Ndërlidhjet

Kurmasheva e Gershkovich në mesin e të liruarve gjatë këmbimit të të burgosurve mes Rusisë dhe SHBA-së


Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, gjatë një paraqitjeje në një gjykatë ruse më 31 maj 2024.
Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, gjatë një paraqitjeje në një gjykatë ruse më 31 maj 2024.

Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete të tjera kanë kryer këmbimin më të madh të të burgosurve që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Në mesin e tyre janë 16 persona, përfshirë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, dhe atë të Wall Street Journal, Evan Gershkovich, që janë liruar nga burgjet ruse, pasi ishin dënuar apo akuzuar për akuza që ata i kanë mohuar. Në këmbim, në Rusi janë kthyer tetë rusë.

Përmes një deklarate, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se në mesin e të liruarve janë edhe ish-marinsi amerikan, Paul Whelan dhe aktivisti opozitar Vladimir Kara-Murza - me shtetësi ruse dhe britanike - të cilët po mbaheshin në Rusi.

“Ne kemi negociuar lirimin e 16 njerëzve nga Rusia, përshirë pesë gjermanë dhe shtatë shtetas rusë të cilët ishin të burgosur politikë në shtetin e tyre”, tha presidenti amerikan.

“U jam mirënjohës aleatëve tanë që na ndihmuan në negociatat e ndërlikuara për të arritur deri te ky rezultat, përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Slloveninë, Norvegjinë dhe Turqinë”.

Biden tha se nuk do të ndalet deri në lirimin “e çdo amerikani që është i burgosur padrejtësisht apo që mbahet peng kudo në botë derisa të ribashkohet me familjen”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe Miriam Butorin, vajza e gazetares së REL-it, Alsu Kurmasheva.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe Miriam Butorin, vajza e gazetares së REL-it, Alsu Kurmasheva.

Presidenti Biden më pas mbajti një konferencë për media nga Shtëpia e Bardhë, i shoqëruar nga familjarët e të liruarve.

Biden akuzoi Rusinë se ka mbajtur “gjyqe sa për shou” që kanë çuar në burgosjen e Gershkovich, Whelan, and Kurmasheva, duke theksuar se që të tre “në mënyrë të rreme u akuzuan se ishin spiun”.
Në mesin e familjarëve në konferencën e Bidenit ishin të pranishëm edhe bashkëshorti i Kurmashevas, Pavel Butorin, i cili po ashtu punon në REL, dhe dy vajzat e tyre, Bibi dhe Miriam.

Biden tha se Miriami të nesërmen feston ditëlindjen e 13-të, dhe tha se tani “ajo mund të festojë me nënën e saj”, teksa e përqafoi dhe i këndoi së bashku me të pranishmit e tjerë këngën e ditëlindjes.

Gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, - që ka shtetësi të dyfishtë, ruse dhe amerikane - u dënua në korrik nga një gjykatë ruse me gjashtë vjet e gjysmë burgim, për “përhapje të informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse. Ajo ishte ndaluar nga autoritetet ruse prej tetorit të vitit të kaluar, me arsyetimin se ka dështuar që të regjistrohet si “agjente e huaj”.

Gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha po ashtu se këmbimi i të burgosurve ka detyruar Gjermaninë të bëjë "koncesione të mëdha", pasi ky shtet ka liruar kolonelin e FSB-së, Vadim Krasikov, që ishte dënuar për vrasjen e një ish-militanti çeçen në Berlin më 2019.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se vendimi për lirimin e tij ishte i vështirë. Por, ai tha se u desh të peshohej nëse interesi i shtetit për ta ndëshkuar atë ishte më i madh se "rreziku me të cilin përballen njerëzit e pafajshëm në burgjet ruse dhe të burgosurit politik".

Biden tha se Gjermania nuk ak kërkuar asgjë në këmbim të këtij vendimi.

Ndërkaq, Organizata e Inteligjencës Kombëtare të Turqisë tha më 1 gusht se ka luajtur "rol të madh ndërmjetësues" në këmbimin e 26 personave nga burgjet nga shtatë shtete.

Ky institucion tha se negociatat mundësuan këmbimin e "shtetasve rusë me shtetasit e vendeve perëndimore të burgosur në SHBA, Gjermani, Poloni, Norvegji, Slloveni, Rusi dhe Bjellorusi", duke shtuar se mercenari gjerman, Rico Krieger, i burgosur në Bjellorusi, dhe disidenti rus, Ilya Yashin, si dhe koloneli i shërbimit rus të inteligjencës, FSB, Vadim Kraskiov i burgosur në Gjermani, po ashtu janë liruar.

Qeveria amerikane më vonë gjatë 1 gushtit ka publikuar një fotografi ku shfaqen po këta tre të liruar duke u kthyer në SHBA me një avion.

Gershkovich, Kurmasheva dhe Whelan duke udhëtuar për në SHBA.
Gershkovich, Kurmasheva dhe Whelan duke udhëtuar për në SHBA.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris do t'i mirëpresin të liruarit në orën 23:30, sipas kohës lokale.

Ndërkaq, tetë rusët e liruar arritën në Moskë mbrëmjen e 1 gushtit. Putin i mirëpriti ata në aeroportin Vnukovo të Moskës.

"Dua t'iu uroj për kthimin tuaj në atdhe", tha Putin.

Duke iu adresuar personave që kanë shërbyer në ushtrinë ruse, presidenti rus shtoi: "Dua t'iu falënderoj për besnikërinë tuaj, për betimin, detyrën dhe atdheun, i cili nuk iu harroi".

William Courtney, diplomat karriere, i cili ka punuar në bisedimet për armët mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, para se të bëhej ambasadorë në Gjeorgji dhe Kazakistan, foli për REL-in lidhur me këmbimin e fundit të të burgosurve.

“Mendoj se i dërgon një mesazh botës se Kremlini dëshiron të largojë disa nga këta të burgosur, të njohur ndërkombëtarisht, sepse mbajtja e tyre i ndihmon imazhit të Rusisë”, tha ai, që tani punon si analist në institutin Rand Corp.

Courtney tha se Rusia nuk dëshironte që Kara-Murza të vdiste në burg sikurse politikani opozitar, Aleksei Navalny, që vdiq në një burg në Arktik në shkurt, sepse “Rusia nuk dëshiron të ketë publicitet të keq”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë TASS, më herët gjatë 1 gushtit ka thënë se Kremlini shpreson që ata që janë liruar nga Rusia nuk do të kthehen më në këtë shtet.

"Besoj që të gjithë armiqtë tanë duhet të qëndrojnë [jashtë Rusisë] dhe të gjithë ata që nuk janë armiqtë tanë duhet të kthehen".

Gazetarja e burgosur e REL-it flet për kushtet e këqija në qelinë ruse
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:00 0:00

Më 1 gusht, mediat perëndimore sikurse Bloomberg, Sky News, CNN, dhe media të tjera, duke cituar burime, raportuan se këmbimi i të burgosurve po ndodhte, pasi që nuk dihej vendndodhja e disa të burgosurve politikë të profilit të lartë, që mbaheshin në Rusi, duke nxitur spekulime se ata po bëheshin gati për këmbim.

Një avion i Qeverisë ruse pas aterimit në një aerport të Ankarasë më 1 gusht 2024.
Një avion i Qeverisë ruse pas aterimit në një aerport të Ankarasë më 1 gusht 2024.

Lajmi për këmbimin e të burgosurve u mirëprit nga ligjvënësit amerikanë. Megjithatë, disa republikanë vunë në pikëpyetje “çmimin e lartë” të cilin është dashur ta paguajë SHBA-ja.

“Disa nga ata që po kthehen në Rusi janë nga asetet më të vlefshme që ka Putini”, tha senatori republikan Jim Risch.

Ndërkaq, ligjvënësi republikan, Michael McCaul, shkroi në X se i gëzohet lajmit për lirimin e të burgosurve, por mbetet i “shqetësuar se vazhdimi i këmbimit të amerikanëve të pafajshëm me kriminelët rusë të mbajtur në SHBA dhe gjetkë dërgon një mesazh të rrezikshëm te Putini dhe vetëm e inkurajon edhe më tepër që të marrë më shumë pengje”.

Spekulimet për këmbimin e të burgosurve u rritën ditëve të fundit pasi avokatët mbrojtës të disa të burgosurve të profilit të lartë, që mbahen në Rusi, thanë se nuk ishin në dijeni të vendndodhjes së klientëve të tyre, një situatë që rëndom ndodh kur të burgosurit zhvendosen. Në mesin e tyre përfshiheshin Kara-Murza dhe aktivisti tjetër opozitar, Ilya Yashin.

Një nga shenjat e para që tregonte se këmbimi po ndodhte më 1 gusht erdhi nga një rup avokatësh rusë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut të njohur si Pervy Otdel. Ky grup postoi një mesazh në Telegram duke vënë në dukje gjurmën e fluturimit të një aeroplani Antonov që më parë ishte përfshirë në këmbime të tjera të burgosurish.

Të dhënat nga faqja e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, konfirmuan lëvizjet e avionit, ndërsa media ruse, Agenstvo, raportoi se disa avionë specialë të Qeverisë ruse ditët e fundit kanë udhëtuar drejt dhe nga rajonet ku gjenden burgjet në të cilat mbaheshin disidentët.

Ndërkohë, katër rusë të akuzuar ose burgosur në Shtetet e Bashkuara u zhdukën nga një bazë të dhënash e të burgosurve që operohet nga Byroja Federale e Burgjeve të SHBA.

Para këtij këbimi, këmbimi më i madh i të burgosurve që nga Lufta e Ftohtë kishte ndodhur në vitin 2010 dhe përfshinte gjithsej 14 persona.

Në atë këmbim, Shtetet e Bashkuara liruan 10 rusë, përfshirë edhe Anna Chapman.

Sergei Skripal, një oficer i inteligjencës ushtarake ruse i dënuar për spiunazh për Britaninë, ishte në mesin e katër personave të liruar nga Moska.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG