Ndërlidhjet

Kush u lirua në këmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit?


 Paul Whelan, Vladimir Kara-Murza, Alsu Kurmasheva, dhe Evan Gershkovich që janë liruar më 1 gusht në kuadër të këmbimit të të burgosurve.
Paul Whelan, Vladimir Kara-Murza, Alsu Kurmasheva, dhe Evan Gershkovich që janë liruar më 1 gusht në kuadër të këmbimit të të burgosurve.

Një aktivist për të drejtat e njeriut. Një çift që ka punuar për vite të tëra në fshehtësi. Dy gazetarë amerikanë. Djali i një ligjvënësi rus.

Lista e personave të liruar më 1 gusht gjatë një këmbimi të të burgosurve nga disa shtete ka numrin më të madh të të liruarve të këtij lloji që nga Lufta e Ftohtë. Në mesin e të liruarve ka figura që kanë profesione të ndryshme, por të cilët kanë një të përbashkët: ata u liruan pas përpjekjeve disa mujore diplomatike që u zhvilluan prapa dyerve të mbyllura.

Kjo është lista e personave që u liruan më 1 gusht.

Personat që po mbaheshin në Rusi:

Evan Gershkovich

Evan Gershkovich, gazetar i Wall Street Journal, u gjet fajtor më 19 korrik nga një gjykatë në Jekaterinburg nën akuza për spiunazh. Akuzat u mohuan nga ai, punëdhënësi i tij dhe Qeveria amerikane, të cilët i cilësuan si të motivuara politikisht. Gershkovich u dënua me 16 vjet burgim. Gazetari 32-vjeçar u arrestua në mars të vitit 2023, teksa kishte shkuar me punë në Jekaterinburg.

Evan Gershkovich.
Evan Gershkovich.

Gershkovich u akuzua se po tentonte të kishte qasje në informacione të klasifikuara. Ai u bë gazetari i parë amerikan i arrestuar në Rusinë post-sovjetike nën akuza për spiunazh.

Muajin e kaluar, prokurorët e akuzuan atë se punon në emër të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA). Wall Street Journal Journal ka mohuar fuqishëm akuzat.

Gershkovich, i cili u mbajt në burgun famëkeq Lefortovo të Moskës, zyrtarisht u cilësua si person i arrestuar padrejtësisht.

Vladimir Kara-Murza

Aktivisti opozitar dhe ish-gazetari, Vladimir Kara-Murza, u ka mbijetuar dy sëmundjeve pothuajse fatale, që autoritetet amerikane i kanë cilësuar si “helmime të qëllimshme”. Kundërshtimi i tij për pushtimin rus të Ukrainës çoi në dënimin e tij me 25 vjet burgim nën akuzat për tradhti.

Vladimir Kara-Murza
Vladimir Kara-Murza

Kara-Murza, që ka qenë bashkëpunëtor i kundërshtarit të vrarë të presidentit rus, Vladimir Putin, Boris Nemstov. Ai po ashtu kishte krijuar lidhje të ngushta me anëtarë të Kongresit amerikan, lidhje të cilat ai i përdori për të ndikuar në politikën amerikane karshi Rusisë.

Kara-Murza jetonte jashtë Rusisë dhe pavarësisht paralajmërimeve, ai u kthye në Rusi për të vazhduar punën e tij politike. Në prill të vitit 2022, rreth dy muaj pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, ai u arrestua nga policia në Moskë nën pretendimet se nuk u ishte bindur urdhrave të policëve.

Më vonë gjatë atij viti, prokurorët ngritën ndaj tij akuzën për tradhti dhe në prill të vitit 2023 ai u gjet fajtor dhe u dënua me 25 vjet burgim. Ai u dërgua në një burg të sigurisë së lartë në rajonin siberian të Omskut, ku qëndroi në izolim.

Disa muaj para lirimit të tij, aleatët e tij kishin paralajmëruar se gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar dhe ai kishte humbur shumë kilogramë gjatë qëndrimit në burgun e sigurisë së lartë ku po vuante dënimin. Dënimi i shqiptuar ndaj tij është një prej dënimeve më të gjata që u është dhënë kundërshtarëve të Kremlinit.

Alsu Kurmasheva

Alsu Kurmasheva, redaktore e Shëbimit Tatar-Bashkir të Radios Evropa e Lirë në Pragë, u arrestua nga autoritetet në qershor të vitit 2023, teksa ajo po vizitonte familjarët e saj në rajonin rus të Tatarstanit.

Alsu Kurmasheva
Alsu Kurmasheva

Kurmasheva, me shtetësi ruse dhe amerikane, fillimisht u akuza se nuk e kishte deklaruar pasaportën amerikane dhe më pas u lirua. Por, asaj iu ndalua largimi nga shteti.

Tetorin e po atij viti ajo u arrestua dhe u përball me akuza të reja. Autoritetet thanë se ajo nuk ishte deklaruar si “agjente e huaj”, sipas një ligji të ashpër rus që shënjestron gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe të tjerët. Më pas, ndaj saj u ngrit edhe një akuzë tjetër: përhapja e lajmeve “të rreme” për ushtrinë ruse, një akuzë që duket se u ngrit për shkak të punës së saj lidhur me redaktimin e një libri për rusët që kundërshtojnë luftën në Ukrainë.

Më 19 korrik, një gjykatë në Tatarstan e dënoi Kurmashevan me gjashtë vjet e gjysmë burgim, pas një gjyqi të mbajtur fshehurazi dhe prapa dyerve të mbyllura.

Paul Whelan

Paul Whelan, 54, ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2018 teksa ai po qëndronte në Moskë për të marrë pjesë në dasmën e një miku. Ai u akuza se kishte marrë nën posedim një disk kompjuterik që kishte informacione të klasifikuara.

Paul Whelan
Paul Whelan

Ish-marinsi amerikan, që atëbotë po punonte në një korporatë të sigurisë në SHBA, tha se ishte vënë në kurth dhe kishte menduar se në pajisjen kompjuterike, që ia kishte dhënë një i njohur i tij rus, kishte fotografi pushimesh. Në qershor të vitit 2020, një gjykatë ruse e dënoi atë me 16 vjet burgim nën akuzën për spiunazh.

Shumicën e kohës ai është mbajtur në një burg në rajonin Mordovia. Familja e Whelanit dhe Qeveria amerikane e kanë quajtur dënimin e tij tallje me drejtësinë. Whelan, që ka edhe shtetësi britanike, kanadeze dhe irlandeze, u cilësua nga Qeveria amerikane si person i arrestuar padrejtësisht.

Ilya Yashin

Ilya Yashin, 41 vjeç, ka qenë mbështetës i protestave kundër Putinit dhe ka qenë aleat i ngushtë i Nemstovit. Ai kishte publikuar një raport të përfshirjes ruse në luftën në rajonin ukrainas të Donbasit, raport në të cilin Nemtsov kishte punuar para se të vritej më 2015.

Ilya Yashin
Ilya Yashin

Yashin, ligjvënës lokal që kishte qenë kryetar i Këshillit të qarkut të Moskës nga viti 2018 deri më 2021, në dhjetor të vitit 2018 u dënua me tetë vjet e gjysmë burgim për shkak se ai kritikoi atë që e quajti “luftë monstruoze” të Rusisë në Ukrainë.

Akuzat ndaj tij derivuan nga publikimet në YouTube, përmes së cilave Yashin foli për vrasjen e civilëve në Buça, qytet afër Kievit ku të mbijetuarit, aktivistët për të drejtat e njeriut dhe autoritetet ukrainase thanë se forcat ruse kryen mizori para se të tërhiqeshin pasi dështuan të merrnin nën kontroll kryeqytetin ukrainas.

Në paraqitjen e tij përfundimtare në gjykata para se t’i shqiptohej dënimi, Yashin i bëri thirrje Putinit “të ndalë marrëzinë” dhe t’i japë fund luftës duke i tërhequr forcat ruse nga Ukraina. “Emri juaj tani asocion me fjalët ‘vdekje’ dhe ‘shkatërrim’”, tha ai.

Oleg Orlov

Oleg Orlov, 71 vjeç, është një prej aktivistëve për të drejtat e njeriut më me përvojë dhe më të respektuar në Rusi. Puna e tij për të drejtat e njeriut daton nga koha sovjetike dhe përfshin raportimin e shkeljeve të kryera në Moskë, Çeçeni dhe në mbarë Rusinë.

Oleg Orlov
Oleg Orlov

Ai është bashkëkryetar i qendrës për të drejtat e njeriut Memorial, që ka fituar Çmimin Nobel për Paqe dhe që është e ndaluar në Rusi. Orlov në shkurt u gjet fajtor për diskreditimin e vazhdueshëm të ushtrisë ruse dhe u dënua me 30 muaj burgim.

Akuza ndaj Orlovit del nga një artikull që ai ka shkruar përmes së cilit ai ka dënuar pushtimin e Ukainës dhe ka thënë se Rusia po “rrëshqet sërish në totalitarizëm, por këtë herë në një mënyrë fashiste”.

“Lufta e përgjakshme që regjimi i Putinit ka nisur në Ukrainë nuk është vetëm vrasje masive e njerëzve dhe shkatërrim i infrastrukturës, ekonomisë dhe vendeve kulturore. Jo vetëm shkatërrim i themeleve të ligjit ndërkombëtar”, shkroi ai. “Por, po ashtu është një goditje e madhe ndaj të ardhmes së Rusisë”.

Kevin Lik

Kevin Lik, me shtetësi ruse dhe gjermane, në dhjetor të vitit 2023 u dënua me katër vjet burgim. Gjykimi i tij për akuza për spiunazh u mbajt prapa dyerve të mbyllura. Në kohën kur u dënua ai ishte 18 vjeç.

Kevin Lik
Kevin Lik

Banor i rajonit Adigea në Kaukazin verior, Lik u gjet fajtor për vëzhgim dhe fotografim të një baze lokale ushtarake. Autoritetet e akuzuan atë se i ka dërguar këto pamje, përmes emailit, përfaqësuesit të një qeverie të huaj.

Qendra Memorial e kishte cilësuar Kevin Lik të burgosur politik.

Aleksandra Skochilenko

Aleksandra Skochilenko, 33-vjeçare, artiste nga Shën Petersburgu kishte protestuar kundër pushtimit të Ukrainës pak kohë pasi Putin urdhëroi nisjen e pushtimit në shkurt të vitit 2022. Ajo protestën e saj për luftën e bëri duke ndryshuar pesë etiketa çmimesh në një dyqan me informacione për luftën.

Aleksandra Skochilenko
Aleksandra Skochilenko

Në një prej mesazheve shkruhej se Rusia “ka bombarduar një shkollë arti në Mariupol, ku 400 persona po strehoheshin”. Në një tjetër shkruhej se “Putini po ju gënjen që 20 vjet përmes ekranit televiziv. Rezultat i këtyre gënjeshtrave është gatishmëria jonë për ta pranuar luftën dhe vdekjet e pakuptimta”.

Skochilenko, e cila kryesisht përdor emrin Sasha, në nëntor të vitit 2022 u gjet fajtore për shpërndarjen e informacioneve të rreme lidhur me ushtrinë ruse dhe u dënua me shtatë vjet burgim. Ajo tha se mesazhet që vendosi në etiketat e çmimeve ishin të vërteta.

“Stërgjyshi im nuk luftoi për katër vjet në Luftën e Dytë Botërore që Rusia të bëhej shtet fashist dhe të sulmojë Ukrainën”, shkroi Skochilenko në një prej mesazheve. Në fjalën e saj përmbyllëse para gjykatës, ajo tha se nuk e kupton se pse shteti ishte aq i frikësuar nga “pesë copa të vogla letre”.

Andrei Pivovarov

Andrei Pivovarov, 42 vjeç, është ish-drejtor i lëvizjes – që tashmë nuk ekziston – Rusia e Hapur, që ishte themeluar nga ish-manjati i naftës, Mikhail Khodorkovsky. Ai u arrestua në maj të vitit 2021, pasi ishte nisur me avion për në Varshavë nga Shën Petersburgu. Pivovarov u dënua në qershor të vitit 2022 me katër vjet burgim nën akuza se po udhëhiqte një “organizatë të padëshiruar”.

Andrei Pivovarov
Andrei Pivovarov

Qendra Memorial e kishte cilësuar atë të burgosur politik, pasi tha se e drejta e tij për gjykim të drejtë ishte shkelur.

Ligji për “organizata të padëshiruara”, i miratuar më 2015, ishte pjesë e një sërë ligjesh të miratuara nga Rusia për të ndëshkuar shumë organizata jofitimprurëse dhe joqeveritare që merrnin fonde nga jashtë, kryesisht nga Evropa dhe SHBA-ja.

Këto ligje shihen gjerësisht si mjet për të shtypur disidencën politike dhe për të shtrënguar kontrollin e Kremlinit mbi peizazhin politik të shtetit.

Ksenia Fadeyeva

Ksenia Fadeyeva, 32-vjeçare, është ish-ligjvënëse dhe ish-udhëheqëse e zyrës rajonale të opozitarit të ndjerë, Aleksei Navalyn, në qytetin siberian, Tomsk. Në dhjetor të vitit 2023 ajo u dënua me nëntë vjet burgim për akuza të ndryshme që përfshinin aktivitete organizative të një grupi ekstremist.

Ksenia Fadeyeva
Ksenia Fadeyeva

Avokati i saj, Semyon Vodnev, e ka quajtur vendimin “të paligjshëm, të pabazë dhe të padrejtë”. Ai ka argumentuar se Fadeyeva kishte përfunduar angazhimin e saj në organizatën e Navalnyt para se ajo të shpallej ekstremiste më 2021.

Në kohën kur ajo u dënua, zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, e kishte cilësuar Fadeyevan si “të sinqertë dhe të guximshme”, duke shtuar se ata që fabrikuan rastin penal kundër saj, dikur do të përballen me ligjin.

Në maj, një gjykatë refuzoi apelin e Fadeyevas dhe zyrtarët në Tomsk në qershor ja morën mandatin që kishte në këshillin e qytetit.

Demuri Voronin

Profesori i shkencave politike, Demuri Voronin, me shtetësi ruse dhe gjermane, u dënua për tradhti të lartë me 13 vjet e tre muaj burgim. Dënimi iu shqiptua nga Gjykata e Qytetit të Moskës në mars të vitit 2023.

Demuri Voronin
Demuri Voronin

Voronin ishte arrestuar në Moskë më 2021, disa orë para se ai të nisej për në Berlin. Materialet për rastin e tij u klasifikuan, por Voronin u përmend në rastin për tradhti të lartë kundër gazetarit Ivan Safronov, i cili në shtator të vitit 2022 u dënua me 22 vjet burgim dhe ishte shpallur i burgosur politik nga Memorial.

Voronin kishte në pronësi një kompani të konsulencës në Moskë dhe kishte bashkëpunuar me gazetarë të shquar.

Patrick Schoebel

Gjermani Patrick Schoebel u arrestua në Aeroportin Pulkovo të Shën Petërsburgut më herët gjatë këtij viti, pasi policët që e kontrolluan thanë se i gjetën çamçakëzë me kanabis. I akuzuar për posedim të drogës dhe kontrabandë, Schoebel u burgos në Moskë.

Shërbimi federal i Doganës në Rusi tha se Schoebel u tha autoriteteve se ai kishte marrë me vete nga Gjermania 10 çamçakëzë që të “flejë më mirë” gjatë udhëtimeve të gjata me avionë. Rusia pretendoi se pas testimit të çamçakëzëve, u gjet se ato përmbanin substanca të ndaluara.

Schoebel përballej me shtatë vjet burgim, sipas Shërbimit të Dogaës dhe mediave shtetërore ruse. Në kohën kur u bë këmbimi i të burgosurve, ishte e paqartë nëse ai është gjykuar për akuzat që rëndonin ndaj tij.

German Moyzhes

German Moyzhes, me shtetësi të dyfishtë ruse dhe gjermane, është një avokat që jetonte në Shën Petersburg. Ai raportohet se ishte partner në një kompani që i ofronte mbështetje rusëve që kërkonin leje qëndrimi në Bashkimin Evropian. Ai po ashtu publikisht kishte avokuar për trotuare dhe shtigje për biçikleta.

Moyzhes u arrestua në fund të majit teksa po ngiste biçikletën e tij në Shën Petersburg. Ai u akuzua për tradhti dhe u dërgua në burgun e Lefortovos. Është e paqartë nëse gjyqi ndaj tij kishte nisur në kohën e këmbimit të të burgosurve.

Lilia Chanysheva

Lilia Chanysheva, 42-vjeçare, është ish-udhëheqësja e një dege të rrjetit politik të Navalnyt në Ufa, kryeqytetin e rajonit të Bashkortostanit. Rrjeti, i themeluar nga Navalny për përpjekjen e tij të pasuksesshme për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018 kundër Putinit, u cilësua si “ekstremist” më 2021.

Lilia Chanysheva
Lilia Chanysheva

Në qershor të vitit 2023, Chanysheva u dënua me shtatë vjet e gjysmë burgim për krime që përfshinin krime që kishin të bënin me krijimin e një komuniteti ekstremist dhe nxitje të ekstremizmit. Gjykata Supreme rajonale më vonë ia zgjati dënimin për dy vjet, duke thënë se dënimi paraprak ishte i lehtë.

Në deklaratat e dhëna për Radion Evropa e Lirë nga burgu para se të dënohej, Chanysheva e kishte përshkruar rastin ndaj saj si “jo vetëm politik, por realisht absurd”. Navalny, që vdiq nën rrethana të dyshimta në burg në shkurt të këtij viti, kishte dëshmuar në gjykimin e saj dhjetë muaj më herët.

“Mendo për Rusinë e bukur që do ta kemi në të ardhmen. Falë teje dhe njerëzve si ti, ne do ta arrijmë këtë. Ti je e fortë. Mos dysho në vete për asnjë sekondë... Jam shumë i lumtur që të njoh”, kishte deklaruar Navalny. “Ti ke inspiruar një numër të madh njerëzish”.

Vadim Ostanin

Vadim Ostanin, 47-vjeçar, është ish-kreu i një dege lokale të liderit të ndjerë opozitar rus, Aleksei Navalny, në qytetin siberian të Barnaulit.

Ai u arrestua në dhjetor të vitit 2021 dhe u akuzua për organizim të një komuniteti ekstremist dhe për propagandim të aktiviteteve të një organizate jokomerciale që cenon privatësinë dhe të drejtat e qytetarëve.

Vadim Ostanin
Vadim Ostanin

Akuzat lidheshin me aktivitetet e Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalnyt, që ka publikuar një sërë hetimesh për korrupsionin dhe nepotizmin që përfshinin presidentin rus, Vladimir Putin, dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, por edhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë.

Ostanin në korrik të vitit 2023 u dënua me nëntë vjet burgim për aktivitetet që mbështetësit e Navalnyt i quajtën “punë e ligjshme politike”. Qendra Memorial e kishte cilësuar atë të burgosur politik.

I mbajtur në Bjellorusi

Rico Krieger

Shtetasi gjerman, Rico Krieger, 30 vjeç, në qershor u dënua me vdekje në Bjellorusi. Më pas, më 30 korrik ai u fal nga lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka. Zyra e Lukashenkas nuk dha asnjë informacion lidhur me arsyen se pse shtetasi gjerman ishte falur.

Rico Krieger
Rico Krieger

Detajet për rastin ndaj Krieger nuk diheshin derisa grupi për të drejtat e njeriut, Vyasna, raportoi se ai ishte dënuar me vdekje në qershor për aktivitete mercenare, terrorizëm, krijim të një grupi terrorist, dëmtim të qëllimshëm të një makine dhe posedim të paligjshëm të armëve dhe mjeteve plasëse.

Sipas Vyasna, ky ishte gjykimi i parë në Bjellorusi për “aktivitete mercenare” dhe akuzat ishin të lidhura me Regjimentin Kalinouski, një grup i bjellorusëve në mërgim që kundërshtojnë Qeverinë bjelloruse dhe të cilët luftojnë në Ukrainë. Ky regjimet ka mohuar çdo lidhje me këtë rast.

Krieger, i lindur në Berlin, sipas Vyasna kishte punuar si mjek në Kryqin e Kuq gjerman. Ai ka një djalë të vogël i cili jeton në Gjermani.

Paraprakisht ai kishte punuar si oficer i forcave speciale të sigurisë për Departamentin amerikan të Shtetit në Berlin, ku kishte marrë përvojë për operacionet e armatosura të sigurisë. Më pas ai nisi të punonte në sektorin e shëndetësisë, ku është specializuar në kujdesin emergjent mjekësor.

I mbajtur në Gjermani

Vadim Krasikov

Vadim Krasikov, 59 vjeç, i njohur edhe si Vadim Sokolov, është ish-zyrtar i FSB-së ruse. Ai po vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Gjermani për shkak të vrasjes së ish-komandantit çeçen Zelimkhan Khangoshvili në Berlin më 2019.

Vadim Krasikov
Vadim Krasikov

Prokurorët gjermanë thanë se e qëlloi Khangoshvilin, teksa po udhëtonte me një biçikletë dhe tentoi të ikte. Ai u arrestua pasi u pa duke ndërruar rrobat, teksa po fshihej pas disa shkurreve.

