashtu u fokusua në një çështje tjetër të rëndësisë strategjike: Centralin bërthamor Metsamor të Armenisë dhe bashkëpunimin e energjisë me Rusinë.

Në ueb-faqen e tij në gjuhën spanjolle, Gonzalez publikoi një artikull me informacione lidhur me lokacionin e centralit bërthamor, kapacitetit të reaktorëve të tij, numrin e reaktorëve në funksion dhe furnizimet me karburante ruse për këtë uzinë.

Në këtë artikull po ashtu u adresua çështja nëse Armenia do të ndërtojë një central bërthamor dhe nëse do të ndërtonte një central të tillë, a do t’ia besonte Jerevani një kontratë të tillë edhe një herë Rusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, duke biseduar me rusët që u liruan gjatë këmbimit. Pablo Gonzalez është në rreshtin e fundit, i dyti nga e majta e fotografisë.

Kthimi “në punë”

Pasi Gonzalez zbriti nga avioni, pas këmbimit të të burgosurve më 1 gusht, Putin e përshëndeti ngrohtësisht. Në mesin e atyre që u liruan ishte edhe Vadim Krasikov, ish-oficer i FSB-së ruse i dënuar më 2019 për vrasjen e ish-komandantit çeçen, Zelimkhan Khangoshvili, në Berlin.

Gonzalez kishte të veshur një bluzë të Star Wars, ku shkruante: “Perandoria ka nevojë për ju”.

“Dua t’iu drejtohem atyre që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shërbimin ushtarak. Dua të ju falënderoj për besnikërinë tuaj ndaj betimit tuaj dhe detyrës për Atdheun që nuk e harruat për asnjë moment”, u tha Putin të liruarve.

SHIKONI EDHE: Kush u lirua në këmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit?

Një ditë më vonë, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, Sergei Naryshkin, tha se Rusia “mirëpriti kolegët tanë”.

“Ata do të pushojnë pak dhe do t’i kthehen punës”, tha Naryshkin.

Përgatiti: Mimoza Sadiku