Hetimi i kryer nga autoritetet gjermane gjeti se Krasikov ishte një zyrtar i lart i njësisë së forcave speciale ë FSB-së. Për më tepër, një hulumtim i kryer së bashku nga Bellingcat, The Insider, dhe Der Spiegel gjeti lidhje mes Krasikovit dhe FSB-së, që e lidhnin atë me krime të tjera.

Prokurorët në Gjermani pretenduan se Moska e urdhëroi vrasjen sepse Khangoshvili kishte udhëhequr forcat separatiste në rajonin rus të Kaukazit Verior nga viti 2000 deri më 2004 dhe po strehohej në Gjermani.

Më 2015, Khangoshvili i kishte mbijetuar një atentati të kryer në pikë të ditës në qendër të Tbilisit. Ai ishte qëlluar katër herë në krah dhe shpatull.

Krasnikov ishte duke e vuajtur dënimin e tij në një burg gjerman që nga viti 2021.

I mbajtur në Norvegji

Mikhail Mikushin

Hetuesit norvegjezë njoftuan më 2023 se një akademik, që pretendonte se kishte shtetësi braziliane dhe po punonte si ligjërues në një universitet, në fakt ishte një agjent i fshehtë rus, i quajtur Mikhail Mikushin.

Mikhail Mikushin
Mikhail Mikushin

Mikushin fillimisht shkoi në Norvegji më 2021 për të punuar në Universitetin e Arktikut, duke e identifikuar veten si Jose Assis Giammaria, raportuan mediat norvegjeze. Por, një vit më vonë ai u arrestua dhe u përball me akuzën se kishte gënjyer për identitetin e tij. Më pas ai u akuzua se ishte spiun rus.

Më 2023, Mikushin raportohet se kishte pranuar se kishte përdorur identitet të rremë.

Ai ishte mbajtur në një burg në Oslo dhe përballej me tre vjet burgim, sipas ligjeve norvegjeze për spiunazh.

Të mbajtur në SHBA

Vladislav Klyushin

Vladislav Klyushin është një sipërmarrës i teknologjisë informative, që ka udhëhequr një kompani në Moskë të lidhur me Qeverinë ruse. Ai u arrestua në mars të vitit 2021 në Zvicër, ku kishte shkuar për skijim. Arrestimi i tij u bë në bazë të një fletarrestimit të lëshuar nga SHBA-ja për mashtrime në fushën e tregtisë. Ai u akuzua se kishte hakuar njoftime për shtyp për të bërë tregti me aksione.

Vladislav Klyushin
Vladislav Klyushin

Pas ekstradimi të tij në SHBA, një juri amerikane e gjeti fajtor dhe në shtator të vitit 2023 ai u dënua me nëntë vjet burgim.

Gjatë gjykimit, prokurorët amerikanë vazhdimisht përmendën partneritetin e Klyushinit me një person të identifikuar si zyrtar i agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake, që njihet si GRU. Ai person, i identifikuar si Ivan Yermakov, u akuzua në një rast të ndarë të ngritur nga prokurori i posaçëm, Robert Mueller, për hakimin në Partinë Demokratike gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane më 2016.

Vadim Konoshchenok

Vadim Konoshchenok, 49 vjeç, dyshohet se është agjent i inteligjencës ruse, i cili u arrestua nga autoritetet estoneze në tetor të vitit 2022. Në kohën kur ai u arrestua në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga SHBA-ja, prokurorët amerikanë thanë se Konoshchenok po tentonte të shkonte në Rusi teksa kishte në posedim dhjetëra lloje të mikroelektronikës dhe komponentëve elektronikë.

Ata thanë se Konoshchenok ishte “pjesëmarrës i rëndësishëm i një skeme për ofrimin e pajisjeve të ndjeshme elektronike të prodhimit amerikan me qëllim që të avancoheshin përpjekjet e luftës së Rusisë dhe zhvillimi i armëve” në kundërshtim me sanksionet e vendosura nga Uashingtoni.

Ai u dërgua në paraburgim në SHBA në korrik të vitit 2023. Konoshchenok u deklarua i pafajshëm për akuzat, për të cilat, nëse do të gjendej fajtor do të mund të dënohej deri me 30 vjet burgim.

Roman Seleznyov

Djali i një anëtari të Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, Roman Seleznyov, u arrestua nga autoritetet amerikane më 2014, nën akuzën për mashtrime me kartela krediti. Arrestimi i tij, që ndodhi në një aeroport në Maldive, u pasua me ekstradimin e shpejt në territorin amerikan të Guamit. Ky ekstradim nxiti akuza nga Moska, e cila pretendoi se ai ishte rrëmbyer.

Roman Seleznyov së bashku me partnere e tij dhe djalin e tyre.
Roman Seleznyov së bashku me partnere e tij dhe djalin e tyre.

Hetuesit amerikanë thanë se ata zbuluan aktivitete online në fund të vitit 2000 dhe i kërkuan agjencisë kryesore të inteligjencës ruse, Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), ndihmë. Por, gjurmët e tij online shpejt u zhdukën, duke bërë që hetuesit amerikanë të besonin se Rusia po e mbronte atë.

Seleznyov, mbiemri i të cilit në dokumentet e gjykatës në SHBA është shkruar Seleznev, u dënua me 27 vjet burgim. Ky ishte një prej dënimeve më të ashpra që është shqiptuar ndaj ndonjë hakeri rus sepse ai zgjodhi që të luftonte për rastin para gjykatës, pavarësisht dëshmive të shumta kundër tij, në vend se të bashkëpunonte me autoritetet.

Të mbajtur në Slloveni

Anna Dultseva dhe Artyom Dultsev (të njohur edhe si Maria Rosa Mayer Munos dhe Ludwig Gisch)

Ludwig Gisch dhe Maria Rosa Mayer Munos janë shtetas rusë që përdorin emra të rremë. Ata u arrestuan në Slloveni dhjetorin e vitit 2022 nën akuza se po spiunonin për Rusinë. Pak para këmbimit të të burgosurve, çifti u deklarua fajtor për “spiunim dhe falsifikim të dokumenteve”. Emrat e vërtetë të tyre besohet se janë Artyom Dultsev dhe Anna Dultseva. Të dy kanë pasaporta të Argjentinës dhe janë rreth të 40-tave.

Anna Dultseva dhe Artyom Dultsev
Anna Dultseva dhe Artyom Dultsev

Më 2017, çifti u zhvendos në Slloveni, ku bashkëshorti drejtonte një kompani të teknologjisë informative, ndërkaq bashkëshortja operonte një galeri arti në internet. Sipas raportimeve të mediave, ata e kanë përdorur Slloveninë si bazë për t’iu dhënë gatshme agjentët e fshehur rusë në Bashkimin Evropian.

Pasi pranuan fajësinë, gjykata në Lubjanë më 31 korrik i dënoi ata me mbi 18 muaj burgim dhe urdhëroi dëbimin e tyre.

I mbajtur në Poloni

Pablo Gonzalez (i njohur edhe si Pavel Rubtsov)

Pablo Gonzalez është një gazetar i pavarur me shtetësi ruse dhe spanjolle. Ai u arrestua në Poloni në shkurt të vitit 2022 nën akuzën se po spiunonte për Rusinë. Agjencia e inteligjencës në Poloni, ABW, atëbotë e kishte identifikuar si agjent të inteligjencës të ushtrisë ruse.

Gonzalez, që ka lindur në Rusi dhe njihet edhe me emrin e tij rus, Pavel Rubtsov, sipas inteligjencës polake, dyshohet se “ka kryer aktivitete për Rusinë, duke përdorur statusin e tij prej gazetari”, përfshirë edhe “në zonat e prekura nga konfliktet e armatosura dhe në zonat ku ka tensione politike”.

Ndaj tij u ngrit akuzë për “pjesëmarrje në aktivitete të inteligjencës së huaj kundër Polonisë”.

Media e pavarur ruse Agentstvo, pak pasi Gonzalez u arrestua raportoi se ai kishte përpiluar raporte për vajzën e Boris Nemtsovit, Zhanna Nemtsova, pasi ishte miqësuar me të.

Organizatat për të drejtat e gazetarëve kishin thënë se Gonzalez nuk duhet të shënjestrohet për aktivitetet e tij gazetareske dhe i kishin bërë thirrje Polonisë që të vërtetonte akuzat kundër tij.

Në mesin e mediave që Gonzalez kishte ofruar raportime ishte edhe Zëri i Amerikës, transmetuesi që financohet plotësisht nga taksapaguesit amerikanë në kuadër të Agjencisë amerikane për Media Globale. Zëri i Amerikës kishte marrë gjashtë kronika nga ai midis viteve 2020 dhe 2021. Më pas, kjo media kishte rishikuar punën e Gonzales pas arrestimit të tij.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG